Hashash dhe numra nga Hekuran Vladi
Me datë 7 tetor 2016 u publikua një deklarim i Guardia di Finanza dhe Drejtorisë së Policisë së Shtetit. Sipas tyre, në 2016 policia ka asgjësuar 99.8% të sipërfaqes së kultivuar.
Pas asaj date deri më sot, po sipas raporteve zyrtare të Policisë së shtetit janë kapur në magazinë, apo asgjësuar rreth 10.000 rrënjë hashash. (1 bimë llogaritet me një rendiment min 1kg). Tani, nëse vazhdojmë t’u referohemi shifrave të GdF + Policisë së Shtetit e nëse kapja e sasisë 1.200 kg (1.200 rrënjë, për efekt llogaritje) është hashashi i fundit që ka mbetur pa kapur, i bie që sasia prej rreth 10.000 kg është 0.02% e sasisë totale të mbjellë. Sasia totale e mbjellë, pra është 10.000 x 0.02%, ose (10.000 x 1000 : 2), ose 5.000.000 kg, ose 5.000 ton.
Bujqësi hashashi
Referuar të dhënave të përgjithshme të kulturave të hashashit të mbjella këtë vit në Shqipëri, mesatarisht për 1 bimë duhet rreth 1m2. Pra për 5.000.000 bimë hashashi të kultivuara është përdorur minimumi 5.000.000 m2 toke. Përndryshe kemi një sasi toke 5.000 ha te mbjelle me hashash në të gjithë vendin. Pjesa me e madhe e kësaj sipërfaqeje është tokë bujqësore e kategorisë II, ose të III, pra toka me rendiment mesatar ose te ulet te prodhimit te kulturave bujqësore të zakonshme.
Ekonomi hashashi
Shpenzimet operative (përgatitja e terrenit, infrastruktura, fara, transporti, puna e krahut, makineria, plehërimi, shërbime mbështetëse) për kultivimin e një bime hashashi në Shqipëri, sipas eksperteve, llogariten të jenë rreth 20 euro për çdo bimë. Për sasinë 5 milionë bimë, pra janë shpenzuar rreth 100 milionë euro. Këto para kanë shkuar në masën dërrmuese (përveç farës që importohet, rreth 2 euro për bimë) në ekonomi, ose më saktë në konsum. Kjo pasi këto shpenzime bëhen në terren dhe shkojnë për pagesën e fermerëve, seleksionuesve, rojeve, etj, të cilët i përkasin shtresës së varfër të popullsisë dhe i shpenzojnë direkt këto para për ushqim, veshmbathje, pagesë energjie etj si këto. Për qartësim fenomeni, unë i quajta “shpenzime operative” e kjo pasi bosët e këtij biznesi kanë një rrugë pak më të gjatë deri tek shitja (ryshfeti për korruptimin e ligjzbatuesve, transporti i produktit të gatshëm, etj). Por në fakt janë investim. E çfarë do të thotë kjo, pra 100 milionë euro të investuara ne vend, në bujqësi? Sa dyfishi i investimeve të Ministrisë së bujqësisë planifikuar për këtë vit, ose sa rreth 1/1000 e GDP, si kontribut për ekonominë e vendit. Kjo e fundit, e thënë ndryshe, në çdo 1000 lekë, 1 lek shqiptarët e kanë lek nga hashashi i këtij viti.
Kalojmë tek te ardhurat. Çmimi mesatar i shitjes së produktit në vend për sivjet llogaritet të jetë rreth 200 euro/kg. Pra për 5 milionë kg, vlera e hashashit në Shqipëri shkon rreth 1.000.000.000 euro. Për ata që lodhën nga zerot, 1 miliardë euro, ose më shumë se 25 % e buxhetit të shtetit për këtë vit. Ose rreth 8. 5% e GDP vjetore.
E lashë…më duket se më zuri…numri, jo hashashi. Po ju betohem që duhanin e kam pirë ka 25 vjet e vazhdoj ta pi, por deri tek taraboshi e kam provuar, hashashin akoma jo. Nuk e kam për gjë, por nuk po i besoj as vetes me këto llogari. Megjithatë, po e lë këtu që ta vazhdoj duke përditësuar shifrat, sapo të kapet ndonjë sasi tjetër.