Në mesin e tensioneve në Mesdheun Lindor, Greqia ka vendosur të forcojë ushtrinë me programe të reja armësh. Vendi fqinj, nga sa pohoi zëdhënësi i qeverisë, Stelios Pecas, do të rrisë numrin e ushtarëve dhe do të përmirësojë zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.
Kjo lëvizje vjen në kohën kur Athina dhe Qiproja greke janë vendosur në kurs përplasjeje me Ankaranë mbi të drejtat e kërkimit për hidrokarbure në Mesdhe. Ndërsa Brukseli këmbëngul që zgjidhja e ngërcit të gjendet përmes negocjatave, të dy palët vijojnë të demonstrojnë forcën me stërvitje ushtarake.
Më e fundit prej tyre është ajo e Turqisë me Qipron Veriore. Stërvitja e quajtur “Stuhia Mesdhetare 2020″, do të zgjasë pesë ditë nga data 6 deri në 10 shtator. Edhe pse ajo organizohet përvit, këtë radhë vjen në një situatë krej tjetër.
Tensionet janë në maksimum, aq sa dhe vetë shefi i diplomacisë gjermane, Heiko Maas e ka pranuar se “mjafton një shkëndijë” që të shkaktojë katastrofe. Greqia e kundërshton eksplorimin aktual të energjisë së Turqisë në Mesdheun Lindor, duke u përpjekur të përvijojë një territor detar të pretenduar nga Turqia bazuar në ishuj të vegjël pranë bregdetit turk.