Këngëtari, shkrimtari dhe aktori i njohur kosovar, Çun Lajçi në një postim në Facebook tregoi se po i humbet tërësisht dëgjimi. Ai shkroi se gjatë një kontrolli rutinor për veshët, mjekët i thanë se me njërin nuk dëgjon fare, ndërsa tjetri është 30% funksional.
Çun Lajçi sqaroi se nuk dihet arsyeja e humbjes së dëgjimit, teksa theksoi se e vetmja gjë që do i ngelë peng është se nuk do dëgjojë dot zërin e lahutës dhe s’do mund të këndojë më.
“E trishtë! Isha në një kontroll rutinor për veshët dhe merre me mend. Njëri vesh papritmas e paska humbur dëgjimin dhe tjetri funksionon 30%. Pse? Nuk e dinte as doktori! Por s’po ankohem, veç nëse shurdhohen do të më mbetet peng që s’do të dëgjoj zërin e lahutës dhe s’do të mundem të këndoj më! Për të tjerat shëndoshë!
Nëse s’e kthej kokën kur t’më thërrisni në rrugë, mos t’iu ngelë hatri. Nuk e kam nga mendjemadhësia. Do të rri me klysht. E trishtë!”– shkroi Çun Lajçi.