“LSI -ja ka një rol të qartë në të ardhmen. Ose do të jetë një forcë edhe më e rëndësishme e qeverisë, ose do të jetë forca kryesore opozitare në Shqipëri”. Kështu ka deklaruar kreu i LSIsë, Ilir Meta, në një intervistë në “Report TV” me Babaramon.
Ai është shprehur i pavendosur në lidhje me votën e LSI -së sa i përket dekretit të Presidentit Nishani për “Ligjin e Mbetjeve” që votohet të enjten në Parlament.
“Nuk mund t’ju them asnjë gjë për këtë çështje, sepse edhe mua më duhet të dëgjoj argumentet dhe të thellohem, si të gjithë anëtarët e tjerë të grupit parlamentar”, tha Meta.
Sa i përket legalizimit të kanabisit farmaceutik, Meta tha se kjo është një gjë që mund të bëhej nëse bien dakord të gjitha palët. “Në rast se do të duhet të kemi një legalizim të kanabisit për arsye të industrisë farmaceutike, atëherë kjo është një gjë që mund të bëhej, dhe natyrisht që kërkon konsensus në çdo rast, dhe të jetë një proces, i cili kontrollohet në mënyrë tërësisht transparente nga shteti, dhe si një mundësi për të pasur një rritje të të ardhurave, por në interes të shtetit dhe të qytetarëve dhe kurrsesi të grupeve kriminale”, tha Meta.
INTERVISTA
Do të doja ta nisnim bisedën me Dekretin e Presidentit, i cili ka refuzuar atë që disa e quajnë “Ligji i plehrave”, disa të tjerë “Ligji i mbetjeve urbane”, por, përtej tautologjisë semantike që krijohet, unë do të doja qëndrimin tuaj. Ju do të votoni në favor të dekretit të Presidentit, apo kundër tij?
Mendoj se kjo pyetje nuk mund të marrë një përgjigje kaq të thjeshtë, për arsye sepse çështja është komplekse dhe, përveç përmbajtjes së çështjes dhe diskutimeve të ndryshme, këtu kemi edhe një shqetësim të opinionit publik, deri diku edhe një instrumentalizim të tij, që nuk është i tanishëm, por i hershëm.
Por në çdo rast kemi një shqetësim publik dhe është e rëndësishme që miratimi i një ligji të tillë, kaq sensitiv, të mos bëhet në konflikt me opinionin publik, për arsye se kjo ka të bëjë edhe me imazhin e vendit, si një vend, që ka si prioritet zhvillimin e turizmit dhe tërheqjen e sa më shumë të turistëve të huaj. Në këtë drejtim, unë besoj se është e gjithë koha e mundur për të bërë një vlerësim sa më objektiv, sa më të ftohtë, larg politizimit të tepruar të çështjes, në mënyrë që në çdo rast ne të kemi në konsideratë që vendimmarrja do të jetë në interes të publikut të gjerë dhe në interes afatgjatë për vendin.
Jeni shprehur se ky ligj, për shkak të ndjeshmërisë që ka krijuar në opinionin publik, duhet të shqyrtohet, të kalojë edhe nga një ekspertizë e BEsë. I qëndroni kësaj ideje?
Çështja më e rëndësishme është të ketë një konsensus ose, më saktë, të ketë një shterim të të gjithë mosbesimin aktual, që ekziston për zbatimin e ligjit, në radhë të parë. Së dyti, absolutisht unë i qëndroj idesë se, në rast se gjatë këtij dialogu apo debati ka çështje, të cilat kërkojnë një ekspertizë më të thelluar europiane, padyshim që do të ishte shumë me interes që të kërkohej, sepse nuk bëhet fjalë për një ligj që do të ketë efekt të përkohshëm, por bëhet fjalë për një ligj që do të ketë efekt afatgjatë dhe është e mira të mos jetë temë e debateve në të ardhmen apo e kontestimeve në të ardhmen.
Pra, nëse ju kuptova drejt, ju lini të kuptohet që qeveria duhet ta tërheqë dhe ta sjellë në një moment të dytë, pasi të ezaurohen të gjitha këto që ju parashtruat?
Nuk mund të jap asnjë vlerësim përfundimtar, sepse besoj se ekziston një proces vlerësimi që ka nisur të bëhet mbi Dekretin e Presidentit dhe natyrisht në çdo rast të tillë unë do të veproj në përputhje me linjën e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në këtë drejtim, sipas informacioneve të mia, z. Vasili, si kryetar i këtij grupi, po edhe si njohës i këtyre çështjeve, është në dialog me të dyja palët, edhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile, që kanë ngritur shqetësimin për këtë çështje, edhe me Shoqatën e Ricikluesve, të cilët janë të interesuar për miratimin e tij me qëllim që të vijojnë punën e tyre.
Cili është thelbi i këtyre bisedimeve që po kryen z. Vasili?
Nuk mund t’ju them asgjë, sepse ato po kryhen ndërkohë.
Cili është thelbi?
Për të dëgjuar argumentet e secilës palë të interesuar. Ato kanë argumentet e tyre për të kuptuar bazën e shqetësimit apo qoftë le të themi të rrezikut për çështje të caktuara që shqetësojnë shoqërinë civile.
Gjithsesi, pas dy ditësh do të votohet. Si do të jetë vota juaj?
Nuk mund t’ju them asnjë gjë për këtë çështje, sepse edhe mua më duhet të dëgjoj argumentet dhe të thellohem, si të gjithë anëtarët e tjerë të grupit parlamentar.
