Nga Boldnews.al
Me akuzën “vrasje nga pakujdesia” për disa pronarë hotelesh dhe “shpërdorim detyre” për një dyzinë zyrtarësh, Prokuroria e Durrësit i dha fund pjesës së parë të hetimit mbi pasojat tragjike të tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Pas thuajse një vit hetimesh, prokurorët e çështjes, Edmond Koloshi, Pali Deçolli dhe Madrid Kullolli, kërkojnë gjykimin për biznesmenë dhe ish-funksionarë publikë, të cilët konsiderohen përgjegjës për humbjen e jetës së një numri të konsiderueshëm personash nën rrënojat e disa godinave në qytetin bregdetar.
“Boldnews.al” ka siguruar dosjen e plotë të Prokurorisë së Durrësit, në të cilën evidentohen përgjegjësitë e 16 personave.
Ndërtuesit
Ramiz Shehu- Një nga episodet më tronditëse të tërmetit tragjik të 26 Nëntorit 2019 ishte vdekja e 8 pjesëtarëve të familjes Lala, të cilët u zunë poshtë banesës së tyre 4-katëshe në ish-Kënetën e Durrësit.
Nën gërmadha u gjendën pa jetë Marjeta Lala, Amelja Lala, Emilio Lala, Enis Lala, Dionisa Lala, Sehadete Lala, Ilir Lala dhe Grisilda Lala.
Për këtë episod, Prokuroria e Durrësit ka identifikuar si person përgjegjës shtetasin Ramiz Shehu. Ky i fundit ishte pajtuar nga familja Lala për të ndërtuar godinën e tyre të banimit.
Shehu, siç rezultoi nga hetimi, nuk kishte përvojën e duhur për ndërtime, si edhe nuk ka respektuar kriteret teknike në ngritjen e banesës së familjes Lala.
Ramiz Shehu akuzohet tashmë për “vrasje nga pakujdesia” 8 herë.
Nevjana Isufi – Ekspertja Isufi akuzohet për veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave”, lidhur me episodin në familjen Lala.
Nga hetimi i Prokurorisë së Durrësit rezultoi se ajo ka falsifikuar “plan rilevimin” e godinës së familjes Lala.
Për këtë godinë, hetimi identifikoi një dosje legalizimi pranë ALUIZNI-t të Durrësit. Ndër të tjera, në dosje gjendej edhe “plan rilevimi”, me emrin e inxhinierit Vasil Gjoni. Ky i fundit, i pyetur nga prokurorët, ka mohuar që të ketë nënshkruar atë dokument.
Në vijim, sipas Prokurorisë, u konstatua se ekspertja Nevjan Isufi, ka falsifikuar dokumentin, me qëllim plotësimin e dokumentave standarte për regjistrimin e godinës së familjes Lala.
Abdulla Osmani ishte pronar i hotel “Tropikal”, ku mbetën të vdekur dy vëllezër nga Kosova, Shemsedin Abazi dhe Isah Abazi), si dhe kanë pësuar dëmtime të rënda ai vetë dhe bashkëshortja e tij.
Nga hetimet e Prokurorisë së Durrësit rezulton se Abdulla Osmani, pavarësisht se po ndërtonte një objekt pesë katësh+papafingo me funksion social ekonomik “Hotel”, në kundërshtim me ligjin nuk ka pajtuar asnjë specialist të fushës së projektimit dhe ndërtimit me qëllim kryerjen e studimit gjeologjik, sizmik dhe më pas hartimin e projektit konstruktiv të objektit.
Po kështu, thuhet në dosjen hetimore, edhe gjatë zbatimit të punimeve nuk është mbajtur asnjë lloj dokumentacioni për cilësinë e materialeve të ndërtimit, cilësinë e punimeve…akt kolaudimi apo ekspertimi teknik, etj).
Abdullah Osmani akuzohet për “Vrasje nga pakujdesia” 2 herë.
Ruzhdi Xheka, pronar i hotel “Mira Mare”, nga shembja e të cilit vdiqën dy persona, Sotiraq Misha dhe Evjola Broshka
Sipas Prokurorisë së Durrësit, shtetasi Rruzhdi Xheka, pavarësisht se po ndërtonte një objekt ndërtimor pesë katësh me funksion social ekonomik “Hotel”, në kundërshtim me ligjin, nuk ka pajtuar asnjë specialist të fushës së projektimit dhe ndërtimit.
