Mesfushori i Arsenal, Mesut Ozil, u la jashtë listës së lojtarëve të federuar për sezonin 2020/21 në Premier League nga trajneri Arteta.
Kjo ishte goditja e dytë që lojtari mori, pas lënies jashtë dhe nga lista e Europa League. Këtë herë turko-gjermani ka reaguar përmes një letre të publikuar në “Twitter”, ku ai është treguar i sinqertë me të gjithë.
“Ky është një mesazh i vështirë që unë po i shkruaj tifozëve të Arsenalit, klub për të cilin kam luajtur në vitet e fundit. Jam realisht shumë i zhgënjyer nga fakti që nuk jam federuar për këtë sezon në Premier League. Që kur firmosa kontratë e re në vitin 2018, unë i deklarova besimin tim këtij klubi që unë e dua, por që fatkeqësisht kjo dashuri nuk është reciproke.
Siç e kam zbuluar vetë është e vështirë që të besosh dikë në ditët e sotme. Gjithmonë kam qëndruar pozitiv javë pas jave, pasi besoja se mund të kisha një mundësi për t’u rikthyer në skuadër. Kjo ka qenë arsyeja se pse unë kam qëndruar në heshtje.
Para mbylljes nga coronavirusi isha shumë i lumtur me ardhjen e trajneri Arteta. Gjithçka po shkonte mirë, por gjërat ndryshuan sërish dhe unë nuk mund të luaja përsëri për Arsenalin. Londra ende më duket si shtëpia ime, kam shumë shokë këtu si dhe kam një lidhje shumë të fortë me tifozët e këtij klubi.
Pavarësisht gjithçkaje, unë do të vazhdoj të luftoj për vendin tim dhe nuk do të lejoj që sezoni im i tetë me Arsenalin të përfundojë kështu. Ju premtoj se do të stërvitem në maksimumin tim dhe do ta ngre zërin sa herë që të jetë e nevojshme për të vendosur drejtësi”, shkruan Ozil në letrën e tij.
〽️⚽️ #M1Ö #YaGunnersYa pic.twitter.com/hF7abGklOT
— Mesut Özil (@M10) October 21, 2020