Mënyra si u soll në Kuvend (disa thonë nga qeveria, disa të tjerë nga 3 deputetë), por pavarësisht se kush e ka sjellë,tregon se ky është një ligj që është mbështetur fuqimisht nga Kryeministri. A mendoni se ishte rruga më e mirë e procedurës parlamentare sjellja në kohën, kur të gjithë ishin të përqendruar te reforma në drejtësi?
Kjo është një çështje e diskutueshme, por jo më e rëndësishmja. Më e rëndësishmja është që çdo miratim i mundshëm të mos realizohet në konflikt me opinionin publik apo me një pjesë të tij, sepse çdo lloj kontestimi në të ardhmen nuk do të jetë pozitive dhe nuk do të jetë mirë për askënd.
Kjo që po ndodh në opinionin publik, a ju krijon një lloj ngjashmërie me atë që ndodhi para dy vjetësh, me sjelljen e armëve kimike të Sirisë? A ka ngjashmëri?
Nuk besoj se është diçka e ngjashme, por ekziston një shqetësim që vjen për shkak të mungesës së kapaciteteve tona në afat për të trajtuar mbetjet e vendit. Së dyti, është shqetësimi që vjen nga moszbatimi i drejtë i ligjit, gjë që mund të sjellë një përkeqësim akoma më serioz të parametrave të mjedisit në vend dhe kuptohet që ndjeshmëria në vend për ruajtjen, për mbrojtjen e mjedisit ka ardhur duke u rritur, gjë që natyrisht, është pozitive.
Le të flasim për polemikat dhe replikat që kanë shpërthyer mes 3 ministrave të rëndësishëm të kabinetit qeveritar: Ministri i Drejtësisë, z. Manjani, hodhi idenë e futjes së ushtrisë në shkatërrimin e hashashit, kanabisit, duke e konsideruar një emergjencë kombëtare, ndërkohë që një propozim i tillë u prit, pse të mos themi edhe me romuze nga Ministri i Brendshëm dhe nga ministrja e Mbrojtjes. Ju e konsideroni një situatë emergjente luftën kundër trafikut të bimëve narkotike?
Pa asnjë diskutim, besoj se kjo është një çështje serioze, e cila ka krijuar mjaft probleme dhe shqetësime jo vetëm brenda vendit. Është një çështje që ka zënë mjaft vend edhe në shqetësimin e medies ndërkombëtare, të vendeve partnere. Në këtë drejtim është çështje që duhet marrë shumë seriozisht dhe kërkon një bashkërendim të të gjitha institucioneve brenda vendit, të policisë, prokurorisë, të Shërbimit Informativ dhe të të gjitha strukturave të tjera. Në këtë drejtim duhet bërë pa dyshim shumë më tepër, duhet bërë që në fazën e parë, parandaluese, të moslejimit të mbjelljes, pasi fazat e tjera, sigurisht, e bëjnë çështjen shumë më të vështirë dhe dëmtojnë imazhin e vendit në tërësi.
A duhet të përfshihet ushtria?
Unë mendoj se çdo institucion që mund të japë kontributin tij duhet të përfshihet dhe këto çështje është mirë të zgjidhen në tryezën e qeverisë dhe të institucioneve.
Qëndrojmë te një mbledhje e qeverisë, që u zhvillua në Gjirokastër, pa ministrat e LSIsë. Çfarë përshtypje ju la?
Nuk kam as përshtypje e as informacion, por mund të ketë mbledhje, s’ka asnjë problem, të Kryeministrit me ministrat e Partisë Socialiste. Nuk është mbledhje qeverie, është një mbledhje informale.
Në çfarë niveli janë marrëdhëniet tuaja me Partinë Socialiste?
Mendoj se janë marrëdhënie normale bashkëpunimi.
Kur rivalët tuaj për postin e kryetarit të LSIsë, sidomos z. Spahiu, flasin me terma shumë më të ashpër ndaj Partisë Socialiste dhe Kryeministrit Rama, çfarë ndjesie keni kur i dëgjoni bashkëpunëtorët tuaj aktualë?
Është një e drejtë e tyre, është një konkurrim i tyre, është një platformë e tyre, që në fund të fundit do të votohet më 6 nëntor.
Ju a ndani të njëjtin shqetësim me ta?
Unë ndaj një filozofi pak më ndryshe, e cila bazohet te qëndrueshmëria ndaj marrëveshjeve, qoftë dhe në mënyrë të njëanshme, dhe te vendosmëria për t’u qëndruar marrëveshjeve qoftë dhe në mënyrë të njëanshme.
Nuk thashë këtë gjë. Unë thashë qëndrimin tim. Pra, e mirëkuptoj padurimin apo ngacmimin e cilitdo në LSI, për një arsye apo për një tjetër, por kjo nuk më çon në reagime të nxituara, kjo sipas mendimit tim.
Por a mendoni që ka ardhur koha për të marrë një vendim se çfarë do të bëni me koalicionin? Do ta ripërsërisni këtë kontratë?
Ne po vazhdojmë të përmbushim detyrimet tona në koalicion sipas marrëveshjes së Shkodrës.
Afrimin e PDIUsë në këtë koalicion e shikoni si një kërkesë të z. Rama për t’ju shmangur nga bashkëqeverisja?
Ne nuk kemi asnjë shqetësim të tillë, përkundrazi, LSIja ka një rol të qartë në të ardhmen. Ose do të jetë një forcë edhe më e rëndësishme e qeverisë, ose do të jetë forca kryesore opozitare në Shqipëri.
Pra, ju i keni të dyja opsionet në tavolinë. Edhe koalicionin…
LSIja në çdo rast do të jetë një forcë që do të ketë një rol më të rëndësishëm në të ardhmen në jetën politike të vendit.