Po kështu, edhe gjatë zbatimit të punimeve nuk është mbajtur asnjë lloj dokumentacioni për cilësinë e materialeve të ndërtimit, cilësinë e punimeve, etj.
Ruzhdi Xheka akuzohet për “Vrasje nga pakujdesia” 2 herë
Dëshira Qato, pronare e hotel “Vila Palma”, ku humbi jetën shtetasi Sadik Qato (vjehrri i saj).
Edhe në këtë rast, Prokuroria e Durrësit ka konstatuar se Qato, pavarësisht se po ndërtonte një objekt ndërtimor 4+1 kate + bodrum fillimisht me leje ndërtimi dhe më pas një shtesë 2+1 kate pa leje, me funksion social-ekonomik “Hotel”, në kundërshtim me ligjin nuk ka pajtuar asnjë specialist të fushës së projektimit konstruktiv dhe ndërtimit.
Po kështu, edhe gjatë zbatimit të punimeve nuk është mbajtur asnjë lloj dokumentacioni për cilësinë e materialeve të ndërtimit, cilësinë e punimeve etj.
Dëshira Qato akuzohet për “Vrasje nga pakujdesia”
Arben Qato, bashkëshort i Dëshira Qato, ekspert. Ai ka kryer ekspertizën për kolaudimin e godinës së hotel “Vila Palma”.
Prokuroria deklaron se Arben Qato ka hartuar një Akt Ekspertimi Teknik, në të cilin konstatohen ka mjaft mospërputhje me ato që vetë autori citon në paragrafë të ndryshëm dhe nuk ka aspak karakter teknik.
Sipas prokurorëve, Akti i Ekspertimit duket si një dokument i sajuar për të plotësuar dokumentacionin që kërkohej nga organet shtetërore për legalizim dhe nuk mund të merret në konsideratë për t’u bazuar për të nxjerrë vlerësime inxhinierike.
Arben Qato akuzohet për “Shpërdorim detyre”.
Artur Terziu – pronar i bar “Barons”, ku humbën jetën dy persona, Nafije Rexhepi dhe Zhuljeta Gjana
Sipas prokurorisë, Artur Terziu, deri në vitin 2016 ka kryer në mënyrë të kundraligjshme ndërtimin pa leje të shtesës prej 26m2 si dhe përshtatjen e apartamentit të banimit në lokal për shërbime “Bar Kafe”, në kundërshtim me kërkesat e ligjit.
Gjithashtu, nga ana e shtetasit Artur Terziu në kërkesën për përfshirje në legalizim të shtesës së ndërtimit datë 28.04.2016 është dërguar si pjesë e dokumentacionit tekniko-ligjor edhe një dokument i falsifikuar i parregullt në përmbajtje dhe në formë, i cili titullohet “Akt ekspertimi” datë 09.05.2016-12.05.2016 me nënshkrimin në emër të ing.Defrim Celami.
Artur Terziu akuzohet për “Ndërtim të paligjshëm” dhe “falsifikim dokumentash”
Zyrtarët
Krahas ndërtuesve, Prokuroria ka dërguar për gjykim, nën akuzën e ‘Shpërdorimit të detyrës”, edhe disa ish-zyrtarë të ALUIZNI-t, Kadastrës dhe Inspektoratit Ndërtimor të qytetit të Durrësit.
Arben Isaku, në cilësinë e drejtorit të ALUIZNI-t Durrës, ka miratuar legalizimin e objektit 5-kate të Hotel Mira Mare”, ku vdiqën 2 persona, pa plotësuar më parë kushtet tekniko-ligjore ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin nr.9482 datë 03.04.2006 i ndryshuar “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”.
