Sot mbahet në katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër mesha e lumturimit të 38 martirëve të Kishës Katolike, vrarë, pushkatuar e vdekur gjatë torturave në regjimin komunist.
Mesha vjen pas dekretit të Papa Françeskut për “Vinçenc Prennushin dhe 37 shokë martirë”. Përveç zyrtarëve më të lartë të shtetit shqiptar dhe atij të Kosovës, të pranishëm do të jenë edhe familjarë të martirëve, mes të cilëve ka pasur, ipeshkvinj, meshtarë dioqezanë, françeskanë e jezuitë, një aspirante stigmatine dhe besimtarë laikë.
I pranishëm në meshë do të jetë edhe kardinali Angeli Amato, prefekt i Kongregacionit të Çështjes së Shenjtëve.
Ndërkaq, presidenti i republikës, Bujar Nishani pritet t’i dekorojë këtë muaj 38 martirët me Urdhrin e “Flamurit Kombëtar”. Ndërkaq, të 38 janë dënuar si fajtorë me vendim të gjykatave shqiptare. Mësohet se institucioni i presidentit nuk ka kompetenca ligjore për t’u dhënë atyre ligjërisht pafajësinë, çka sipas juristëve, arrihet vetëm me një vendim të Parlamentit të Republikës së Shqipërisë.
Një prej familjarëve të martirëve, Drande Malaj, mbesa e Dom Dedë Malajt (16 nëntor 1917 – 10 maj 1959) vjen në një intervistë ku rrëfen si ishte xhaxhai i saj. Në gjyqin e zhvilluar publikisht me katër fortafolës në kinema “Republika” në Shkodër, ai do ta akuzonte hapur regjimin komunist, duke paralajmëruar edhe varfërinë që do sillte e duke e krahasuar Enver Hoxhën me Stalinin. I njëjti gjyq e dënoi me vdekje edhe sepse, ai pat kundërshtuar vënien e kishës në funksion të shtetit.
Vetëm 13 vjeçe, mbesa e tij, do të merrte guximin t’i kërkonte faljen e xhaxhait Nexhmije Hoxhës në Tiranë. Ndërsa priste përgjigje, ajo e takon xhaxhanë për herë të fundit për të marrë prej tij porositë e amanetet.
Një telegram i refuzon kërkesën për falje dhe më pas, Drande Malaj mëson se Dom Dedë Malaj u pushkatua në breg të Liqenit të Shkodrës më 12 maj 1959. Ishte 39 vjeç. Në vitet 1990, ajo kërkoi dhe gjeti eshtrat e tij.
Drande Malaj është me fat. Shumë prej martirëve nuk dihet se ku prehen.
– Si e mbani mend Xhaxhain?
Në moshën trevjeçare më vdiq babai. Jetova me të dhe me gjyshen pas kësaj. Kam jetuar me të dhe kam pasur përkudjesjen e dashurinë e tij derisa isha 13 vjeçe, kohë kur ai u arrestua. Atëherë filluan vuajtjet e kalvari i jetës sonë.
– Çfarë keni mësuar prej tij?
Kam mësuar shumë: edukatën e mirësjelljen. Pasi vdiq gjyshja, ne morëm një shërbëtore që më herët kish shërbyer te familja e Imzot Bumçit.
– Pse u akuzua Dom Dedë Malaj?
U arrestua më 7 nëntor 1958 për agjitacion e propagandë e lidhje me Vatikanin. Ne jetonim në Dajç të bregut të Bunës. Kemi qenë në kishë për meshë me Dom Nikollë Troshanit. Pas meshës së parë, kam parë shtëpinë të rrethuar me ushtarë. Axha dha meshën e dytë e nuk i thanë gjë. Pasi mbaroi mesha, vonoi të vinte në shtëpi. Erdhën brenda këta të policisë, kishin ardhur nga Tirana. Ishte zbardhur në fytyrë. Filloi kontrolli i shtëpisë. Nuk u gjet asgjë aty. U arrestua, nuk e lidhën para syve të mi, pak më tej, por ka qenë moment shumë i vështirë për mua.
Ka qëndruar 6 muaj në hetuesi, e unë e shërbyesja shkonim t’i çonim ushqime, por nuk na i pranonin. Merrnin vetëm rrobat. Ne shkonim sërish çdo të shtunë, në këmbë nga Dajçi në Shkodër. Na thoshin njerëzit se ai është çmendur dhe do jetë në spitale dhe ndaj nuk na lënë të shohim. Një ditë u futëm te Kisha e Zojës para dhe kur shkuam në hetuesi, e shohim të kalojë mes dy policëve.
