Marenglen Ymeraj, ish-efektiv policie, në kërkim për ngjarjen e ndodhur disa vite më parë, ku në Divjakë u zbulua një avion ngarkuar me lëndë narkotike, është vënë në pranga.
Policia e Fierit njoftoi se, bazuar në informacionet e mara në rrugë policore, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit Marenglen Ymeraj, 40 vjeç, banues në Mallakastër.
Ndaj tij, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin e datës 25.11.2015, e ka dënuar me 9 vjet e 4 muaj për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. Vendim që është lënë në fuqi edhe nga Apeli më 3.30.2016.
Ngjarja
Sipas Prokurorisë: në datën 10.05.2014, mbi bazën e ngjarjes së ndodhur në plazhin e Divjakës ku u gjet një avion i vogël me regjistrim “I-GRMP, tip “Piper” dhe në pjesën e pyllit përballë vendit ku e gjet avioni u sekuestruan 94 kg lëndë narkotike e në vijim sasia prej 211.8 kg në automjetin tip ‘Mitsubishi’ të drejtuar prej Sajmir Bajramit, u regjistrua procedimi penal në ngarkim të shtetasve Giorgio Riformato dhe Sajmir Bajrami. Në vijim të hetimeve u identifikuan dhe bashkëpunëtorë të tjerë të pandehurve Giorgio Riformato dhe Sajmir Bajrami. Për këtë arsye në datën 20.05.2014, në regjistrin e njoftimit të veprave penale u regjistruan emrat e shtetasve Kristjan Demçe, Kleviol Ahmeti, Aurel Pupe dhe Orgest Bilbili, të dyshuar për veprën penale. Në datën 23.05.2014 është regjistruar edhe emri i personit nën hetim Marenglen Ymeraj, ish-punonjës policie, baxhanaku i Sajmir Bajramit, i cili kishte organizuar trafikun e lëndës narkotike. Të gjithë personat e pandehur kishin patur role të ndara në tentativën e trafikut të drogës me avion, ndërsa pika lidhëse mes tyre ishte shtetasi Sajmir Bajrami, i cili jetonte prej vitesh në Itali.
Rolet
Sipas hetimit 1-vjeçar të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ka rezultuar se i pandehuri Sajmir Bajrami, emigrant prej vitesh në Itali, ka marrë përsipër të siguronte lëndën narkotike në Shqipëri, të cilën do e transportonte me avion. Transportin e kanabisit në rrugë ajrore nga Shqipëria në Itali e ka marrë përsipër bashkëpandehuri Giorgio Riformato, i cili kishte në pronësi një tip “Piper”. Në funksion të qëllimit të tyre të trafikimit, i pandehuri Sajmir Bajrami ka përshirë në këtë aktivitet dhe baxhanakun e tij, të pandehurin Marenglen Ymeraj, i cili ka qenë efektiv i policisë nga viti 2005 deri në vitin 2013, dhe ka punuar në sektorin e operacioneve speciale në Elbasan, në seksionin e krimeve të rënda në Sarandë etj. Në vijim, të pandehurit Sajmir Bajrami dhe Marenglen Ymeraj kanë kontaktuar të pandehurit Kristjan Demçe dhe Kleviol Ahmeti, të cilëve u kanë kërkuar të gjenin dhe disa persona të tjerë, për të sistemuar dhe ngarkuar në avion lëndën narkotike, e cila do të trafikohej me avion për në Itali. Për këtë qëllim, të pandehurit Kristjan Demçe dhe Kleviol Ahmeti kanë kërkuar edhe ndihmën e të pandehurve Orgest Bilbili dhe Aurel Pupe, të cilët kanë rënë dakord. Të pandehurit e sipërcituar janë ngarkuar të bënin dhe ruajtjen e vendit derisa të ngarkohej lënda narkotike në avion.
Takimet e Bajramit me Riformaton
Të dhënat nga sistemi TIMS tregojnë se i pandehuri Sajmir Bajrami ka hyrë në Shqipëri në datën 7 maj 2014, dhe një ditë pas tij në datën 8 maj 2014 ka hyrë i pandehuri Giorgio Riformato me avionin e tij tip ‘PIPER’.Pas mbërritjes në Shqipëri, i pandehuri Giorgio Riformato është akomoduar në hotel ‘’C…’’ pranë Prokurorisë së Përgjithshme, ku ka qëndruar deri në datën 10.05.2014 datë në të cilën është planifikuar të bëhej eksportimi i lëndës narkotike për në Itali. Provohet se mbrëmjen e datës 08.05.2014 i pandehuri Giorgio Riformato është kthyer në hotelin “C…”, së bashku me të pandehurit Sajmir Bajrami dhe Marenglen Ymeraj, ku këta të fundit pasi kanë lënë të pandehurin Giorgio Riformato janë larguar. Pasi të pandehurit Giorgio Riformato dhe Sajmir Bajrami kanë biseduar së bashku mbi modalitetet e kryerjes së trafikimit, kanë vendosur që ngarkimi i lëndës narkotike në avionin e Giorgio Riformatos do të bëhej në plazhin e Divjakës. Pasi i pandehuri Sajmir Bajrami ka siguruar lëndën narkotike, është rënë dakord që lënda narkotike do të transportohej për në plazhin e Divjakës në datën 10.05.2014, ku aty do të ulej i pandehuri Giorgio Riformato me avionin e tij dhe do të bëhej ngarkimi në të i lëndës narkotike, me qëllim trafikimin në rrugë ajrore për në Itali.
Tentativa e trafikut
Në dosjen e prokurorisë thuhet se nga të dhënat e mbledhura provohet se në datën 10 maj 2014 në plazhin e Divjakës kanë shkuar të pandehurit Sajmir Bajrami, Marenglen Ymeraj, Kristjan Demçe, Aurel Pupe, Orgest Bilbili dhe Kleviol Ahmeti. Lënda narkotike është sistemuar dhe futur nëpër thasë, dhe më pas është ngarkuar në automjetin tip Fuoristradë dhe në një automjet tip “Audi”.Në të njëjtën datë, i pandehuri Giorgio Riformato është ngritur me avionin e tij me numër regjistrimi “GMRP PIPER” nga aeroporti i Rinasit rreth orës 13:25. Më pas, rreth orës 14:10’ në vendin e quajtur Plazhi i Divjakës, rrethi i Lushnjës, në afërsi të një objekti trekatësh është gjetur avioni i të pandehurit Giorgo Riformato, me rrotën e thyer në pamundësi për t’u ngritur përsëri. Në momentin e uljes avionit i është thyer rrota e parë. Të pandehurit e tjerë që ishin duke pritur në vendin e ngjarjes mbërritjen e avionit me qëllim ngarkimin në të lëndës narkotike, Sajmir Bajrami, Marenglen Ymeraj, Kristjan Demçe, Aurel Pupe, Kleviol Ahmeti dhe Orgest Bilbili duke parë se avionit iu thye rrota e parë dhe ngeci në rërë, u larguan nga vendi i ngjarjes. Gjatë largimit nga vendi i ngjarjes të pandehurit Aurel Pupe dhe Kleviol Ahmeti kanë hipur në automjetin tip ‘Audi’ ose ‘Volsvagen’, në të cilin ishte ngarkuar lënda narkotike në sasi prej 94 kg. Për shkak se këtij automjeti i është çarë sadokarti dhe ka filluar të rrjedhë vaj, ata kanë shkarkuar çantat nga makina, kanë braktisur automjetin duke u larguar nga vendi i ngjarjes.