Në emisionin “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili, tema për emigracionin solli jo pak debat mes deputetes demokrate Albana Vokshi dhe aktivistes Dalina Fico.
Vokshi u shpreh se shqiptarët po emigrojnë pasi nuk kanë asnjë perspektivë në atdhe për punësim apo shkollim. Deputetja demokrate foli edhe për rastin e vdekjes së 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj i cili humbi jetën në Landfillin e Sharrës për shkak të mungesës së kushteve teknike dhe shkeljes së Kodit të Punës.
“Asnjë nuk ka folur për Arditin i cili humbi jetën teksa punonte turni i tretë në landifillin e Sharrës, për të siguruar librat për shkollim. Askush nuk ka folur për gratë pa kontrata, pa tualete, pa sigurime shoqërore dhe pa standarde.”– u shpreh Vokshi.
Por aktivistja Fico u vetëmbrojt duke i kërkuar deputetes Vokshi se përse qeveria e shkuara nuk ka kërkuar falje për ngjarjen e Gërdecit në vitin 2008. “Kërko falje për Gërdecin” iu drejtua Fico, deputetes së PD.
Por Vokshi iu përgjigj se ndjesa është bërë nga ish kryeministri Sali Berisha dhe se ngjarjet e shkuara nuk mund të zbehin ato aktualet.
“Po të jesh gruaja e dikujt si dhe të kesh një institut në SHBA, normalisht kështu do flasësh”– ironizoi Vokshi, bashkëshorten e Ministrit Çuçi, Dalina Ficon.