Nga Armand Shkullaku
Krijimi i partisë së re të Ben Blushit, Libra, është kritikuar fort nga PS si krijesë e PD-së. Shkullaku shkruan se kjo gjuhë është reminishencë e partive komuniste dhe e sjelljeve më të këqija të politikës iliberale.
Një akt i thjeshtë dhe i pritshëm politik, shpallja nga Ben Blushi e projektit të tij “Libra”, ka nxjerrë në pah edhe njëherë falsitetin e Rilindjes dhe gjendjen dëshpëruese në të cilën jemi kurthuar.
Edi Rama, nëpërmjet Taulant Ballës, e cilësoi partinë e Blushit “një pjellë të Partisë Demokratike”. Një gjuhë padyshim e shpifur, urrejtëse, e ulët, por që nuk është shqetësuese vetëm për këtë. Ajo që është tronditëse kur e mendon, ka të bëjë me faktin se edhe pas 26 vitesh pluralizëm dhe shoqërie të hapur, pas çerek shekulli kontaktesh dhe marrëdhëniesh me botën e qytetëruar, përsëri përdoren metodat dhe komunikimi primitiv, diversioni pervers, akuzat për shitje tek armiku (i brendshëm ose i jashtëm) dhe goditjet bizantine ndaj kundërshtarit.
Do të ishte normale, në vitin, shekullin, kohën që jetojmë, që edhe kundërshtari të përshëndetet, për më tepër ai, bashkë me të cilin ke bërë një copë rrugë goxha të gjatë dhe të vështirë. Por edhe në mos të përshëndetet, të paktën të mos sulmohet. Por edhe nëse sulmohet, të paktën kjo të bëhet me argumente, me retorikë moderne, me mendësi të qytetëruar.
Sjellja ndaj rastit Blushi është dëshmi e gjendjes gati të pashpresë për të dalë nga mentaliteti totalitar dhe primitiv që, izolimi, komunizmi dhe lufta për pushtet, e kanë rrënjosur aq thellë sa edhe ata që nuk e kanë përjetuar sillen njësoj si pionierët apo heronjtë e gjallë të Enverit. Me të njëjtën logjikë e përjetojnë dhe përballen me kundërshtarin brenda llojit, me atë që mendon e vepron ndryshe, me atë që zgjedh një rrugë tjetër, me atë që refuzon të mendojë si ata apo si shumica. Sepse besojnë se partia është e tyre e për rrjedhojë Shqipëria është vetëm e tyre, që kush del kundër partisë është armik i popullit, që kush rrezikon pushtetin e tyre është tradhtar, agjent, pjellë e të keqes apo pjesë e të keqes.
Të dëgjosh në vitin 2016 të njëjtën retorikë të pjellës së borgjezisë, imperializmit, revizionizmit që përdorej për armikun e klasës, apo atë të pjellës së Ramiz Alisë, kriptokomunistëve etj., që përdorej për armikun e partisë në fillim të viteve ’90, padyshim është një dramë dhe situatë dëshpëruese.
Është dëshpëruese të dëgjosh Edi Ramën apo Taulantin, që pretendojnë Rilindje, qasje moderne në politikë, metoda europiane dhe modele perëndimore, të përdorin klishetë primitive të “pjellës” së kundërshtarit, tradhtarit, agjentit apo të fyejnë deri edhe gratë që nuk mendojnë si ata e zgjedhin një rrugë tjetër (diçka normale në një demokraci).
Si ka mundësi që një qasje e tillë totalitare ndaj të ndryshmit, të mbizotërojë ende, edhe pas çerek shekulli pluralizëm? Ndoshta te ne demokracia dhe liria e mendimit mbeten ende fasadë, një arritje sipërfaqësore, që është e cenueshme sa herë preket pushteti dhe interesi i më të fortit. Të atij që partinë apo grupin e vet e njëson me Shqipërinë, jo si patriot por si sundimtar. Që e konsideron pushtetin një trofe dhe vendin një pronë, që e ka fituar në betejë dhe ka të drejtë ta plaçkitë pa u shqetësuar nga të tjerët. Ata ose duhet të nënshtrohen ose përndryshe janë armiq, fronti i së keqes, kazani, përsheshi, pjella, moçali. Dhe si të tillë duhen luftuar, demaskuar, goditur, denigruar. E për këtë, ashtu si dikur, pushtetit nuk i mungojnë ushtarët trutharë, levat dhe organet e propagandës që shërbimin për një kockë e kanë profesion të vjetër.
Mjafton një provë si ajo e Libra-s së Ben Blushit për ta hedhur në erë fasadën e lyer të Rilindjes. Për t’i bërë nul strategjitë moderne të Alistair Campbell, këshillat e Tony-t, shfaqjet e Fressh Voice, kollaret e Ramës dhe kostumet e Taulantit. Ato nuk vlejnë asgjë përballë shembullit të gjallë që u jepet çdo ditë të rinjve që duan të hyjnë në politikë. Bindja e verbër, servilizmi, nënshtrimi, shërbimi, devotshmëria ndaj liderit dhe partisë janë vlerat për të ecur përpara. Mendimi i lirë, dija, shpirti kundërshtues, debati, janë vlera që duhen harruar.
Prandaj mendësia totalitare nuk mund të vdesë në këto troje. Prandaj ato nxjerrin dhe rrisin pa mbarim taulantë të partisë. Prandaj është aq e vështirë të lindin dhe rriten forca të reja. Prandaj kemi të rinj të plakur në politikë. Prandaj kemi ende një parti- shtet, të ndarë në dy forca politike./mapo