Nga Gjergji Koja
Sot është 30 vjetori i lëvizjes studentore, që shënoi edhe fillimin e fundit të sistemit më të egër diktatorial të pasluftës së Dytë Botërore në Europë.
30 vjet nga 8 dhjetori 1990, lëvizja uragan që nisi nga studentët, u morr nën kontroll nga një grupim intelektualësh dhe përfundoi me vendosjen e pluralizmit në një vend që nga 1945 kishte njohur vetëm 1 parti, PKSH e shndërruar në PPSH dhe më pas në PS.
Për 8 dhjetorin dhe ditët që pasuan është folur shumë, janë rrëfyer detaje, është përdorur dhe keqpërdorur, kanë fituar kapital politik dhe vijojnë të fitojnë, janë shpërndarë dekorata dhe tituj, është trajtuar si një festë, si një datë e shënuar në kalendarin e pushimeve.
Por simbolika e 8 dhjetorit gjithmonë është munduar të mbahet në një nivel të ulët, pavarësisht se përgjatë 30 viteve kurrë nuk u arrit të krijohej një lëvizje e ngjashme me të.
Ka patur revolucione, tubime, mitingje, demostrata, por asnjë prej tyre nuk iu afrua 8 dhjetorit, mbrëmjes kur nisi lëvizja, e cila më pas u kthye në uraganin mbarëpopullor.
8 dhjetori i 1990 ndoshta është ngjarja më e rëndësishme në historinë e pluralizmit shqiptar edhe pse me kalimin e viteve u kthye në një datë studentësh dhe sot kujtohet si e tillë. Të tjera data iu bashkangjitën, u bënë edhe më të rëndësishme, jo se ishin të tilla, por kaluan renditjen për shkak të interesave momentale qoftë të politikës, qoftë të protagonistëve.
Zhvillimet e 30 viteve më parë ishin aq të vrullshme, sa realisht mori kuptim shprehja atë që sjell minuti, nuk e sjell moti apo viti. Ngjarje të ngjeshura, tensione, takime, brohoritje, entuziazëm, frikë, që të gjitha sollën një zhvillim të madh: rrëzimin e murit, perdes së hekurt dhe diktaturës.
8 dhjetori ´90 ishte fillesa e çdo ngjarjeje të mëvonshme në politikën shqiptare, duke vijuar me krijimin e partisë së parë opozitare, Partisë Demokratike, mes 11-12 dhjetorit, dhe pranimin e pluralizmit polkitik në vend.
Thirrja që ushtonte ishte: t’a bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. Një thirrje shprese, një ëndërr e bukur. Ndoshta është e vetmja thirrje që mbeti një ëndërr, mes shumë prej atyre kërkesave, që përmes megafonëve që shëtisnin nga një dorë në tjetrën artikuloheshin.
Sot 30 vjet më pas sërisht thuhet “ t’a bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa”, por ajo s´ka forcën e momentit kur lindi. Ata që në 1990 ishin 20 apo 25 vjeçarë, sot janë rreth të 50-55 vjeç dhe në sytë e tyre mund të kalojnë si një film ato zhvillime të vrullshme, të flasin me nostalgji, të pranojnë se si ëndrra mbeti thjesht e tillë dhe që askush nuk merr stafetën për t´a realizuar.
Një rrugëtim i gjatë me shumë pengesa, me ecje përpara dhe kthime pas, me kohë shumë të gjatë stanjacioni, me individë që rrëmbyen çdo meritë dhe i shndërruan në pushtet personal.
Ndoshta 30 vjet nuk janë shumë në historinë e një vendi, një populli e një kombi, por janë tmerrësisht shumë në jetën e individëve, të atyre që dikur ishin studentë apo pedagogë të rinj që përçonin frymë, ndërsa sot janë në prag të moshës së pensionit, baballarë që luftojnë çdo ditë për të rritur fëmijët e tyre, apo gjyshër që kujtojnë me nostalgji rrugët e ngushta që të çonin te Qyteti Studenti.
Një pjesë të zhgënjyer, jo për atë që bënë, por për atë që nuk arritën të çonin deri në fund, realizimin e një ëndrre. Ata e nisën, të tjerë e morën në duar dhe ëndrra kaloi dorë pas dore, përfshi këtu edhe ato duar që kurrë se kishin ëndërruar një gjë të tillë.
Të paktën sot i duhet thënë faleminderit atyre që në 8 dhjetor 1990 morën përsipër të zgjonin nga gjumi një popull, të krijonin uraganin dhe të përmbysnin një sistem. Këtë e realizuan, madje më mirë se kushdo tjetër që tentoi qoftë edhe formalisht të krijonte një Dhjetor të dytë, të tretë apo të katërt.
Sot jemi përballë një situate të ngjashme me atë të Dhjetor ´90. Jo se është kthyer pas koha, por se ndodhemi sërisht përballë një kaste politike që nuk hap rrugë, që shkel me ose pa ligj çdo të drejtë dhe liri dhe që të dënon sërisht sërisht në emër të popullit, por tashmë të ndarë: në atë të pushtetit dhe të opozitës.
Ëndrra vazhdon, pavarësisht se sot mungojnë ata që 30 vjet më parë frymëzuan një popull dhe janë shtuar me shumicë të tjerë që me ose pa ndërgjegje thyen shpresat dhe shtuan zhgënjimin.