Aldo Dakoveli, në cilësinë e përgjegjësit të Zyrës së ALUIZNI-t, Durrës, ka konfirmuar praktikën për legalizim të Hotel “Mira Mare”, pa u plotësuar më parë kushtet tekniko-ligjore ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin
Klajdi Lame, në cilësinë e Inspektorit të Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Durrës, i ngarkuar për inspektimin e territorit në të cilin është kryer ndërtimi pa leje “Bar Barons”, nuk ka ndjekur konstatuar dhe ndaluar punimet për ndërtimin e paligjshëm të kryera nga shtetasi Artur Terziu, si pasojë e të cilave vdiqën dy persona.
Albrend Qetka, ka qenë specialist i matjeve në terren në zyrën e ALUIZNI-t në Durrës dhe ai është personi që ka kryer matjet në shtesën e kryer nga Artur Terziu në bar “Barons”, e cila, siç rezultoi, kishte probleme të theksuara ligjore dhe me pasojë në jetë njerëzish.
Flamur Gjuzi në cilësinë e Drejtorit të Zyrës së Aluizni-t Durrës nuk e ka trajtuar dhe shqyrtuar konform kërkesave ligjore dokumentacionin e paraqitur para tij për rastin e “Bar Barons”.
Sipas prokurorisë, Gjuzi, në kundërshtim me ligjin, ka urdhëruar legalizimin e objektit duke u mbështetur në të dhëna të parregullta në formë dhe në përmbajtje.
Skerdi Bello, punonjës në sektorin e legalizimeve pranë ALUIZNI Durrës, ka nënshkruar në vend të përgjegjësit të tij Vendimin e Kualifikimit për objektin e Artur Terziut.
Artenis Malko, punonjës në sektorin e legalizimeve pranë AUIZNI Durrës, ka hartuar skicat fushore, duke mos paraqitur të dhëna reale të objektit ku gjendej “Bar Barons” dhe konkretisht ato që kanë të bëjnë me distancën nga kufiri i rrugës.
Kujtim Hasa, me detyrë Shef i Shërbimeve pranë Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme, ka lejuar akomodimin e pedagogut të Akademisë së Rendit, Bajram Hajdarmetaj, në godinën nr.4 të kompleksit.
Ky ambjent ishte tërësisht i ndaluar për akomodim, për shkak të dëmtimeve që kishte pësuar nga tërmeti i Shtatorit 2019.
Në kundërshtim me këtë detyrim Kujtim Hasa ka lejuar akomodimin e pedagogut Hajdarmetaj, i cili mbeti i vdekur nga shembja e godinës si pasoja e tërmetit të mëngjesit të 26 nëntorit 2019.
Pallati i “Konomëve”, përgjegjësit të vdekur
Prokuroria e Durrësit ka kryer një seri hetimesh edhe për episodin tragjik, shembjen e atij që quhet “Pallati i Konomëve”, afër ish-Kryqit të Kuq, në lagjen nr.18 të qytetit.
Në rrënojat e kësaj godine u gjendën të pajetë shtetasit Eduart Reçi, Dolora Reçi, Kristi Reçi, Klaus Reçi, Rozeta Meçaj, Diena Karanxhaj dhe Esiela Karanxhaj.
Në përfundim të hetimeve, prokurorët konkluduan se përgjegjës për punimet jo-cilësore në këtë godinë, të ndërtuar në vitet 1993-1995 dhe të modifikuar disa kohë më vonë, janë shtetasit shtetasit Z. Xh, Sh.K dhe S.U.
Por, të tre këta persona nuk jetojnë dhe, për këtë arsye, hetimi u pushua.
Pushim hetimesh për dy persona
Krahas dërgimit në gjyq për 16 personat e mësipërm, Prokuroria e Durrësit ka kërkuar nga gjykata pushimin e çështjes për dy persona.
Ahmet Doda, drejtor i Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme, i hetuar për “Shpërdorim detyre” rezulton sipas prokurorisë së Durrësit se nuk mban përgjegjësi penale për vdekjen e pedagogut Bajram Hajdarmetaj.
Sipas hetimeve, përgjegjësia është e Shefi të Shërbimeve, Kujtim Hasa.
Dëfrim Celami, inxhinjer, është hetuar për “shpërdorim detyre” në rastin e “Bar Barons”. Hetimi provoi se ai nuk kishte përgjegjësi penale dhe nënshkrimi i tij ishte falsifikuar nga të pandehur të tjerë të kësaj dosjeje.