Këtë shkrim të ndryshëm, po e bëj për të shprehur një vlerësim të sinqertë, për një mjek, që vërtet meriton të shkruash për ta falenderuar, për seriozitetin, profesionalizmin e lartë dhe humanizmin mbresëlënës. Kontakti me të do niste, pasi një sëmundje e rëndë, godet papritur një pjesëtar të familjes sime. Pikërisht në ato momente kur pandemia e tmerrshme porsa kishte nisur, Covid-19, i pamëshirshëm po merrte jetë njerëzish dhe po prekte mijëra të tjerë.
Në periudhën e parë, pësuam një goditje të rëndë psikologjike, na dukej se gjithçka po shkonte në rrokullisje pa shpresë. Pa u ndjerë prej stresit, jeta jonë po humbiste gjallërinë e ngjyrave, sytë tanë dukeshin sikur shikonin vetëm zi. Kështu po ndodhte realisht në ato momente, por shpejt, kuptova se kjo rrugë nuk të çon në zgjidhje të problemit, përkundrazi dëshpërimi të merr si ortek përpara dhe nuk dihet ku të përplas. Jeta kështu është ndërtuar, vjen me gëzim dhe mund ta humbësh me dëshpërim. Ne kemi në dorë, vetëm t’i shërbejmë, që të mund të gëzojmë jetën me familjet tona, por dhe të kemi forcën dhe kurajon, për t’u përballuar dhe të keqen kur vjen, nëse duam të ecim përpara. Kështu bëmë dhe ne të gjithë si familje, më së pari filluam të kuptojmë situatën, ku nisëm të kontraktojmë mjekë dhe ju nënshtruam shumë analizave për të kuptuar se ndodheshim në një situatë, ku pak na ndante nga një dhimbje e madhe. Në këto raste, gjithkush kërkon të bëjë të pamundurën, për të lehtësuar dhimbjen e njeriut, që ka ndarë frymën, dhimbjen, gëzimin, jetën.
Për këtë, fillova të kërkoj nga shumë mjekë miq të mi, se cila ishte rruga më e mirë, që mund të bënim në këtë rast që të fitonim jetën, e cila në ato momente ishte varur në një ekuilibër tepër delikat. Në këtë kohë, një gjë më ka lënë përshtypje, se të gjithë kishin mendimin, për një protokoll mjekimi të shpejtë, me kimioterapi dhe radioterapi intensive falë dhe aparaturave që ndodhen në spitalet shqiptare, më pas duhej bërë patjetër ndërhyrje kirurgjikale. Kur unë kërkova një kirurg, që mund të merrte përsipër këtë rast, pasi ishin evidente vështirësitë, të gjithë miq dhe dashamirës madje dhe mjekë kirurgë të ndryshëm më tregonin, për një kirurg turk, që mund ta merrte përsipër dhe se mund të bënte çudi në këtë rast. Fillimisht më ka bërë përshtypje të madhe, se kur ta thonë dhe mjekë kirurgë, që e bënin këtë sëmundje operacion, tregonte se nga njëra anë shkalla e vështirësisë ishte e madhe, sepse kishte rrisk dhe se mjeku që mund ta merrte përsipër ishte vetëm doktor Bahadir Celep, shef i kirurgjisë në Hospital Hygea. Fillimisht i shtyrë nga halli që më kishte kapluar dhe për të kërkuar shpresën për jetën e njeriut tim, vendosa pavarësisht vështirësive ekonomike të kontraktoj me këtë doktor që ishte në këto kushte fati dhe magjia sepse kështu ndodhi. Para se të kontaktoja, kërkova për doktorin e artë, përmes internetit dhe të dhënat për të, ishin vërtet të tilla, që të ngjallnin besim dhe shpresë.
