Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvillon sot seancën e radhës për prokuroren Donika Prela. Ankimimi në KPA u bë nga Komisioneri Publik me argumentin se Prela nuk justifikon një pjesë të pasurisë së saj. Bëhet fjalë për apartamente në Tiranë dhe Durrës.
Komisioneri Publik ka deklaruar se: “Subjekti nuk justifikon një pjesë të kursimeve familjare”.
Komisioneri Florian Ballhysa kërkon shkarkimin e Prelës me argumentin se nuk provon burimin e ligjshëm për një kërkesë të pasurisë së Prelës dhe bashkëshortin e saj. Sipas Ballhysës subjekti nuk provon burim të ligjshëm edhe të një llogarie bankare.
Referuar Komisionerit Publik, Prela nuk justifikon dy pasuri, për një shtëpi në Tiranë dhe një tjetër në Durrës. Një pjesë të kursimeve, një hua të marrë tek djali i xhaxhait të bashkëshortit si dhe sigurimet shoqërore të mospaguara për disa muaj edhe pse punonte në një kompani ndërtimi. Komisioneri Publik, Florian Ballhysa paraqiti fillimisht vlerësimin e tij lidhur me provat e reja të dorëzuara nga prokurorja Donika Prela në seancën e 17 Korrikut, kur ajo depozitoi 375 faqe akte me të cilat pretendonte se vërtetonte se kishte patur burime të ligjshme për krijimin e pasurive që zotëron.
Prela pretendoi se vërtetonte pagesën e detyrimeve për të ardhurat e bashkëshortit; mundësinë financiare të huadhënësit të 15 mijë eurove dhe se një e punësuar në të njëjtën shoqëri ndërtuese me bashkëshortin kishte blerë nga kjo kompani një apartament në vlerën 12 mijë euro që sipas saj ishte e përafërt me shumën 1.5 milionë lekë që ata kishin paguar.
Ballhysa i qëndroi shkaqeve të ngritura në ankim edhe pas shqyrtimit të provave të reja, duke pretenduar se Prela nuk arrin nivel të besueshëm për kriterin e pasurisë.
Ballhysa tha se aktet e dorëzuara së fundmi nga prokurorja Prela tregojnë veprime të kryera pas ankimit dhe se duhet të merren me rezerva nga ana e Kolegjit.
Ai ritheksoi se nuk u arrit të provohej mungesa e dijenisë së bashkëshortit të Prelës për shmangien e detyrimeve, pasi rezultonte se një pjesë të pagës e kishte marrë në bankë, ndërsa tjetrën në arkën e shoqërisë ku punonte. “Duhet të konsiderohen me rezerva pretendimet e subjektit për pagimin e detyrimeve gjatë kryerjes së procesit të rivlerësimit”, tha Ballhysa. Edhe lidhur me vlerën nga qiraja, Komisioneri pohoi se ato mund të vlerësoheshin të ligjshme vetëm në rastin kur detyrimet tatimore kryheshin në kohën e duhur, kur ishte përfituar vlera. Ballhysa i qëndroi argumentit të tij se Prela ka patur njohuri në fushën financiare, duke qenë se kishte shërbyer në sektorin e Task-Forcës që heton krimin ekonomik.
Lidhur me pretendimet e Prelës se ishte në kushtet e pamundësisë objektive për të siguruar gjithë dokumentacionin e punësimit të huadhënësit Gj.P., Ballhysa shpjegoi se kjo gjë nuk mund të bazohej me anë të dokumenteve të lëshuara nga subjekte private të një shteti tjetër, në këtë rast të një noteri grek. Ai shtoi se në dokumentin bankar me të cilin Prela pretendon se është tërhequr vlera 1.4 milionë nga huadhënësi Gj.P., pasqyrohet se është kryer rivendosje në afat i depozitës dhe jo tërheqje. Sipas Ballhysës, Prela nuk ka patur mundësi financiare për shlyerjen e huasë 15 mijë euro.
Ballhysa tha se provat e reja nuk e ndryshojnë situatën e trajtuar në ankim lidhur me blerjen e një apartamenti në Durrës në vlerën 1.5 milionë lekë. Sipas tij, Prela dhe bashkëshorti i saj nuk kanë patur mundësi për blerjen e kësaj pasurie dhe se vlera e përfituar nga shitja nuk mund të konsiderohet si burim për apartamentin e blerë në Tiranë.
Komisioneri mbajti të njëjtin qëndrim si në ankim, edhe për dy transaksionet e kryera nga bashkëshorti i Prelës, të cilat janë raportuar nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave – lidhur me një hua prej 25 mijë eurosh, e cila nuk figuron në deklaratat e pasurisë dhe i dyti për një pagesë prej rreth 1.7 milionë lekësh, që bashkëshorti i subjektit kishte kryer në favor të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës për llogari të kompanisë së ndërtimit ku kishte punuar më parë, ndërkohë që rezultonte i punësuar në Bashkinë Tiranë.
Komisioneri Publik ngre si problem edhe standardet e ndryshme të hetimit të kryer nga Donika Prela për dy çështje që kanë të bëjnë me veprën penale të “drejtimit të automjetit në mënyrë të parregullt”.
Njëri prej të akuzuarve është proceduar në arrest me burg dhe tjetri në gjendje të lirë, duke kërkuar një rivlerësim tërësor të saj në KPA.
Në përballjen e parë me KPA-në, Prela kërkoi përjashtimin e dy anëtareve të trupës, Natasha Mulaj dhe Ina Rama.
Ndërkohë në seancën e sotme, kërkesat e Prelës nuk janë pranuar nga KPA. Natasha Mulaj dhe Ina Rama, për të cilat Prela ka thënë se ka konflikt interesi do të vijojnë të jenë pjesë e trupës.
Komisioneri Florian Ballhysa deklaroi se: “Kërkesa e Prelës për përjashtimin e Ramës është përpjekje e saj për të zvarritur dhe vonuar procesin”.
http://ikp.al/wp-content/uploads/2019/04/Parashtrimet-e-%C3%A7%C3%ABshtjes-dat%C3%AB-27.7.2020.pdf