Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi të premten se një provë me një kohëzgjatje gjashtë muaj e trajtimeve me COVID-19 gjeti “të dhëna bindëse” se remdeziviri, një ilaç që u përdor për të trajtuar Presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump kur u sëmur, ka pak ose aspak efekt në rastet serioze të virusit.
OBSH, në një provë të kontrolluar me individë të ndarë në mënyrë të rastësishme në grupe që marrin trajtime të ndryshme dhe që e quajti më të madhen e këtij lloji për terapitë për COVID-19, testoi remdezivirin dhe tre ilaçe të tjera – hidroksiklorokuinën, lopinavir / ritonavirin dhe interferonin – si pjesë e hulumtimit të agjencisë për të përcaktuar nëse barnat ekzistuese mund të jenë efektive në trajtimin e COVID-19.
Në një konferencë për shtyp në selinë e OBSH-së në Gjenevë të premten, një zëdhënës i OBSH-së tha se rezultatet e studimit, i cili nuk është analizuar nga shkencëtarë të organizatave të tjera, “tregojnë se trajtimi me hidroksiklorokuinë, remdezivir, lopinavir / ritonavir dhe interferon duket se ka pak ose aspak efekt tek vdekshmëria në një cikël 28 ditor, ose kohëzgjatja e qëndrimit në spital për COVID-19 midis pacientëve të shtruar në spital. ”
OBSH tha se studimi, i cili mbuloi më shumë se 30 vende, shqyrtoi efektet e trajtimeve tek përqindja e përgjithshme e vdekshmërisë, nëse pacientët kanë nevojë për aparate për frymëmarrje dhe sa kohë pacientët kaluan duke u rikuperuar në spitale.
Studimet e mëparshme i kishin përjashtuar tre prej trajtimeve. Por gjetjet janë në kundërshtim me një provë klinike të remdezivirit nga Instituti Kombëtar i Shëndetit i Shteteve të Bashkuara në prill i cili tregoi se ilaçi përshpejtonte normat e rimëkëmbjes së njerëzve me raste të rënda të COVID-19.
Çmimi i aksioneve të kompanisë që prodhon remdezivirin, Gilead Sciences, Inc., filloi të binte ndërsa lajmet e studimit të OBSH-së u përhapën të premten.
Kompania lëshoi një deklaratë duke thënë se të dhënat dukeshin të kontradiktore, përfundimet ishin të parakohshme dhe iu referuan studimeve të tjera, të tilla si ai nga Instituti Amerikan i Shëndetit, i cili kishte vërtetuar përfitimet e ilaçit. Remdezivir ishte një nga ilaçet e përdorura për të trajtuar Presidentin e SHBA Donald Trump kur u prek nga COVID-19 në fillim të këtij muaji.