Nga Ndriçim Kulla
Dekorimi nga ana e Presidentit Nishani i 67 anëtarëve të një formacioni luftarak të Ballit Kombëtar të pushkatuar nga komunistët në tetor 1943, në zonën e Lushnjës, hapi një polemikë të madhe, të panevojshme. Presidentit Nishani i erdhën kritika të ashpra deri në fyerje për këtë akt të tij, dhe këto erdhën jo rastësisht nga njerëzit që i përkasin atij krahu që i ka kundërshtuar të gjitha vendimet institucionale të institucionit të Presidentit të Republikës, në periudhën “Nishani”. Më poshtë do të shpjegoj se përse kjo gjë i bën nder z. Nishani.
Akuza kryesore ndaj Presidentit ishte se ai dekoroi kolaboracionistët e pushtuesve të huaj të vendit. Por a ishin kolaboracionistë të pushkatuarit e 21 tetorit 1943 në Lushnjë? Mjafton që t’i hedhim një sy librit të Enver Hoxhës “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë” dhe shikojmë se në këtë periudhë, deri në javën e parë të nëntorit 1943, Gjenerali anglez Deivis bënte negociata midis komunistëve dhe ballistëve që të rilidhej mes tyre një marrëveshje si ajo e Mukjes e pak kohëve më parë, të cilën e kishin hedhur poshtë komunistët. Aleatët anglo-amerikanë donin që të dyja palët, komunistët dhe ballistët të luftonin bashkërisht kundër gjermanëve.
Gjenerali Deivis, në kujtimet e tij, të botuar edhe në shqip, i përshkruan me hollësi këto negociata dhe na jep qëndrimet e të dyja palëve, komunistëve dhe ballistëve. Enver Hoxha e kundërshtonte marrëveshjen duke i thënë se ballistët nuk do ta mbanin fjalën për të luftuar kundër gjermanëve. Mit’hat Frashëri ankohej se komunistët do të luftonin më shumë kundër ballistëve se kundër gjermanëve, pasi synonin të eliminonin rivalët politikë për pushtet. Gjenerali Deivis kërkonte që të arrihej marrëveshja dhe pastaj ai do të denonconte atë palë që do ta shkelte. Gjenerali anglez thotë në kujtimet e tij se komunistët kishin frikë se mos kjo marrëveshje, ashtu si ajo e Mukjes të cilën e kishin hedhur poshtë më parë, do t’i detyronte që të ndanin pushtetin me ballistët pas luftës. Ballistët, në anën tjetër kishin frikë se anglezët do të mbyllnin sytë para masakrave që komunistët bënin ndaj tyre (ballistëve) që të mund të ruhej marrëveshja.
Komunistët donin që të ishin ballistët ata që do të bëheshin fajtorë për prishjen e marrëveshjes prandaj në tetor bënë ndaj tyre masakrën e Lushnjës. Në Matjan të Lushnjës ku ndodhi ngjarja, ballistët nuk ishin së bashku me gjermanët. Librat e historisë së kohës së regjimit komunist në Shqipëri nuk e pretendojnë këtë gjë. Këta ballistë lushnjarë ishin në pritje të një marrëveshjeje të re si ajo e Mukjes, me ndërmjetësinë e anglezëve. Nuk ishin këta ballistë të cilët sulmuan partizanët, kjo gjë nuk është pretenduar kurrë. Nuk është thënë që këta ballistë të kishin vrarë ndonjë komunist apo partizan.
Sipas historikut të Brigadës së parë Sulmuese që bëri këtë aksion, ishte kjo brigadë partizane që rrethoi fshatin Matjan dhe e sulmoi këtë grup të Ballit Kombëtar. Në Matjan ishin mbi 400 ballistë dhe ata nuk bënë rezistencë, jo se ishin frikacakë, siç është thënë nga kundërshtarët e tyre, por se nuk donin vëllavrasje. Këta 67 ballistë u pushkatuan pasi u dorëzuan te partizanët. Krimi ndaj tyre është i dyfishtë, e para se u vranë njerëz të cilët nuk ishin duke bashkëpunuar me pushtuesit, e dyta sepse ata në çastin që u dorëzuan quheshin robër lufte. Për asnjë nga të pushkatuarit nuk është thënë në librat e historisë së kohës të komunizmit se ishte përgjegjës për vrasjen e ndonjë partizani. Në këtë luftë nuk u vra asnjë gjerman, sepse me këta ballistë nuk kishte gjermanë, pasi ata nuk ishin bashkëpunëtorë të gjermanëve. Mehmet Shehu u kritikua ashpër për këtë masakër nga vetë udhëheqja komuniste, që në kohën e luftës dhe më pas kur u shpall armik i regjimit komunist, kjo masakër iu quajt një nga fajet e tij të mëdha të kohës së luftës.
Nëse do të ishte rilidhur marrëveshja e shkelur e Mukjes këta ballistë do të kishin luftuar krah për krah partizanëve kundër pushtuesve, për një Shqipëri të lirë, demokratike, të hapur ndaj botës. Por një Shqipëri të tillë nuk e donte Enver Hoxha dhe emisarët komunistë jugosllavë të cilët e kontrollonin atë. Që të mos kishte rikthim të marrëveshjes së Mukjes, duhej që të derdhej gjak. Ngjarja e Lushnjës ishte e disata masakër që komunistët bënin ndaj ballistëve që nga gushti i vitit 1943, pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes nga ana e komunistëve.
Komunistët shqiptarë kanë merita në Luftën Nacionalçlirimtare, kjo është e pamohueshme. Presidenti Nishani i ka nderuar për kontributin e tyre antifashist siç ndodhi para disa javëve kur ishte në Drashovicë të Vlorës. Por Presidenti aktual është i të gjithë popullit dhe kështu duhet të jetë çdo president dhe ka detyrim kushtetues të simbolizojë unitetin e popullit. Presidenti i Republikës si institucion ka detyrim që të respektojë dhe të nderojë, sipas kompetencave kushtetuese që ka, edhe të rënët e palës tjetër, që u vranë se donin atë Shqipëri që e ëndërronin të gjithë.
Ata që shajnë Presidentin e Republikës për dekorimin e këtyre 67 ballistëve duhet t’i përgjigjen një pyetjeje: Meqenëse me ata që i pushkatuan këta ballistë e ka zgjidhur problemin vetë Enver Hoxha, duke i quajtur kriminelë, si duhet t’ i quajmë këta ballistë që u pushkatuan? Meqenëse nuk i quajmë dot kolaboracionistë të pushtuesve, pasi me ta nuk kishte dhe nuk u vra asnjë pushtues i huaj? Këta ballistë, njerëz të thjeshtë morën armët në dorë dhe donin të luftonin bashkërisht me shqiptarët e tjerë pa dallim ideje, për çlirimin e vendit nga pushtuesit? Prandaj ata meritojnë të quhen me titullin që ka gjetur për ta Presidenti Nishani, si “martirë të demokracisë”. Sepse demokracia do të kishte ardhur në Shqipëri që në 1944 në qoftë se do të ishte rilidhur marrëveshja e Mukjes dhe ballistët e partizanët do të ishin shokë të luftës çlirimtare.
*publicist dhe studiues