Nga BoldNews.al
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, iu përgjigj deklaratave të Kryeprokurorit Olsian Çela se “Elbasani është në duart e krimit”, me shprehjet “shabllon” të përdorura në të paktën 10 vitet e fundit për “rritjen e luftës kundër krimit të organizuar”.
Lleshaj ishte i ftuar në një interpelancë nga deputeti Lefter Maliqi këtë të Enjte.
Ministri iu referuar Progres-Raportit të Komisionit Europian për vitin 2020, në tentativë për të kundërshtuar akuzat e deputetit Maliqi, i cili argumentoi se përse policia e shtetit nuk po jep rezultate në luftën kundër krimit të organizuar, si edhe i kujtoi deklaratat e Prokurorit të Përgjithshëm në Elbasan.
“Shqipëria ka bërë përparime në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, përfshirë edhe pjesëmarrjen në disa operacione ndërkombëtare”, citoi Lleshaj Raportin e Progresit të KE-së për vitin 2020.
Por, referimi i Sandër Lleshajt tek Progres-Raporti nuk duket se është një argument i fortë për të bindur opinionin publik se shifrat e krimit në Shqipëri nuk janë ato që njohin të gjithë shqiptarët.
“Boldnews.al” konsultoi Raportet e Progresit, të hartuar nga Komisioni Europian për Shqipërinë në vitet e fundit.
Të paktën, duke filluar nga viti 2011, burokratët e Brukselit kanë përdorur shprehje që përdoren thuajse njëlloj, vit pas viti, për përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar.
Në Progres-Raportin për vitin 2011, Komisioni Europian shkruan lidhur me anti-krimin e organizuar në Shqipëri: “Janë bërë përparime në luftën kundër krimit të organizuar….Shqipëria ka rritur numrin e konfiskimit të aseteve kriminale…”
Një vit më pas, në 2012, Komisioni Europian citohet në Raportin e Progresit: “…Rastet e bashkëpunimit ndërkombëtar (në luftën kundër krimit të organizuar) janë konsoliduar dhe duhet të vijojnë më tej. Është vendosur një bashkëpunim i mirë me Qendrën Europiane të Monitorimit të Drogave…Operacionet policore kundër kultivimit të kanabisit janë rritur..”
Në Raportin e Progresit për vitin 2013, publikuar në ditët e para të qeverisë “Rama 1”, Komisioni Europian citohet: “…Është bërë përparime në luftën kundër krimit të organizuar. ..Është forcuar bashkëpunim policor ndërkombëtar..Është rritur numri i sasisë së drogës së kapur…”.
Raportet e cituara më lart, i përkasin periudhës në të cilës Shqipëria drejtohej nga qeveria e djathtë. Më tej janë vlerësimet e Komisionit Europian, gjatë periudhës që vendi drejtohet nga qeveria e majtë e Edi Ramës.
Në Raportin e Progresin për vitin 2016, Komisioni Europian citohet: “Vendi (Shqipëria) ka arritur disa nivele në luftën kundër krimit të organizuar. Progres është bërë, sidomos, në shkatërrimin e disa plantacioneve me kanabis. Policia….ka kryer disa operacione në bashkëpunim me Europol…”
Në vitin 2018, Komisioni Europian përdor thuajse të njëjtat fraza, në Raport-Progresin e tij për Shqipërinë: “...Shqipëria ka shënuar rritje në luftën kundër krimit të organizuar. Është shënuar progres në luftën kundër kultivimit të kanabisit… Shqipëria ka marrë pjesë në disa operacione ndërkombëtare, të organizuara kryesisht me vendet e Bashkimit Europian…”.
Duket qartë që Komisioni Europian ka treguar për çdo vit shenja optimizmi në angazhimin e forcave policore në luftën kundër krimit të organizuar.
Megjithatë, ky aspekt, pra lufta kundër krimit të organizuar, vijon të mbetet një kusht kyç që duhet të përmbushë Shqipëria, para se të trokasë në dyert e Bashkimit Europian.