Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit të Shkodrës, Brahim Dragjoshi u përball të enjten me probleme të pasurisë në seancën dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Procesi i vetingut për prokurorin Dragjoshi po kryhet nga trupa gjyqësore e përbërë nga Valbona Sanxhaktari në cilësinë e kryesueses, Pamela Qirko relatore dhe Lulzim Hamitaj anëtar. Vëzhgues ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.
Brahim Dragjoshi ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe prej gati dy dekadash e ushtron funksionin e tij në Prokurorinë e Apelit të Shkodrës. Ai e drejtoi Prokurorinë e Apelit Shkodër në vitet 2010-2014 dhe u rikthye në këtë pozicion si i komanduar në vitin 2019.
Relatorja e çështjes, Pamela Qirko tha në fillim të seancës dëgjimore se hetimi administrativ për prokurorin Dragjoshi ishte përfunduar në të tri kriteret e rivlerësimit; për pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.
Megjithatë, problemi kryesor lidhet me ndërtimin e një shtëpie pa leje mbi një tokë shtetërore në Paskuqan të Tiranës.
Shtëpia pa leje
Komisioni konstatoi një sërë problemesh lidhur me banesën tre katëshe në Paskuqan, ndërtimi i së cilës kishte nisur në vitin 1996 dhe ishte legalizuar në vitin 2015. Sipas Qirkos, në deklaratën veting, Dragjoshi ka shënuar se kostoja e ndërtimit për këtë pasuri ishte afërsisht 7 milionë lekë, ndërsa në vitin 2004 në shumën 4 milionë lekë. Si burim krijimi në deklaratën veting Dragjoshi ka shënuar të ardhurat e përfituara nga shitja e një apartamenti në Kukës dhe nga pagat ndër vite.
Sipas dokumentacionit të dorëzuar në Komision prej ALUIZNI-t, trualli ku është ndërtuar banesa figuron pronë shtet. “Duket se zënia e truallit në vitin 1996 përbënte kundravajtje penale, ‘pushtimi i tokës’”, theksoi relatorja Qirko. Ajo shtoi se edhe ndërtimi pa leje, me ligjin e kohës përbënte kundravajtje administrative.
Komisioni konstaton pasaktësi dhe mospërputhje në deklarimin e sipërfaqes totale ndërtimore. Kjo, pasi në deklaratën veting është pasqyruar truall me sipërfaqe 514 m2 dhe sipërfaqe ndërtimi 63 m2, ndërsa në vitin 2008 ka deklaruar pranë ALUZNI-it ndërtesë me dy kate me sipërfaqe 110 m2 + gjysmë kati bodrum.
Sipas relatores, referuar dokumentacionit të administruar gjatë hetimit, ka rezultuar se sipërfaqja totale ndërtimore përbëhet nga bodrumi dhe kati përdhe me nga 63 m2 secili, kati i parë me sipërfaqe 81 m2 dhe kati i dytë i banimit 76 m2.
Mospërputhje janë konstatuar edhe lidhur me kohën e përfundimit të objektit pasi në deklaratën e vitit 2004 dhe pranë ALUIZNI-t në vitin 2008 ka shënuar vitin 2000 si kohën e mbarimit të punimeve, ndërkohë që në një deklarim tjetër ka shënuar vitin 1999.
Pasaktësi është gjetur edhe në deklarimin e burimit të krijimit të kësaj pasurie, pasi në deklaratën fillestare janë shënuar të ardhurat familjare, ndërsa në atë veting janë pasyqruar të ardhura nga shitja e një apartamenti në Kukës dhe pagat.
Qirko shpjegoi se për shkak të mungesës së dokumentacionit vërtetues për shpenzimet e punimeve dhe materialeve, është kryer vlerësimi sipas kostove mesatare në kohën kur është deklaruar se është ndërtuar objekti.
Kostoja e përllogaritur nga Komisioni, pasi është zbritur TVSH-ja për shkak të ndërtimit në mënyrë informale, ka rezultuar në vlerën 4 milion e 172 mijë lekë.
KPK nuk e ka përfshirë në analizë vlerën e përfituar nga shitja e apartamentit në Kukës, pasi ka rezultuar se subjekti ka deklaruar se ishte transferuar në shtëpinë e ndërtuar në Paskuqan në qershor të vitit 2000, disa muaj para aktit të shitjes.
Komisioni ka analizuar edhe mundësinë e subjektit për blerjen e apartamentit në Kukës në vitin 1997 për vlerën 970 mijë lekë. Nga analiza financiare e shtrirë në periudhën 1992-1997 ka rezultuar se të gjitha të ardhurat ishin në vlerën 935 mijë lekë dhe është konstatuar pamundësi financiare për kryerjen e këtij investimi.
