Duke filluar nga sot, rikthehet sërish kufizimi i orarit të lëvizjes në orën 22:00. Për shefin e Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, kjo masë duhet të qëndrojë dhe për 2 javë të tjera.
Në një intervistë për Report Tv, Brataj tha se periudha e festave ka shtuar shumë dhe kontaktin mes njerëzve, ndaj duhet kohë për të parë dhe impaktin e saj.
Skënder Brataj: “Ky është një proces shumë dinamik dhe nuk mund të themi që kemi arritur numrin. Varet se sa respektohen masat dhe përgjigja është më se e saktë. Jemi në datën 5 dhe deri në datën 20 dhjetor nuk kemi respektuar aq shumë masat që ishin më parë. Situata është shumë më mirë se sa ka qenë. Do të ketë oshilacione me ulje dhe rritje të vogla. Vlerësimin e tanishëm ne do e bëjmë pas 2 javësh. Duhet të presim që të shohim si do jetë ecuria e infeksionit.
Me ardhjen e vaksinës është diçka pozitive. Shqipëria po ndjek një model të vetin, por me pika referimi nga OBSH dhe disa shtete të tjera. Unë personalisht mendoj që ne duhet të presim me këto masa që kemi. Na duhen dy javë për të bërë një vlerësim. Ndërsa për vaksinën, nuk besoj se na interesojnë shifrat apo gara midis shteteve, e rëndësishme është që fillon një proces dhe do të ketë një përfundim”.