Burime nga QSUT thanë bëjnë me dije se prej disa ditësh të infektuarit me koronavirus po e bëjnë skanerin tek urgjenca e kirurgjisë, për shkak se skaneri i infektivit është prishur, duke rrezikuar kështu përhapjen te pacientët e operuar, por dhe personeli i këtij pavijoni.
Sot është lajmëruar dhe hapja e COVID-3 tek ish-kirurgjia e vjetër me një kapacitet prej 150 shtretërish. Në vitet e qeverisjes Rama mendohet se e kanë lënë vendin rreth 3 mijë mjekë, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet me numrin më të vogël të mjekëve për banorë.
Resurset spitalore po ezaurohen me shpejtësi për shkak të pandemisë dhe rritjes me më shumë se 70% të numrit të të infektuarve ditët e fundit. Spitali COVID-3 me kapacitet 150 shtretër, në ambientet e ish-kirurgjisë së vjetër, e cila është ngjitur me ambientet e kirurgjisë së re pritet të hapet sot. Të sëmurët e rretheve transportohen në Tiranë ku shtretër kanë mbetur shumë pak.
Qeveria shqiptare ka qenë paralajmëruar që më parë për këtë skenar, të cilit i druhen shumë vende në botë. Vala e parë e pandemisë, nuk pati goditjen e shteteve të tjera si Italia apo Franca ku sistemi spitalor u kolapsua dhe për shkak të padijes. Kjo duhet të shërbente si kohë për marrjen e masave nga ana e qeverisë, për shtimin e kapaciteteve spitalore dhe të shërbimit mjekësor.
Burime spitalore shprehen se një problem tjetër jo i vogël, është dhe skaneri që shërbente për të sëmurët me Covid. Burimet saktësojnë se kjo aparaturë është prishur dhe diagnostikimi bëhet në ambientet e urgjencës së kirurgjisë. Specialistët thonë për MAPO, se një veprim i tillë është mjaft i rrezikshëm pasi rrezikon shëndetin e të sëmurëve të tjerë që trajtohen në spitalin e kirurgjisë, por edhe stafin mjekësor atje.
Mosfunksionimi i aparaturës së skanerit në këtë situatë mund të konsiderohet një skandal më vete, pasi është mënyra më efikase për të ekzaminuar shkallën e sëmundshmërisë te pacientët. Jo në pak raste, dhe kur tamponi ka dalë negativ ka qenë skaneri ai që ka përcaktuar nëse individi është i prekur ose jo.
Ikja e mjekëve
Një nga problemet madhore të sistemit tonë shëndetësor janë mjekët. Shqipëria sipas raporteve ndërkombëtare, radhitet ndër vendet me më pak mjekë për banorë. Përgjatë viteve të qeverisë Rama mendohet se vendin e kanë lënë gati 3 mijë mjekë, nga këta 1000 janë vetëm në Gjermani.
Kushtet e punës, pagat e ulëta por dhe vlerësimi i mangët nga ana e instancave shtetërore kanë bërë që mjekët shqiptarë ta shohin të ardhmen e tyre gjetkë. Kjo kategori, do ishte targeti i parë i qeverisë Rama menjëherë sapo erdhi në pushtet.
Në vitin 2014 u burgosën me gjithfarëlloj arsyetimesh 20 mjekë, ndërsa ministria e drejtuar nga Ilir Beqaj, shpikte lloj-lloj artificash që ua vështirësuan jo pak jetën. Një ndër to ishte dhe testimi absurd i punonjësve të shëndetësisë. Në krahasim me vitin 2013, numri i mjekëve që kërkonin certifikatë për sjellje të mirë, një dokument referues për institucionet shëndetësore perëndimore u dyfishua.
Nga 70-të që ishte në vitin 2013, në 128 në vitin 2014 ndërkohë që rritje progresive ka pasur dhe në vitet në vazhdim. Kështu në vitin 2015 ky numër shkoi në 143, në vitin 2016 shkoi në 208, dhe në vitin 2017 numri i mjekëve që kërkonin këtë shërbim ishte 207.
Një eksod i tillë mjekësh nuk është njohur as në fillimet e demokracisë dhe as në vitin 1997. E njëjta situatë ndodh dhe me infermierët duke bërë që në spitalet Covid të kemi dhe aktualisht mungesë stafi, për shkak të infektimit të personelit.
Ministria
Situata është emergjente dhe për të përballuar sëmundjen nuk mjafton vetëm numri i shtretërve. Ato duhen shoqëruar me staf dhe aparatura. Duke pasur parasysh situatën, dhe numri i shtretërve të shtuar do ezaurohet shpejt, dhe do kthehemi në pikën ku nisi.
Ministrja Manastarliu është në të drejtën e saj të flasë me nota optimiste, por masat duhen marrë shpejt, megjithëse çështja e personelit është një pikë mjaft e vështirë për t’u zgjidhur.
“Patjetër që do të hapet spitali tjetër kur të kemi rritje të numrit të të infektuarve. Kur nuk do të ketë më hapësirë për të shtruar ne do të hapim COVID-3. E kemi stafin e gatshëm në çdo moment që do të vlerësohet. Kemi shtuar kapacitete në sistem për të mos prekur sistemin tjetër që të vazhdojë normalisht”, tha ministrja.
Shefja e infektivit Najada Çomo tha se mjekë ka, dhe po trajnohen të tjerë për të përballuar valën Covid, megjithëse shifrat janë kokëforta./ MAPO