NGA FLIRI MOSHO
Shpesh edhe më shpesh në muajt e fundit, po “qëllon” që të kapen, arrestohen apo deri edhe të aksidentohen si kamikaz, individë që megjithëse udhëtojnë me makina luksi, bëjnë jetë luksi dhe ngarkojnë faqe luksi në facebook e instagram, rezultojnë të papunë.
Të parregjistruar në asnjë regjistër të shtetit shqiptar përvec atij të shtetasve.
Në vitin 2008, Ministria e Financave hartoi ligjin që është ende në fuqi të procedurave tatimore. Ligj që me gjithë përthyerjen klienteliste që i është bërë në vite pas miratimit, reziston ende si korpus dispozitash që ofrojnë zgjidhjen edhe kur ajo nuk është përdorur kurrë.
Në atë kohë stafi teknik i Ministrisë së Financave hartoi dhe insistoi fort që si pjesë e dispozitave të atij ligji të bëheshin edhe dispozitat që rregullojne deklarimin vjetor të të ardhurave. Me gjithë insistimin e teknicienëve të Ministrisë së Financave, për të futur në skemë deklarimi pa përjashtim të gjithë shtetasit shqiptarë rezidente në Republikën e Shqipërisë, vendimi politik deformoi rëndë dhe sic rezulton sot edhe me pasoja, mekanizmin klasik të detyrimit për deklarimin vjetror të të ardhurave.
Sot për shkak të atij vendimi politik që kufizoi detyrimin për deklarim në kufijtë e mbi 2.000.000 lek të ardhurash në vit, ato dispozita janë pa asnjë efekt konkret. Më tej edhe vlerësimi ju la në dorë individit dhe dispozitat u zbrazën plotësisht nga qëllimi i hartimit të tyre.
Dhe vijmë sot….
Tetë vjet më vonë, nëse ligji do ish lënë i lirë të funksiononte me logjike standarte, do të mund të kishim një bazë të bollshme dokumentare për të hartuar edhe një databazë për të gjithë shtetasit.
Tetë vjet më vonë, nuk do prisnim aksidentin vrasës-vetëvrasës në autostradën Tiranë – Durrës, për të investiguar post mortum për njeriun që shkaktoi tragjedinë.
Tetë vjet më vonë mund ti kishim dhënë kuptim marrveshjeve të bashkëpunimit midis institucioneve dhe shkëmbimit të të dhënave bazë dhe policia sot mund të ishte duke kryer hetime proaktive, pa pritur rrëzave të rrugëve nacionale për të ndaluar cdo makinë që ju duket atyre e dyshimtë (edhe ata mbi bazën e gjykimit individual të përpunuar mbi bazën e shkollimit e dijes që i kushtëzon detyra për të cilin paguhen).
Tetë vjet më vonë kontingjenti trafikant që jeton i papunë me zinxhirë floriri në qafë e duar, të paktën nuk do e bënte kaq hapur dhe kaq keq karshillëkun për njeriun që ka zgjedhur të punojë, të paguajë taksa e të jetojë me besim te shteti.
Tetë vjet më vonë, do kishim sigurisht mbledhur më shumë të ardhura nga këngëtarë që nuk ruhen fare të deklarojnë fitimin në një dasëm, aq sa është minimumi i detyrueshëm për deklarim që dispozitat e cunguara, parashikuan si kufi vjetor.
Tetë vjet më vonë do kishim formalizuar tregun e sportit dhe tallavasë të paktën sepse do të mund të vinim në balancë shumat e deklaruara si të ardhura dhe apartamentet e rregjistruara në emër personal.
Tetë vjet më vonë dhe me një mekanizëm të thjeshtë shtesë incentivimi, do të mund të kishim bashkë me deklarimin e cdo studenti edhe të dhëna për shpenzimet që paguajnë për qiranë mujore për të gjitha ato apartamente nga të cilat shteti mbedh zero taksa.
Tetë vjet më vonë nuk do kishim nevojë të fusnim për herë të parë në kontroll pasurie, gjithë familjarët e gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, një pjese të të cilëve pas ndryshimeve kushtetuese thjeshtë i ka rënë fati i keq të kenë një të afërm gjyqtar apo prokuror.
Tetë vjet nuk janë shumë, por tetë vjet dokumentacion i munguar dëshmon për një gjë! Për atë se sa false mund të jetë një dispozite ligjore apo edhe nji korpus dispozitash.
Dhe sot mbase ato tre vajza fatkeqe do ishin ende gjallë dhe unë do isha këtu duke shkruar dicka tjetër dhe jo për temën më fillestare të deklarimit të të ardhurave personale. Atë që shume shqiptarë rezidente të rregullt në shtete të tjera, e plotësojnë cdo vit. Ata nuk kanë humbur kohë. Ne kemi humbur të paktën tetë vjet