Nga BoldNews.al
Në një vendim të Qershorit 2020 të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) zbulohet se Autoriteti Rrugor Shqiptar ka anuluar në mënyrë të dyshimtë dy herë tenderin me vlerën 6.5 milionë euro për ndërtimin e rrugës “Porto Romano-Durrës, Loti 3”, para se të shpallte për herë të tretë procedurën.
Në të dy rastet e anulimit, përgjegjësia është e autoritetit kontraktor, megjithëse Autoriteti Rrugor Shqiptar, në argumentat zyrtare, është munduar të justifikohet se tenderi u anulua “për shkaqe që dalin jashtë kontrollit të autoritetit kontraktor”.
Referuar dokumentave të siguruar nga “Boldnews.al”, rezulton se tenderi u shpall për herë të tretë, por u anulua sërish, pas një vendimi të Komisionit të Prokurimit Publik.
Tashmë është në zhvillim procedura e katërt për të njëjtin tender dhe, në rast se nuk ka shtyrje të tjera, fituesi mund të publikohet së shpejti.
Por, gjithësesi, vijimi i procedurës nuk shmang përgjegjësitë administrative të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe dyshimet se institucioni mund të jetë “investuar” fillimisht për të orientuar procedurën drejt ndonjë kompanie të paracaktuar.
Anulimi i parë
“Boldnews.al” ka konsultuar dokumentat e tenderit, në bazë të të cilave konstatohen një seri parregullsish, përgjegjësia e të cilave bie tërësisht mbi autoritetin kontraktor, Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Në 24 Prill 2020, në kulmin e kufizimeve sociale për shkak të pandemisë Covid-19, Autoriteti Rrugor Shqiptar shpall tenderin “Ndërtimi i rrugës Porto Romano-Durrës, Loti 3”, me fond limit 669.384.858 lekë pa TVSH (rreth 6.5 milionë euro).
Pak ditë më pas, Autoriteti Rrugor vendos anulimin e procedurës, me argumentin “për shkaqe që dalin jashtë kontrollit të autoritetit kontraktor dhe të paparashikueshme në kohën e fillimit të procedurës së prokurimit”.
Por, në ripublikimin e procedurës tenderuese, në 7 Maj 2020, rezultoi se arsyeja e anulimit nuk kishte të bënte aspak me “shkaqe të paparashikuara”.
Shkak për anulimin e tenderit të parë ishte “gabimi” që Autoriteti Rrugor Shqiptar kishte bërë në kriteret e përzgjedhjes së fituesit.
Mënyra e përzgjedhjes së fituesit nuk mund të jetë kurrësesi shkak “i paparashikueshëm”, pasi është një kriter që vendoset vetë nga autoriteti kontraktor.
Megjithatë, Autoriteti Rrugor Shqiptar vendosi të rihapë për herë të dytë tenderin 6.5 milionë euro për ndërtimin e rrugës “Porto Romano-Durrës, Loti 3”, e cila pritej të mbyllej në 10 Qershor 2020.
Anulimi i dytë
Në 29 Maj 2020, vetëm pak ditë para datës së zhvillimit të tenderit, Autoriteti Rrugor Shqiptar vendos të anulojë sërish procedurën.
Sipas argumentit zyrtar të ARRSH-së, “janë ka konstatuar mospërputhje të projektit me specifikimet teknike dhe preventivin e punimeve. Për këtë arsye, autoriteti do të vijojë me rishikim të projektit”.
Ky argument, në rastin më të mirë, tregon për dështimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar në procedurën për këtë tender.
Është jashtë logjikës normale që autoritetet publike të nisin procedurat e prokurimit publik, pa hartuar më parë, në mënyrë të plotë specifikimet teknike dhe preventivin e punimeve, në të gjithë llojet e kontratave dhe, sidomos në ato për punë publike.
Por nuk përfundon këtu. Autoriteti Rrugor Shqiptar, në njoftimin për anulimin e procedurës për herë të dytë, shënon se do të rishohë projektin.
Por, sipas dokumentave të siguruar nga “Boldnews.al” rezulton se, në të njëjtën ditë, ARRSH ripublikon procedurën e tenderit, në të cilën duket se nuk ka asnjë ndryshim në projekt.
Autoriteti Rrugor Shqiptar e shoqëron procedurën e re me një sqarim “Mbi procedurën e tenderit të objektit Ndërtim Rruga Porto Romano loti 3”.
Ky sqarim është kryer nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Autoritetin Rrugor Shqiptar, strukturë që nuk e ka tagrin ligjor për të ndërmarrë një iniciativë të tillë.
Në datën 1 Qershor 2020 është publikuar për të tretën herë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar procedura e prokurimit me objekt Ndërtim Rruga Porto Romano Durrës Loti 3.
Nga konsultimi i dokumentacionit për anulimin e dy procedurave të mëparshme, rezulton se ato janë përgjegjësi e Autoritetit Rrugor Shqiptar, nën dyshimet për fitues të paracaktuar dhe shkelje të barazisë në tendera.
Këto problematika, si edhe të tjera, janë konstatuar nga kompani pjesëmarrëse në tender, të cilat janë ankimuar pranë Komisionit të Prokurimit Publik, pasi kërkesat ishin refuzuar paraprakisht nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) pranoi pjesërisht ankesat, duke i kërkuar Autoritetit Rrugor Shqiptar për të ndryshuar specifikimet teknike, me qëllim krijimin e kushteve për një garë të barabartë.
Bazuar në vendimin e KPP-së, Autoriteti Rrugor Shqiptar rihapi për herë të katërt tenderin për ndërtimin e rrugës “Porto Romano Durrës, Loti 3”.