Ishte me një eksperiencë mbi 20 vjeçare si kirurg i përgjithshëm. Ishte një mjek me formim të plotë, kishte studiuar për mjekësi në Turqi dhe më pas në Austri. Karriera akademike ishte shumë e pasur, pozitive me artikuj dhe kërkim shkencor, ku ka fituar dhe gradën e Prof. Asoc. Dr. Por ajo që më tërhoqi dhe të bënte përshtypje, ishte numri i lartë i ndërhyrjeve që kishte kryer, që kalonin mbi 6.000 mijë, ku 1.000 prej tyre i ka kryer në Austri dhe SHBA. Kontributi tij është mjaft i rëndësishëm në spitalet e Ankarasë dhe Ministrinë e Shëndetësisë të Turqisë. Të gjitha këto më bënë, që ta formalizoj një takim me të duke u ndihmuar dhe nga miku im dr. Leonard Solis, i cili jo për formalitet, por me dashamirësi të dukshme brenda mirësisë njerëzore që ka na ndihmoi, për të bërë një takim të gjatë me këtë doktor, që dua të them se që në fillim ishte shumë mbresëlënëse për mua, se kuptova arsyen, përse të gjithë me drejtuan tek ky njeri i qetë, që ishte mjek i mrekullueshëm. Gjatë bisedës së parë kuptova se zotëronte qetësi dhe seriozitet e domosdoshme, për një kirurg të përmasave të tij. Unë mund të them se është fat që një kirurg turk me aftësinë e Bahadir Çelep, të ndodhet në Shqipëri, në shërbim të të sëmurëve, që nuk janë të detyruar të marrin avionët, për t’u kuruar në vende të ndryshme. Nuk dua të bëj krahasime me mjekët tanë, që bëjnë një punë të shkëlqyer në spitale private apo shtetërore, por që për hir të së vërtetës, disa duhet të kenë aftësinë, për të parë shembuj të tillë, për të krahasuar veten jo vetëm nga pikëpamja profesionale, por dhe për etikën, që duhet të ketë një mjek, që i shërben një pacienti. Qoftë në spitalet shtetërore apo private, duhet të përcjellë besim.
Sepse ndryshe nga shumë mjekë të tjerë, që kur shohin kartelën e plotë me analiza, skaner, do të thoshte menjëherë ok, situata është e qartë. Por për këtë doktor, ishte ndryshe. Pasi i pa të gjitha na thotë, se nuk janë të mjaftueshme, për të përcaktuar situatën dhe terapinë e duhur në këtë rast. Prandaj pasi studimit me hollësi, kërkoi të shikonte vetë situatën duke i bërë një vizitë dhe një kontroll të imtë pacientit. Kjo nuk ishte në protokollet spitalore, sepse ishte një kontroll që zgjati në kohë dhe kur mbaroi, na shpjegoi me imtësi, çfarë kishte ndodhur dhe si do ishte terapia, deri në operacion, rehabilitimi, deri shërimi i plotë. Unë tek ai pashë një mjek që emrin që kishte, e kishte me hak dhe hallall dhe se punonte që ta ruante atë. Ky seriozitet dhe profesionalizëm ishte në çdo fazë mjekimi dhe në çdo moment që kontraktonim, për të parë ecurinë e terapisë, vazhdonte të shihte çdo analizë me të njëjtin përkushtim profesional, që të ngjallte besim dhe respekt. Po sjell një fakt, kur do shihte koreskopinë e pa atë në kompjuter nga fillimi deri në fund dhe gjatë gjithë kohës mbante shënime dhe kjo zgjati jo pak, pavarësisht se kishte dhe raportin e mjekes përkatëse.
