Nuredin Dumani, 37 vjeç, është shpallur në kërkim policor si ekzekutori i Bujar Çelës, krim të ndodhur në Brandashesh, më 17 Shtator. Por, 37-vjeçari dyshohet ka bashkëpunuar me Talo Çelën, vëllain e Bujar Çelës, për një vrasje të dyfishtë të ndodhur në Durrës, më herët gjatë vitit.
Krimet
Nuredin Dumani rezulton i shpallur në kërkim dhe për vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në 27 prill 2020 si dhe dy personave të tjerë, Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit më 2 mars 2020, në të njëjtin vend, tek tregu i makinave.
Për Dumanin, është raportuar në media në vitin 2018 vënia në pranga në një operacion policor në Durrës, ku u arrestua së bashku me një taksist, pasi një vajzë adoleshente kishte kallëzuar në policinë e Bordosë në Francë, se ishte shfrytëzuar për prostitucion. Por pavarësisht se policia e arrestoi Nuredin Dumanin, gjatë hetimeve nuk u provuan akuzat dhe për pasojë Nuredin Dumani shumë shpejt doli nga burgu.
Dumani rezulton i arrestuar dhe në vitin 2014 dhe është dënuar më pas me 3 vite e 4 muaj burgim me akuzën tentativës së vjedhjes së automjetit një taksisti.
Më pas, ai u shpall në kërkim nga prokuroria e Durrësit, pasi akuzohet se rezulton i implikuar në dy ngjarje të rënda në Durrës, me një bilanc prej 4 viktima, Besmir Haxhia, Viktor Haxhia, Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdyli.
Bashkëpunimi në vrasje me Talo Çelën
Për vrasjen e vëllezërve Haxhia është akuzuar dhe Talo Çela, i cili së bashku me Nuredin Dumanin përmenden në dëshminë e të arrestuarit për atentatin e vëllezërve Haxhia, Klevis Alla.
Ky i fundit në cilësinë e bashkëpunëtorit të prokurorisë dhe policisë ka treguar se së bashku me Talo Çelën, Nuredin Dumanin dhe Altin Ndocin, kanë ekzekutuar me armë zjarri, vëllezërit Haxhia në Durrës. Alla, veç tregimit të vendit ku ishin fshehur armët, ka treguar dhe pozicionin dhe veprimet kriminale që kishin kryer të gjithë pjesëmarrësit.
Sipas rrëfimit të Klevis Allës, ditën e ngjarjes së vrasjes së dy vëllezërve Haxhia, ai ka qenë shofer të një automjeti “Toyota” të vjedhur. Ndërsa Altin Ndoci, ka qenë me armë kallashnikov në sediljen e parë të makinës.
Ndërsa në sediljen e pasme kanë qenë të pajisur me dy kallashnikovë, Nuredin Dumani dhe Talo Çela.
Gjithmonë sipas Klevis Allës, ata kanë mbajtur në mbikëqyrje dy vëllezërit dhe sapo objektivi i tyre është larguar nga prona e tyre “Echange” në Durrës, ata i kanë ndjekur nga pas dhe i kanë qëlluar.
Dy personat që i kanë qëlluar ishin Nuredin Dumani dhe Talo Çela, ndërsa sipas bashkëpunëtorit Altin Ndoci, nuk ka hapur zjarr.
Në rrëfimin e tij, Klevis Alla, tregon se shkak i motivit të vrasjes beson se është bërë një shumë parash, që Talo Çela e kishte vjedhur në grabitjen e Rinasit.
Kjo sasi lekësh e papërcaktuar nga dëshmitari Alla, ishte lënë për ruajtje nga Talo Çela në servisin e dy vëllezërve Haxhia, por më pas sasia e lekëve ishte zhdukur.
Dyshohet se dy vëllezërit Haxhia, i kanë pohuar Talos, se i kishte ndodhur një grabitje në servis dhe hajdutët veç materialeve të tjera, kanë marrë dhe sasinë e parave. Por me sa duket një alibi të tillë nuk e ka besuar Talo Çela, i cili edhe pse në arrati ka filluar të bashkëpunojë me Nuredin Dumanin, Klevis Allën dhe Altin Ndocin, duke kryer vrasjen e dy vëllezërve Haxhia.
Ndërkohë, disa muaj para vrasjes së dy vëllezërve, sipas dëshmitarit Alla, ata të katërt kanë vrarë dhe dy persona në Shkozet të Durrësit, Dorjan Shkozën dhe Anxhelo Avdylin, ku ende nuk dihet me saktësi se cila ka qenë motive i këtij krimi.