Vendvotimet për zgjedhjet paralmentare në Mal të Zi, si dhe për zgjedhjet lokale në pesë komuna të këtij shteti, u mbyllën të dielën në orën 20:00.
Sipas të dhënave nga Qendra për Monitorim dhe Kërkime, deri në orën 19:00 kanë votuar 74.9 për qind e votuesve.
Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, tha pas votimit se nuk ka rrezik për stabilitetin e shtetit dhe sigurinë e qytetarëve, ndërsa tensionet, sipas tij, vijnë nga adresa jashtë Malit të Zi.
“Shoqëria malazeze ka kaluar nëpër tundime të tilla disa herë, andaj nuk shoh ndonjë rrezik për stabilitetin e Malit të Zi dhe për sigurinë e qytetarëve”, tha Gjukanoviq.
Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur nën tensione të larta politike dhe nën rrezikun që paraqet pandemia e koronavirusit.
Për 81 ulëset parlamentare kanë garuar gjashtë koalicione dhe pesë parti.
Këto janë zgjedhjet e njëmbëdhjeta që nga futja e sistemit shumëpartiak në Mal të Zi, ndërsa të pestat prejse ky shtet ka shpallur pavarësinë, më 2006.
Njëkohësisht zgjedhjet lokale janë mbajtur edhe në tri komunat bregdetare: Budvë, Kotor dhe Tivat, dhe në dy komuna më të vogla në veri: Andrijevicë dhe Guci.
Të drejtë vote kanë pasur 540,026 qytetarë.
Zgjedhjet janë vëzhguar nga 2,089 vëzhgues, nga të cilët 265 janë të huaj.
Në Mal të Zi ndodhet Rrjeti Evropian i Organizatave për Vëzhgimin e Zgjedhjeve (ENEMO) me gjithsej 23 ekipe.
Shefi i misionit vëzhgues të ENEMO-s në Mal të Zi, Gianluca Passarelli, ka thënë se zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi mbahen në një kohë vendimtare për këtë vend dhe se trazirat politike dhe sociale, kriza ekonomike dhe pandemia paraqesin një sfidë të madhe për të gjithë sistemin.
Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik në Mal të Zi, Boban Mugosha, ka thënë se procesi zgjedhor nuk do të paraqesë rrezik epidemiologjik nëse respektohen të gjitha masat.
Sipas tij, situata epidemiologjike në Mal të Zi është përkeqësuar për shkak të tubimeve masive, porse nga vetë zgjedhjet nuk do të ketë rrezik.
“Njerëzit mund të shkojnë lirshëm të votojnë dhe të mbajnë maska, distancë dhe higjienë. Kështu, hapësira e votimit mund të jetë plotësisht e sigurt”, ka thënë Mugosha.
Subjekti më i madh në Mal të Zi, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), që udhëhiqet nga presidenti i shtetit, Millo Gjukanoviq, garon në mënyrë të pavarur, ndërsa bartës i listës zgjedhore është kryeministri aktual, Dushko Markoviq.
DPS është në pushtet që 30 vjet, në koalicion me parti më të vogla qytetare dhe parti të pakicave kombëtare.
Nga partitë e pushtetit aktual, në garë janë edhe Social-Demokratët, Partia e Boshnjakëve, pastaj dy koalicione të partive shqiptare: “Lista shqiptare” dhe “Bashkë nji za”, si dhe dy parti të pakicës kroate.