Në ato momente, mu kujtua një mjek, që edhe përshkrimin që duhet të bënte nga skaneri, në një nga spitalet shtetërore e bëri gabim. Pas kësaj ishte shumë e qartë dhe i sigurtë, se çfarë po ndodhte dhe si do vepronte më tej. Këtë na shpjegoi me detaje dhe i bindur se pavarësisht se situata paraqitej tej e vështirë, kishte analizuar me hollësi çdo mundësi, nisur dhe nga provoja e gjatë si kirurg, na dha mundësi të besonim se do bënte të pamundurën. Në të vërtetë kështu ndodhi, pas një ndërhyrje tejet të gjatë, nga mëngjesi deri mbasdite vonë, pavarësisht ankthit që na shoqëronte në çdo minutë e orë që kalonte përsëri isha besimplotë. Dhe nuk më gaboi intuita, kur doktori u paraqit para nesh, pamë se në qetësinë e tij dukej rezultati optimist. Na informoi duke na shpjeguar gjithçka me hollësi, se çfarë kishte ndodhur dhe se rezultati ishte mjaft i mirë. Kishte shkuar shumë mirë, çka u bë e qartë dhe nga ecuria pas operatore. Tani rikuperimi po shkon në parametra normalë. Pra në përfundim, nuk humba jetën e njeriut të dashur, kjo falë një doktori fjalëpakë, me mendje të kthjellët, serioz, me zemër njerëzore dhe duar të arta, që ishte një mjek turk, që beson në vlerat humane, Bahadir Çelep.
Sot pas kaq kohësh, doja t’i shpreh mirënjohjen time një doktori, që vërtet bën mrekullira, (nuk kam parasysh doktorin e mrekullive në serialin e ri turk, që do nisi së shpejti sepse në këtë rast nuk bëhet fjalë për skenar filmi), por është një realitet që unë e jetova, pas një sëmundje të rëndë në familjen time. Unë e konsideroj vërtet fat, për mjekësinë shqiptare, shtetërore dhe private, që ka mjekë të nivele të tilla, ku padyshim Bahadir Celep, për mua është në krye, duke përfaqësuar denjësisht modelin dhe shkollën e kirurgjisë turke dhe asaj perëndimore, që është një pasuri me vlerë të padiskutueshme. Besoj se dhe Ministria e Shëndetësisë, këta mjekë që kanë aftësi të tilla, mund t’i kërkojë që përvojën e tyre, të mund t’i vënë në shërbim të mjekësisë shqiptare, për të përhapur eksperiencën e shkollave tyre, në konferenca shkencore, por dhe në auditoret e Fakultetit të Mjekësisë, sepse sjellin standarde të larta.
Me këtë rast dua të qartësoj se vërtet ai punon në një spital privat Hygea, që kanë pagesa me kosto financiare, që shpesh na vënë në dilema të mëdha, kjo ndodhi dhe me problemin tim, por falë familjarëve, miqve, që nuk më lanë vetëm, në këtë hall si dhe artit tim, që munda të përballoj me shtrëngesë pagesat që duheshin për këtë sëmundje të papritur të rëndë dhe tinzare. Këtu ka dhe një problem shumë të madh social që buron nga sigurimi shëndetësor. Kartat tona shëndetësore nuk kanë asnjë vlerë reale. Sepse personi i familjes sime ka punuar 43 vjet punë dhe ka paguar sigurimin shëndetësor pa marrë asnjë herë raport. Tani përplaset me një problem të madh shëndetësor dhe nuk i afrohet nga sigurimi shëndetësor asgjë! Në këtë rast shteti jep atë bonus që ka në spitalin shtetëror, pjesa tjetër paguhet nga familjarët. Kjo do ishte më e drejtë, familja paguan pjesën e luksit.
Unë dhe familja ime po e kalojmë përballjen me këtë të keqe, që na goditi në momente tejet të vështira falë doktorit të artë Bahadir Çelep, që kreu një terapi dhe operacion shumë efikas me një profesionalizëm të shkëlqyer. Puna e tij, kujdesi deri dhe shërbimet pas operatore i bënte vetë, pavarësisht se ishin infermierët që e kishin detyrë, aftësia dhe përkushtimi, më riktheu jetën e njeriut tim të dashur dhe gëzimin familjar mes nesh. Prandaj gjeta këtë mënyrë për të shprehur falënderimin dhe mirënjohjen time.