Po kërkoni ndonjë shenjë se çfarë drejtimi mund të marrë politika e jashtme e presidentit të zgjedhur amerikan, Joe Biden?
Provoni ta kujtoni kohën e katër vjetëve më parë, kur Biden ka punuar në Shtëpinë e Bardhë si nënpresident.
Janë rreth 4,000 emërime politike që çdo administratë e re duhet t’i bëjë, në politikën e jashtme dhe të tjera.
Biden, i cili ka shërbyer me dekada në Komitetin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë dhe e ka kryesuar atë me vite, ka në orbitën e tij njerëz nga koha e administratës së presidentit Barack Obama. Shumë nga ta kanë përvojë qeveritare dhe njohuri të dorës së parë.
Biden dhe ndihmësit e tij janë përpjekur ta bëjnë të qartë se, edhe pse shumë nga figurat e tij kryesore të politikës së jashtme pritet të jenë veteranë të administratës Obama, kjo nuk do të thotë thjesht një vazhdimësi e politikave të Obamës.
Rusia, Kina, Irani, NATO: të gjitha këto janë çështje që do të trajtohen ndryshe, dukshëm në disa raste.
Biden mund të përballet me pengesa nëse zgjedhjet e balotazhit në janar i lënë republikanët në kontroll të Senatit, i cili ka autoritetin kushtetues për të konfirmuar shumë pozicione të politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare.
Këta janë disa nga emrat që qarkullojnë për pozicionet më të rëndësishme të politikës së jashtme në administratën e ardhshme Biden:
Sekretari i Shtetit
Pozicioni i kryediplomatit amerikan është një nga më të rëndësishmit në kabinet.
Presidenti Donald Trump ka pasur dy të tillë.
I pari, Rex Tillerson, i cili është përplasur vazhdimisht me stilin qeverisës të Trumpit, është shkarkuar nga presidenti në mars të vitit 2018, pas pak më shumë se një viti në post. Drejtori i CIA-s, Mike Pompeo, e ka marrë më pas detyrën.
Tani, së paku dy senatorë demokratë duken të interesuar për këtë punë. Chris Coons aktualisht shërben në Komitetin e Senatit për Drejtësi dhe në Komitetin për Punë të Jashtme.
Muajin e kaluar, Coons ishte autor i një artikulli të gjatë në revistën Foreign Affairs, me titull “Një politikë e jashtme dypartiake është akoma e mundur”. Kjo është parë si përpjekje e tij për ta portretizuar veten si dikush që dëshiron të punojë me republikanët.
Senatori tjetër, Chris Murphy, aktualisht është anëtar i Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë. Ai po ashtu e ka portretizuar veten si person të gatshëm për bashkëpunim dhe si ligjvënës progresiv.
Murphy ka folur fuqishëm kundër Rusisë dhe në mbështetje të Ukrainës dhe vendeve të tjera të Evropës Lindore. Ai ishte bashkautor i një projekt-ligji për financimin e projekteve energjetike në Evropën Lindore, për të zvogëluar varësinë e rajonit nga nafta dhe gazi rus.
Emërimi i një senatori në pozicionin e sekretarit të Shtetit do të nënkuptonte ndoshta humbjen e një vendi demokrat në Senat, i cili aktualisht kontrollohet nga republikanët.
Kandidatët e tjerë përfshijnë Antony Blinken, i cili ka përvojë të gjatë në çështjet e jashtme të Uashingtonit. Ai ka shërbyer si anëtar stafi në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, nën presidentin Bill Clinton, në vitet 1990.
Nga viti 2009 deri më 2013, ai ka shërbyer si këshilltari kryesor i Bidenit për siguri kombëtare. Ai ka qenë po ashtu zyrtari numër dy në Departamentin e Shtetit, nën sekretaren Hillary Clinton, në vitet e saj të fundit. Dhe ka qenë një nga këshilltarët kryesorë gjatë fushatës presidenciale të Bidenit.
