Votohet me shumicë votash marrëveshja e nënshkruar nga Qeveria shqiptare me kompaninë Gavi për blerjen e 1 milion e 140 mijë vaksinave për qytetarët shqiptarë, me një vlerë prej 3 milion e 990 mijë dollarë.
“Miratohet me të gjitha votat e të pranishmëve ky projektligj.
Relatorja të bëj gati projektligjin dhe ta bëjmë gati për seancën e të enjtes”, tha kryetari i Komisionit Ulsi Manja.
Tashmë, pritet që projektligji t’i shkojë Kuvendit ditën e enjte dhe të marrë dhe pëlqimin e ligjvënësve.
Sipas projektligjit, Shqipëria do të marrë 1, 140, 000 (një milion e njëqind e dyzet mijë) doza të vaksinës “COVAX Facility”, të kompanisë GAVI, të cilat mbulojnë 20% të popullsisë.
Qeveria shqiptare do paguajë fillimisht 3, 990, 000 (tre milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë mijë) dollarë amerikanë për këtë kontratë.
Një debat që kalon në nota humori ka ndodhur sot në mbledhjen e komisionit të ligjeve kur votohet struktura e Komisionit për prokurimin publik që është në varësi të sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave.
Bashkim Fino, si deputeti relator për këto ndryshime tha se nuk është e nevojshme që projekte të tilla të kalojnë në Kuvend kur nuk ka as ndryshime strukture dhe as shtim buxhetesh, për të mos I marrë kohë komisionit.
Por ka ndërhyrë menjëherë Adriatik Alimadhi që ka kërkuar sqarime nga Fino se pse vjen ky projekt në komision.
Bashkim Fino: Ndaj e thashë, se nuk ia vlen diskutimi dhe unë si relator them ta votojmë;
Adriatik Alimadhi: Unë jam kundër këtij ndryshimi;
Bashkim Fino: Pse je kundër ti mo, a mund ta di unë pse je kundër? Dua të më bësh një sqarim vote, sepse kur s’ka për votë kundër s’ka pse bëhet;
Adriatik Alimadhi: Shpeshherë jemi përplasur për ndryshimin e strukturave;
Bashkim Fino: Kujdes mos bëj politik, kur s’ka politikë. Mos voto kundër kot. Por gjynah të votosh kundër, kur ka gjëra politike, voto kundër. Nuk ka as rritje numri, as efekt financiar. Do t’i mbushet mendja kur të votojmë në seancë ta votojë pro.