Presidenti Ilir Meta kritikoi ashpër qeverinë, teksa tha se po tenton të kapë të gjitha institucionet.
I ftuar në forumin “Biseda për tranzicionin”, nën moderimin e Prof.Asoc.Dr. Belina Budini e cila është Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane dhe Drejtuese e Departamentit të Humaniteteve dhe Komunikimit në UET, Kreu i Shtetit tha se Shqipëria ndodhet në një situatë ku parlamenti është njëpartiak, qeveria kontrollon parlamentin dhe parlamenti miraton ligje në shkelje të Kushtetutës.
“Jemi në një situatë ku kemi një parlament njëpartiak, një qeveri që kontrollon parlamentin dhe një parlament që miraton ligje preferenciale, jashtë çdo standardi kushtetues, madje në shkelje të Kushtetutës dhe në cenim të interesit publik. Unë jam presidenti në situatën më të vështirë që ka pasur Shqipëria. Që nga viti 2008, kur u bënë ndryshimet skandaloze në Kushtetutë e në vazhdimësi, qëllimisht janë dobësuar themelet e shtetit të së drejtës. Unë kam bërë gjithmonë çdo gjë për të shmangur konflikte, jo për t’i bërë ato. Marrim rastin e Reformës në Drejtësi, e cila u bë vetëm me insistimin tim të jashtëzakonshëm. Shumë aktorë të tjerë politikë bënin lojëra për ta bllokuar. Po ashtu, Gjykata Kushtetuese, kam kërkuar prej kohësh që të mos arrihet këtu. U bënë katër vite pa Gjykatë Kushtetuese dhe kjo i intereson vetëm sjelljes arbitrare të qeverisë për të qenë e pakontrolluar. Qëllimi ka qenë dhe mbetet një, kapja e Gjykatës Kushtetuese.
Ka një përpjekje të qeverisë për të kapur Gjykatën e Lartë, dhe përmes saj edhe 1/3 e Gjykatës Kushtetuese, me vendimin për të hequr betimin e gjyqtarëve te Presidenti. Më tej, u hodh në erë Teatri Kombëtar. Cfarë urgjence kishte? Aq më tepër, kur Kuvendi ishte në gjendje të jashtëzakonshme. Pse? Sepse ka një vullnet për të krijuar një konflikt artificial dhe për të kapur institucionet më tej. Presidenti ka qenë dhe është gjithmonë në anën e duhur. Presidenti ndonjëherë rrit tonet, kur institucionet nuk funksionojnë. Unë e thërras popullin më 2 mars për t’i thënë se problemi është për ta”, deklaroi Kreu i Shtetit.