Në një kohë kur kapacitetet spitalore në dy spitalet Covid janë ezauruar, dhe ai Covid 3 punon në mungesë mjekësh specialistë, ministria e Shëndetësisë gjen kohën që të publikojë në faqen e saj në rrjetet sociale, një operacion për lentet e syrit një të moshuari në qytetin e Durrësit.
Ky postim i Manastirliut, ka nxitur reagimin e ekspertit të shëndetit publik Erion Dasho, i cili shprehet se është e pabesueshme që në një kohë kur epidemia është ulur këmbëkryq në vend, ministrja të bëjë postime të tilla.
Dasho kujton faktin se qytetarët paguajnë 100 euro për kryerjen e tamponeve në privat, për shkak se strukturat spitalore nuk i bëjnë dhe kanë vonesa të shumta në nxjerrjen e përgjigjeve.
Postimi i Dashos:
E pabesueshme!!! Në kohën kur epidemia nga COVID ka marrë përmasa alarmuese, Ministrja e Shëndetësisë bën të tilla postime!!!
Operacioni i kataraktës hyn në ndërhyrjet aspak urgjente që në këto kushte mund të ishte planifikuar fare mirë në një periudhë më të qetë të epidemisë! Zonja ministre, kthehuni me këmbë në tokë!
Mijëra bashkëmoshatarë të Gjysh Sadullait (të cilit i uroj jetë të gjatë dhe shëndet të plotë) po testohen për COVID duke paguar nga xhepi 100 euro, po blejnë receta me vlerë qindra euro, po marrin oksigjen në shtëpi me vlerë mijëra euro!
Boll me propagandë dhe demagogji! Merrni masa për të mbrojtur shëndetin dhe jetën e qytetarëve tuaj!”, shkruan Dasho në postimin e tij në rrjetet sociale.