Analisti Agron Gjekmarkaj, i ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, i pyetur se çfarë mendon për akuzat ndaj Bashës, në kohën që lideri opozitar ishte hetues në Kosovë, deklaroi se duken qesharake dhe trille, të cilat bëhen në fushatë elektorale.
“Sa herë ndodh diçka në Kosovë, menjëherë ka akuza në Tiranë. Akuza ndaj Bashës më duket qesharake dhe e turpshme, nuk ka bazament, duket trill e fantazi. Shqipëria ka votuar rezolutë në Parlamentin Europian, ku lejonte që të hetohej.
Shqipëria, duke qenë palë me Kosovën, nëse nuk do të pranonte këtë rezolutë, binte në grackën e akuzave të Beogradit, ndërsa votimi do të thoshte se mund të hetonte EULEX-i. Kjo rezolutë është votuar nga të gjitha palët. Më duket politizim e gjitha, për fushatë elektorale. Edhe Komisioni i ngritur është diçka qesharake. Ramush Haradinaj është gjykuar dy herë dhe ka dalë i pafajshëm. Ne urojmë që ata që janë në Hagë, të dalin të pafajshëm”, tha Gjekmarkaj.
Agron Gjekmarkaj theksoi se me fitoren e Biden, situata e demokracisë në Kosovë mund të përmirësohet.
“Trump ka qenë më i ftohtë në zgjidhjen e problemeve brenda shteteve, ndërsa Biden duket se hap një derë të re, në raport me standardet demokratike të vendeve. Unë uroj që SHBA të vendosë në shina Kosovën drejt demokracisë.
Kosova është më e favorizuar, sepse Biden ka qenë një mbrojtës i flaktë i Kosovës, ka qenë një zë pro bombardimit të ish-Jugosllavisë së kohës. E shoh fitoren e Biden, si një mundësi për normalizimin e demokracisë së Kosovës dhe çuarjen e shtetit të Kosovës në marrëveshje finale me Serbinë”, u shpreh Gjekmarkaj.
I pyetur për pandeminë e koronavirusit, Gjekmarkaj vlerësoi se përhapja e Covid-19 po bëhet gjithnjë e më dramatike dhe se menaxhimi i dytë i virusit në vendin tonë lë shumë për të dëshiruar.
“Përdorimi politik i pandemisë është i natyrshëm, sepse ka 7 muaj që jetojmë me Covid-19. Debati politik është i rëndësishëm për këtë çështje, sepse ofron mundësi zgjidhjeje për problemin. Koronavirusi po merr përmasa dramatike. Nuk shoh edhe reagim të shoqërisë, për të qenë të kujdesshëm që virusi të mos përhapet.
Njerëzit të mësohen që të jetojnë me rrezik permanent. Menaxhimi i fazës së dytë lë shumë për të dëshiruar, sepse premtimet ishin të madhe, por shohim se ka ngadalësi të madhe në teste, ka numër të madh njerëzish që po sëmuren dhe marrin trajtim në shtëpi”, deklaroi Gjekmarkaj.
Po ashtu, Gjerkmarkaj vlerësoi se shqiptarët janë sot, përpos se nën pandeminë e koronavirusit, janë edhe në krizë ekonomike.
“Qeveria nuk iu është gjendur afër qytetarëve, pa folur për ekonominë, që po shkatërrohet përditë tek shqiptarët.
Njerëzit dynden tek privati për të marrë rezultatin e testeve, ku çmimi për një test është 120 mijë lekë të vjetra që janë shumë. Nuk ka decentralizim, pasi nuk janë përgatitur spitalet rajonale”, përmbylli Gjekmarkaj.