Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24” deklaroi se Rama dhe Erdogan duket se instrumentalizojnë njëri-tjetrin, kurse shtoi se kreu i qeverisë shqiptare luan me dy porta, përpos se me Europën, edhe me shtetin turk.
Në lidhje me pritjen madhështore që Erdogan i kishte rezervuar Ramës, Lubonja beson se lideri turk nuk e ka bërë për shkak se ka respekt për kryeministrin shqiptar, por se ka interesat e tij.
“Unë jam për miqësinë me popullin turk, sepse ka traditë historike, qoftë feja myslimane ndikon. Kjo pritje nuk ka të bëjë me miqësinë e vjetër, por ka të bëjë me miqësinë e Erdogan dhe Ramës. Të dy liderët bëjnë politikë, instrumentalizojnë njëri-tjetrin. Erdogan ka pasur influencën për të ndikuar në Ballkan, sidomos ku ka myslimanë, ka pasur konflikte edhe me Greqinë, edhe me Europën, për figurën e tij. Rama do të luajë me dy porta, duke luajtur edhe me Turqinë. Edhe kjo është për pushtetin e vet.
Rama ka veten e vet të parin, pastaj të tjerët. Nuk duhet të ndërhyjmë në konfliktin mes Erdogan dhe Gylen. Erdogan ka jep ndihma ekonomike, por askush nuk bën hesap sa ka dhënë Europa. Nëse bëhet fjalë për ndihma, mendoj se është propagandë. Nëse ti merr taksat për pallatet në Tiranë, do ndërtoje spitale, shkolla, edhe xhami po deshe që mos e ndërtojë Erodgani. Nuk besoj se Erdogan ka respekt për Ramën me atë pritje, por ka interesat e tij”, u shpreh Lubonja.
Në lidhje me ngjarjet në SHBA, Lubonja theksoi se treguan se demokracia nuk është gjithmonë perfektë, kurse shtoi se vlerat demokratike kërcënohen përherë nga fashizimi brenda nesh.
“Unë mendoj se ishte një episod, që tregoi se demokracia nuk është kurrë perfektë, por është e kërcënuar nga fashizmi brenda nesh, nga nevoja që kemi për pushtet, këtë tregoi sesi ideja që Trump është i pari, krijoi probleme, pasi kapi institucionin e presidencës në SHBA. Ngjarja tregoi se në vende me kulturë demokratike si SHBA, këta njerëz nuk mund ta dëmtojnë demokracinë deri në pika të pakthyeshme. Njerëzit u manipuluan sikur janë vjedhur zgjedhjet, ndoshta kanë probleme edhe me vizionin e tyre, por këta persona treguan se kultura ka shumë rëndësi për demokracinë”, u shpreh Lubonja.
Më tej, Lubonja tha se Trump është një lider që nuk pranon humbjen, ndërsa vlerësoi se sjellja e tij josh diktatorët e vegjël.
“Fenomeni Donald Trump nuk ishte rastësi, për shkak se sistemi neo-liberalizmi ka krijuar polarizim. Ideja se individi bën çfarë të dojë, ndoshta solli Trumpin në pushtet. Kjo gjë ka bërë që njerëzit në shtresa të caktuara kanë qenë të frustruar. Trump ka kapur persona që ishin pa punë etj, bëri ca gjëra në aspektin ekonomik. Të gjithë diktatorët kështu kanë ardhur. Donald Trump erdhi me premtim për ndryshim, por me çmendurinë e tij për të përjetësuar pushtetin, duke vënë Trump mbi Amerikën dhe mbi Partinë Republikane, krijoi situatën që nuk pranon humbjen, që është e qartë. E ka ndëshkuar pjesa e moderuar e republikanëve. Është tronditje për imazhin e SHBA, sepse George Bush tha u dukëm si republikë bananesh”, deklaroi Lubonja.
Për Lubonjën, humbja e Trump në zgjedhjet amerikane ishte e qartë, pasi ai kishte 7 milionë vota më pak se kundërshtari i tij.
“Humbja e Trump sidoqoftë ishte e qartë. Në SHBA nuk ka pasur mbretëri, si në Europë, ata u bënë shtet menjëherë. Demokracia ka rreziqet e veta. Mirëpo, edhe SHBA ka vepruar në shumë shtete të botës për interesa të tyret”, përmbylli Lubonja.