Gjithashtu, KPK ka kryer analizë financiare edhe për mundësinë e familjes së prokurorit Dragjoshi për ndërtimin e shtëpisë në Paskuqan. Në analizë është përfshirë edhe shpenzimi për blerjen e një autoveture tip Benz në vitin 2000 për shumën 450 mijë lekë.
Nga analiza e kryer për periudhën maj 1992 – qershor 2000, ka rezultuar balancë negative në vlerën 5.8 milionë lekë.
Prokurori Brahim Dragjoshi foli shkurtimisht gjatë seancës dëgjimore.
“Nuk kam asnjë vërejte për relatimin, është e vërteta. E kam pranuar që kam bërë pasaktësi, nga ngarkesa,” tha Dragjoshi. Ai vijoi se gjithë punimet për ndërtimin e shtëpisë së tij ishin kryer nga familjarët dhe me pak kosto.
I pytetur nga anëtari i trupës Lulëzim Hamitaj, prokurori Dragjoshi deklaroi se me punën e kryer nga familjarët kishin kursyer rreth 80% të vlerës që do të kishte pasur nëse ndërtimi do të ishte kryer nga një subjekt i licensuar. Kur Hamitaj kërkoi shpjegime se përse kishte ndërtuar tre kate kur nuk kishte mundësi financiare, Dragjoshi tha se për shkak të lagështirës dhe gjendjes shëndetësore të fëmijëve, kishte vlerësuar t’i shkëpuste katet e banimit nga toka.
Dragjoshi mbajti qëndrim lidhur me konstatimin e KPK se kishte kryer kundravajtje penale në zënien e truallit. Ai tha se kishin ardhur fillimisht vëllezërit që e kishin blerë tokën nga dikush tjetër, pavarësisht mungesës së dokumentacionit.
“Edhe unë si pjesë e familjes kam ardhur më vonë dhe kam ndërtuar,” tha Dragjoshi. Ai shtoi se kishin pasur mbështetje edhe nga shteti, pasi u ishte mundësuar furnizimi me energji elektrike dhe ujë, si edhe ishte mundësuar legalizimi i ndërtimeve.
“E pranoj si fakt, por jo si kundravajte penale. Vetë shteti e ka stimuluar. Ne më parë ishim në tokë shtet dhe erdhëm në tokë shtet,” pohoi Dragjoshi.
Më pas ai u ndal në shitjen e shtëpisë në Kukës, ku pretendoi se atë e kishte përfituar me shkëmbimin e një banese në fshat dhe se në kontratën e vitit 2000, çmimi përfaqësonte vlerën e apartamentit në Kukës. “Veprimet ishin kryer shumë më herët, edhe pse rezultojnë në një date,” pohoi Dragjoshi.
I pyetur nga relatorja Qirko, Dragjoshi shpjegoi se shkëmbimi i apartamentit në Kukës me shtëpinë e tij në fshat ishte kryer që në vitin 1995, pavarësisht se nuk kishte dokumente për këtë veprim. Sipas Dragjoshit, vëllezërit kishin përfituar nga shteti një shtëpi të madhe në fshat që në vitet ’70, që pas viteve ’90 i kishte mbetur atij dhe nënës. Ai pretendoi se vëllezërit dhe ai u larguan nga shtëpia në fshat, pasi ish-pronarët e kërkonin dhe nuk mund të jetonin më aty.
Relatorja Qirko ndërhyri duke i kërkuar shpjegime se si ai nuk mund të jetonte më në shtëpinë në fshat pasi ia kërkonin të tjerët, ndërsa personi i cili kishte shkëmbyer me këtë objekt apartamentin në Kukës nuk kishte problem. “Ai kishte njohje,” u përgjigj shkurt Dragjoshi.
Në vijim të interesimit të Qirkos, Dragjoshi pranoi se në kohën e shkëmbimit ishte prokuror dhe se dakordësia kishte qenë deklarative.
Problemet për makinat
Komisioni ngre dyshime për vlerën e çmimit të një automjeti tip BMË X5 të blerë nga subjekti në vitin 2011. Nga hetimi ka rezultuar se shitësi e ka blerë mjetin për vlerën 5000 euro dhe ka paguar doganën afrësisht 300 mijë lekë. Pak ditë më vonë, këtë makinë e ka blerë prokurori Dragjoshi për vlerën 5000 euro.