Në një forum të sigurisë në muajin gusht, Blinken ka thënë se administrata e ardhshme e Bidenit do të përballej me “mjedisin më sfidues dhe më kompleks të sigurisë në dekada”.
Nicholas Burns shihet po ashtu si kandidat i mundshëm. Tani profesor i Shkollës Kennedy në Harvard dhe këshilltar i jashtëm i fushatës së Bidenit, Burns ka shërbyer në Shtëpinë e Bardhë të presidentit demokrat, Bill Clintron, në vitet 1990. Por, ai ka shërbyer edhe në administratën e presidentit republikan, George Ë. Bush, si ambasador në NATO dhe zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit.
Në intervistat e fundit, Burns ka bërë thirrje për rindërtimin e marrëdhënieve SHBA-Evropë, që, sipas tij, janë në gjendjen më të keqe që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Sekretari i Mbrojtjes
Në vitet e kaluara, disa presidentë kanë zgjedhur për shef të Pentagonit një anëtar të partisë tjetër. Ëilliam Cohen, Robert Gates dhe Chuck Hagel kanë qenë republikanë që kanë shërbyer nën presidentë demokratë.
Sekretari i parë i Mbrojtjes i Trumpit, Jim Mattis, është konsideruar i pavarur, por më vonë është ndarë nga Trump, duke e kritikuar publikisht atë dhe duke e mbështetur Bidenin.
Michele Flournoy, e cila ka shërbyer si nënsekretare e Mbrojtjes për dy sekretarë të ndryshëm gjatë administratës Obama, shihet si kandidatja kryesore për udhëheqjen e Pentagonit. Ajo do të ishte gruaja e parë në atë pozitë.
Përpara se t’i bashkohej administratës Obama, ajo ka bashkëthemeluar një institut në Uashington, të quajtur Qendra për një Siguri të Re Amerikane.
Këshilltari për sigurinë kombëtare
I krijuar në fillim të Luftës së Ftohtë për të ndihmuar në koordinimin e çështjeve të huaja, ekonomike, të mbrojtjes dhe inteligjencës për presidencën, ndikimi i këtij posti padyshim se ka arritur kulmin nën Henry Kissingerin, i cili i ka shërbyer presidentit Richard Nixon në vitet 1970.
Trump ka pasur katër këshilltarë për sigurinë kombëtare. I fundit ishte Robert O’Brien.
Ambasadori në Kombet e Bashkuara
Fakti që ky post konsiderohet si pozitë e nivelit të lartë, i befason shpesh njerëzit. Por, është një pozitë diplomatike, që lehtë mund ta rivalizojë atë të sekretarit të Shtetit në dukshmëri. Gjatë luftës në Irak, më 2003, ambasadori John Negroponte ka shfrytëzuar pozicionin e tij, për të ndihmuar në ndërtimin e çështjes për pushtimin e Irakut nga SHBA-ja.
Ambasadorja e Obamës në Kombet e Bashkuara, Samantha Poëer, është konsideruar po ashtu si një nga ambasadorët më me ndikim, kryesisht për shkak të afërsisë me Obamën. Tani profesoreshë në Harvard, Poëer është edhe këshilltare e fushatës së Bidenit për politikë të jashtme. Disa vëzhgues spekulojnë se ajo mund të kthehet në qeveri. Është e paqartë nëse ajo do të donte të kthehej në Nju Jork si ambasadore e Kombeve të Bashkuara.
Drejtori i CIA-s
Pasi Mike Pompeo është larguar nga agjencia kryesore e inteligjencës amerikane për t’u bërë sekretar i Shtetit, Gina Haspel është zgjedhur drejtore e re.
Edhe pse Haspel mbështetet gjerësisht nga personeli i agjencisë dhe shumë të tjerë në komunitetin e inteligjencës, shumë demokratë dyshojnë në përfshirjen e saj në politikat e marrjes në pyetje, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Ato teknika konsiderohet se kanë qenë torturuese.
Për këtë arsye, shumë vëzhgues dyshojnë se administrata e Bidenit do ta mbajë në detyrë. /Radio Europa e Lire