– Kishit kontakt me të, e takuat gjatë hetimit?
Nuk më linin, derisa një ditë i dal përpara Hilmi Saitit dhe i lutem të më lërë të takoj xhaxhain. Më mori me vete, tha bli dy paketa cigare dhe ma nxorën ta shihja. Ishte takimi im i fundit me të. Nuk dimë se çfarë i ka ndodh në hetuesi. Më thoshin se torturat janë të shumta, po nuk mund t’i themi. Unë isha fëmijë. Di vetëm që për shembull, ai u thoshte fshatarëve, mos u futni në kooperativë se do u marrin bagëtitë dhe do jeni të varfër.
– Çfarë ju ka thënë?
Më pyeti si isha, a kisha ushqime, isha vetëm 13 vjeçe. Më tha me kë do jetoja dhe në fund më dha këto porosi: bëhu vajzë e urtë dhe e mirë, dhe dëgjoje Tinën (shërbëtoren e moshuar) dhe në çdo moment të jetës tënde, kujto të parët e tu. Atëherë isha fëmijë e nuk dija çfarë ishin këto fjalë, por kur u rrita, e kuptova se pse mi kish thënë. Këto ishin fjalët e fundit.
– Ju e keni kërkuar faljen tij deri te Nexhmije Hoxha. Si shkuat deri atje, kush ju ndihmoi, ndërsa ishit vetëm 13 vjeçe? Kush ju mësoi?
Më 25 iu dha dënimi. I thanë a kërkon falje, ai tha ‘nuk kërkoj falje nga partia, dua mëshirë vetëm për mbesën time, që e lë vetëm në këtë jetë’. E kam dëgjuar se gjyqi bëhej publik në kinema “Republika”. U dha afati për apel, 15 ditë. Me ndihmën e Dom Marin Shkurtit, shkuam në Tiranë te familja e Bumçëve. Një natë fjetëm aty dhe të nesërmen më çuan deri te Komiteti Qendror. Kam shkuar aty dhe kam kërkuar të takohem me Enver Hoxhën. Më thanë jo, nuk bëhet fjalë, por shko tako sekretaren e Haxhi Lleshit. Shkoj e futem ku më thonë, aty gjej Nexhmije Hoxhën.
U ula aty dhe ma tha, “eja xhan, çfarë ke, fol”. I thashë jam mbesa e Dom Dedë Malajt, kam ardhur të kërkoj t’i falet jeta. “Pse kërkon t’i falet jeta? Ai është armik i popullit. Është tradhtar”. I thashë se s’kam asnjë njeri tjetër në këtë jetë. Ajo tha, “mirë moj xhan, ik se do të të kthejmë përgjigje”. Pas 4-5 ditësh më erdhi përgjigja: “Te refuzohet lutja”. Më 12 maj 1959 doli edhe gazeta që është pushkatuar Dom Dedë Malaj.
– Ai nuk ka lënë asgjë të shkruar?
Jo, unë nuk di gjë. Edhe po të ketë lënë, kush na i ka dhene ne? Edhe fotografitë mezi i kam ruajtur disa, pasi i ka marrë hetuesia.
– Ku u pushkatua ai?
Ai u pushkatua në një zonë që edhe sot njihet si Livadhi i Priftit. Këtë e mësuam në punë, ndërsa fshatarët e Shtojit thoshin se në orën 03:30 të natës më 12 maj është pushkatuar Dom Dedë Malaj, në livadhet e Shkodrës. Që atëherë e fiksova vendin.
– Si i gjetët eshtrat?
Shkuam në livadhet e Shkodrës e gjetëm një njeri që kishte ruajtur varrin. Në fillim, e kishin varrosur bashkë me dy të tjerë në një varr të cekët. Lopët kishin shkuar tek era e gjakut dhe çobani kish parë veladonin e xhaxhait. Atëherë kish hapur një varr më të thellë për ta, gjë që bëri që ai të shkonte në burg. Më pas, shteti kish vënë roje që të ruante varrin në mënyrë që familjarët të mos merrnin trupat. Ne e gjetëm këtë rojë dhe ai na tha se ku ishte varri. Ishte një gjë e madhe për mua gjetja e eshtrave, si ta kisha ngjallur.
– Ku i çuat eshtrat?
I çova te fretnit dhe më pas e kemi çuar në Dajç. Atje e varrosëm me ceremoni. Para dy muajsh eshtrat e tij janë çuar në Romë. Kur të kthehen, të jenë në kishë. (Gazeta Shqiptare)