Shumë pyetje mbeten pa përgjigje lidhur me episodin e paprecedentë në historinë e Amerikës: A bashkëpunoi policia me protestuesit? A gabuan agjencitë e inteligjencës? Pse Trump nuk e thirri Gardën Kombëtare?
Më 6 janar, mijëra protestues sulmuan dhe pushtuan Kongresin amerikan, në momentin kur senatorët dhe deputetët po mblidheshin për të zyrtarizuar fitoren e Joe Biden në zgjedhjet e 3 nëntorit.
Sulmi u parapri nga një deklaratë e presidentit në largim, Donald Trump, i cili, tha: “Fitorja nuk njihet kur bëhet fjalë për vjedhje. Ne do të kemi një president të paligjshëm, nuk mund ta lejojmë”.
Një ditë më pas, shumë pyetje mbeten pa përgjigje lidhur me episodin e paprecedentë në historinë e Amerikës.
A i lejoi policia protestuesit?
Sulmi ndaj Kongresit përfaqëson një dështim shumë serioz, para së gjithash, për forcat e policisë që supozohet të mbrojnë parlamentin e SHBA. Disa deputetë kanë kërkuar hetim dhe zëvendëskëshilltari i Sigurisë Kombëtare ka dhënë dorëheqjen.
Nga raportet e para është e qartë se Policia e Kongresit u kap në befasi. Ajo nënvlerësoi demonstruesit, nuk krijoi pengesa, ishte e pajisur dobët dhe formacioni ishte i vogël në numër. Duheshin më shumë filtra, më shumë njerëz.
Mbrojtja e Kongresit, në orët e para të sulmit, iu besua vetëm Policisë së Capitol-it, e përbërë nga rreth 2 000 trupa.
Detyra e kësaj policie të posaçme, e cila është zyrtarisht nën kontrollin e Kongresit, është të mbrojë ndërtesat ku zhvillohet aktiviteti legjislativ i Shteteve të Bashkuara, për shembull duke parandaluar hyrjen në shkallët e jashtme – dhe, në mënyrë absolute, hyrjen brenda Parlamentit Amerikan.
Policia e Capitolit nuk kishte kërkuar përforcime nga ndonjë forcë e armatosur. Disa video, të postuara në Tuiter në orët e kaluara, tregonin se oficerët e policisë i hiqnin barrierat përpara protestuesve, duke hapur rrugën e tyre drejt shkallëve të Kongresit. Në një video tjetër, një protestues shihet duke bërë një selfie me një oficer të policisë. Nuk është e qartë pse mund të ketë ndodhur kjo. Do të jetë hetimi – në të cilin merr pjesë FBI – që do të japë një përgjigje.
A gabuan agjencitë e inteligjencës?
Pyetja e dytë e hapur ka të bëjë me gabimet e inteligjencës: nuk ka pasur një vlerësim të saktë të kërcënimit, pavarësisht se disa grupime trumpiste ishin (dhe janë) të njohura për tendencat e tyre ekstreme.
Sipas raportimeve të agjencisë Reuters, e cila citon burime të nivelit të lartë, seanca e unifikuar e ratifikimit të rezultatit zgjedhor u parapri nga një përgatitje shumë e vogël për sa i përket sigurisë, ndryshe nga çfarë ndodh për ngjarje të tjera të tilla si inaugurimi i një presidence të re. Ndërsa kjo seancë ratifikimi ishte, gjatë gjithë historisë së fundit të SHBA-ve, një ngjarje rutinë, këtë vit, në të njëjtën ditë dhe fare pranë Kongresit, u thirr një protestë kundër asaj që protestuesit dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara besojnë se është rezultat fals i zgjedhjeve. Që demonstrata nuk u nxit nga qëllime paqësore, kjo kuptohet nga mijëra postime dhe mesazhe të shkëmbyera në rrjetet sociale: përsëri agjencia Reuters, duke cituar një ish-anëtar të shërbimeve të inteligjencës amerikane të specializuar në monitorimin e aktiviteteve në internet, flet për të paktën 1 480 postime nga llogari të lidhura me lëvizjen konspirative QAnon e cila, duke folur për marshimin në 6 janar, nxiti dhunë, duke i shtyrë “patriotët” në aksion.
Pse Trump nuk e thirri Gardën Kombëtare?
Nuk pati njësi speciale dhe përforcime në afërsi të Kongresit. Asnjë departament që mund të japë mbështetje. Vetëm pas orësh, kur “rebelët” ishin zotër të ndërtesës, u vendos që të reagonin falë ndërhyrjes së forcave të tjera të policisë.
Zyrtarisht dërgimin në vendngjarje të Gardës Kombëtare e kërkoi kryetari i bashkisë së Uashington D.C.
Sipas New York Times, Trump fillimisht kundërshtoi thirrjen për të mobilizuar Gardën Kombëtare. Nënkryetari, Mike Pence, miratoi urdhrin. Me Trumpin, teknikisht, ende president i Shteteve të Bashkuara dhe komandant i përgjithshëm i ushtrisë, nuk është e qartë pse nuk u dha një urdhër i tillë.
Pentagoni ka vonuar dërgimin e Gardës Kombëtare: mbase kujdesi buroi edhe nga polemika që u ngrit se a duhet mobilizuar ushtria me rastin e protestave anti-policore.
Trump nuk gjendej
Sipas burimeve të cituara nga New York Times, ishte jashtëzakonisht e vështirë për të gjithë anëtarët e stafit të Shtëpisë së Bardhë të hynin në kontakt me presidentin të mërkurën, i cili vazhdoi të ndiqte lajmet në TV.
Associated Press gjithashtu shkruan se Trump e kaloi pjesën më të madhe të pasdites në dhomën e tij private pranë Oval Room, duke parë skenat shkatërruese në TV. Përballë kërkesave nga stafi për të ftuar protestuesit të largohen, një Trump ngurrues u përgjigj me dy postime në Tuiter – një mesazh video dhe një postim me tekst – në të cilët ai nuk e dënoi dhunën. /Corriere.it