Qirko e pyeti subjektin e rivlerësimit se si ishte e mundur që ai kishte arritur të blinte një mjet rreth 300 mijë lekë më pak nga sa i kishte kushtuar shitësit. Dragjoshi pranoi se fillimisht ishin dakordësuar që automjeti tip BMË X5 të blihej për vlerën 10 mijë euro, por pretendoi se kishte konstatuar defekte dhe e kishte blerë për 5000 euro. Nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi për blerjen e këtij mjeti.
Në vijim, relatorja evidentoi se një mjet i deklaruar prej subjektit nuk rezultonte të ishte shitur apo të ishte blerë. Prokurori Dragjoshi kishte deklaruar në vitin 2004 se i biri kishte blerë një autoveturë tip BMË dhe se e kishte shitur në vitin 2007. Sipas Komisionit, nga dokumentacioni i administruar rezultonte se ky mjet nuk kishte qenë ndonjëherë në pronësi të djalit të prokurorit Dragjoshi.
“Komisioni i kërkoi subjektit të rivlerësimit të depozitojë prova për blerjen dhe shitjen e këtij mjeti, por ai shpjegoi se kishte arritur të gjente vetëm targat,”, sqaroi relatorja Qirko dhe konstatoi se Dragjoshi kishte kryer deklarim të pasaktë në këtë rast.
Për një autoveturë tjetër tip Renault të blerë nga djali në vitin 2012, Dragjoshi ka deklaruar si burim krijimi shitjen për pjesë këmbimi të një mjeti tjetër tip Toyota për vlerën 2000 euro.
Komisioni konstaton se blerja e autoveturës tip Renault nuk është pasqyruar në deklaratën e vitit 2012. Gjitashtu, nuk është pasqyruar në deklaratën e vitit 2008 edhe blerja e mjetit tip Toyota nga djali i subjektit të rivlerësimit. Ndërkohë, Dragjoshi nuk ka arritur të depozitojë dokumente provuese për shitjen e mjetit tip Toyota.
Sipas relators Qirko, Dragjoshi ka shpjeguar se nuk e dinte që djali kishte përdorur automjetin tip Toyota pasi punonte në një pikë servisi dhe përdorte makina të ndryshme në atë periudhë. Por, nga verifikimi i sistemit TIMS ka rezultuar se prokurori Dragjoshi ka udhëtuar jashtë shtetit me automjetin tip Toyota në vitin 2007, kur kjo makinë ishte në pronësi të miqve të tij familjarë.
“Nga hetimi rezulton se subjekti i rivlerësimit e dinte se djali e kishte blerë automjetin tip Toyota tek miqtë e familjes,” pohoi Qirko dhe shtoi se mospasqyrimi i blerjes së këtij mjeti është konsideruar si mosdeklarim.
Nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi për blerjen e automjetit tip Renault në vitin 2012, pasi është konstatuar balancë negative në vlerën -232 mijë lekë.
Në seancë u evidentua mospasqyrimi në dekaratat periodike i dy autoveturave të blera nga e bija; një tip Opel për vlerën 1500 euro në vitin 2013 dhe një tip Lancia në vitin 2014 për 1000 euro. Komisioni ka gjetur se automjeti tip Lancia figuronte ende në emër të shitëses, pasi nuk ishte kryer kalimi i pronësisë. Nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi për blerjen e mjetit Lancia në vlerën 117 mijë lekë.
Dragjoshi i pranoi pasaktësitë dhe mosdeklarimet për automjetet dhe shtoi se gjatë deklarimeve më parë nuk pasqyroheshin pasuritë me vlerë më pak se 3000 euro.
I pyetur nga Hamitaj nëse kishte pretendime për analizën finanicare, Dragjoshi deklaroi se veprimet për shit-blerjet e automjeteve nuk ishin kryer në datat që pasqyrohen në dokumentacion.
Ai shtoi se fëmijët kishin pasur më shumë të ardhura nga ato të dokumentuara. “Kontratat e punësimit të tyre ka qenë për pagën minimale. Nuk e ngrinim dot zërin se të hiqnin nga puna,” pohoi Dragjoshi.
Prokurori Dragjoshi u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës. Për profesionalizmin u evidentuan raste të qëndrimeve të ndryshme të tij mes konkluzioneve përfundimtare dhe mosushtrimit të rekursit. Komisioni nuk i evidentoi në seancë gjetjet për 3 denoncimet e kryera nga publiku.
Në fund të seancës dëgjimore, prokurori Dragjoshi kërkoi konfirmimin në detyrë. Komisioni njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 16 nëntor, ora 11:00. /BIRN/