Një ngjarje horror ka ndodhur në Shkodër një ditë më parë, ku katër persona pasi kanë aksidentuar dy të rinj dhe më pas i kanë rrahur me shkop bejsbolli dhe i kanë hedhur në kanal.
Si ndodhi ngjarja
Policia e Shkodrës thotë se më datë 25.10.2016 rreth orës 12:30 është marrë njoftim se në aksin rrugor Shkodër – Velipojë, në fshatin Trush ka ndodhur një aksident.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë Shkodër për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe nga veprimet hetimore ka rezultuar se nuk ishte aksident por tentative për vrasje.
Mjetet tip “Benz” me targë AA 304 OT me drejtues shtetasin Femih Gjorreta, dhe mjeti tip “Audi” me targë DP 372 CG me drejtues shtetasin Admir Gjorreta, i kanë dalë përpara duke i zënë rrugën dhe kanë përplasur mjetin motoçikletë tip Jamaha pa targa në të cilin udhëtonin shtetasit F.J. 31 vjeç, banues në fshatin Trush, Shkodër dhe me pasagjer shtetasin A.J. 19 vjeç, banues në fshatin Trush, Shkodër.
Si pasojë e përplasjes së motorit nga 2 automjetet, shtetasit që udhëtonin në motorr kanë përfunduar në kanal. Më pas shtetasit që udhëtonin në automjete kanë zbritur dhe me mjete të forta kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tyre duke u shkaktuar dëmtime të rënda .
Aktualisht 2 shtetasit e dëmtuar ndodhen në spitalin Rajonal Shkodër nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për shkak të një konflikti të mëparshëm për motive të dobëta.
Falë veprimeve të shpejta operative dhe hetimore, janë vënë në pranga 2 nga autorët e dyshuar të kësaj ngjarje, konkretisht shtetasit:
* Femih Gjorreta, 23 vjeç, banues në fshatin Trush, Shkodër
* Admir Gjorretaj, 23 vjeç, banues në fshatin Trush, Shkodër
Gjithashtu u shpallën në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve :
* G.Gj. 32 vjeç, banues në fshatin Trush, Shkodër
* E.Gj. 27 vjeç, banues në fshatin Trush, Shkodër
Në cilësinë e provës materiale janë gjetur e sekuestruar:
* dy automjetet e autorëve
* motori i të dëmtuarve
* një krehër pistolete model 54 me 8 copë fishekë
* një shkop bejzbolli
* një pistoletë manovër
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e mbetur në tentative, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.