Analisti Preç Zogaj, në një shkrim të tijin me titullin “Shifrat për drogën ose karnavali i mbuluar nga vergonja” thotë se pala italiana ka asistuar dhe ka lejuar që Policia Shqiptare të mashtrojë për drogën.
Në një shkrim për “Panorama” Zogaj merr në analizë raportet e Policisë Italiane për drogën në Shqipëri dhe del në këtë përfundim.
NGA PREÇ ZOGAJ
Shifrat e Ramës dhe Tahirit për suksesin e luftës kundër drogës gjatë dy viteve të fundit janë fantastike. Asnjë qeveri në botë që është përballur me këtë fenomen nuk ka mundur t’i arrijë në një kohë kaq të shkurtër. Gjatë vitit 2015 policia ka asgjësuar nëntëdhjetë e nëntë presje gjashtë për qind të sipërfaqes së mbjellë me kanabis. Nëntëdhjetë e nëntë presje tetë për qind këtë vit.
Vitin e kaluar policia e ka pasur disi më të lehtë, sepse sipërfaqja e kultivuar me drogë ka qenë 47,7 ha. Këtë vit sipërfaqja është pesëfishuar, është bërë 213,4 hektarë.
E megjithatë, asgjësimi i është afruar njëqind përqindëshit. T’i marrësh të mirëqena këto rekorde, do të thotë të mbetesh pa fjalë, të mos dish çfarë lavdesh t’u thurësh të gjithë atyre që kanë kontribuar për t’i arritur, të mos dish ku t’i vesh kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri që kanë udhëhequr këto fitore madhështore.
Atyre që kanë marrë pjesë nga pozitat opozitare në këtë luftë u mbetet t’i gëzohen pa zë kontributit të tyre sensibilizues qoftë edhe duke e tepruar me alarmet dhe denoncimet e bëra. Por fundi mirë, gjithçka mirë, thotë fjala e urtë.
Mbi të gjitha dhe kjo është më e rëndësishmja –fitorja e plotë e qeverisë kundër drogës është lajmi i madh se zgjedhjet e ardhshme parlamentare nuk do të merren peng dhe votat nuk do të blihen me paratë e drogës. Sepse nuk ka më drogë. Qeveria e zhbiu.
Nga gjithë sipërfaqja e pesëfishuar e mbjellë këtë vit, vetëm 0,2 për qind e saj i ka shpëtuar operacionit të Policisë së Shtetit. E çfarë është 0,2 për qind e 213 hektarëve? Asgjë. Një sipërfaqe e papërfillshme, më e vogël se një fushë futbolli. Janë asgjësuar sipas drejtorit të Policisë së Shtetit, 2.406.206 (dy milionë e katërqind e gjashtë mijë e dyqind e gjashtë) bimë.
Operacionit i kanë shpëtuar vetëm nja dy mijë e katërqind rrënjë të shkreta. Sa për syrin e keq, siç thotë populli. Do ishte shumë bukur t’i besosh si të qepura, logjike, bindëse dhe të padyshueshme këto njoftime. Ka fusha ku kriticizmi apo opozitarizmi për çështje të caktuara nuk kanë dëshirë të përgënjeshtrohet nga faktet. Këtu nuk hyn droga.
Çdo opozitar normal parapëlqen të mos ketë drogë. Edhe sikur qeveria të marrë nderimet më të larta për këtë. Por shifrat që paraqet qeveria nuk dalin, nuk rakordojnë. Filli i arsyes elementare nuk i lidh dot në një tërësi logjike.
Mendimi i parë dyshues që sulet të mbushë çarjet logjike elementare të këtyre shifrave është ky: sa mirë e dinë me presje dhjetore këta të policisë dhe qeverisë sipërfaqen e asgjësuar në raport me sipërfaqen e mbjellë! Si të mos jetë veprimtari e paligjshme, por e planifikuar, siç ishte dikur kultivimi i grurit, i misrit e të tjerë!
Mendimi i dytë: Si ndodhi që pasi u shpartalluan një vit më parë, kur policia paska asgjësuar 99,6 për qind të sipërfaqes, narkokultivuesit dhe narkotrafikantët vendosën të pesëfishonin një vit më vonë? Po vitin tjetër sa hektarë më shumë do të mbjellin, meqenëse këtë vit shpartallimin e kanë pasur shumë më të madh?
Mosrakordimet logjike si këto nuk janë asgjë në krahasim me mosrakordimin e fakteve, shifrave. Gjatë katërpesë ditëve të fundit, pas shpalljeve të bujshme të qeverisë për asgjësimin e plotë të arave dhe ngastrave të mbjella me kanabis, policia dhe mediat italiane, shqiptare dhe greke kanë raportuar pothuajse çdo ditë për kapje të konsiderueshme droge me origjinë nga Shqipëria ose brenda në Shqipëri.
734 kilogramë në Salerno, 277 kilogramë në Leçe, 324 kilogramë në Vlorë, kapje të tjera në sasi më të vogla në kufirin në Greqinë dhe në qytete të tjera të vendit, mbi 1,5 tonë në total nga një llogaritje e thjeshtë. Në qofte se e shtrijmë këtë vëzhgim në muajt gusht dhe shtator, do të shohim se sasitë e kapura e të raportuara kalojnë mbi njëzet tonë.
Fakti që kapja e drogës ka këtë shtrirje në kohë, tregon se trafiku është në trendin e vet normal, ku sipas studiuesve të fenomenit, rreth tre të katërtat e sasisë kalojnë. Do të thotë se rreth gjashtëdhjetë tonë kanë kaluar. Por ta zëmë nuk ka kaluar asnjë kilogram, ta zëmë se gjithë sasia që është tentuar të trafikohet është kapur. Pyetja që shtrohet është: Ku janë prodhuar këto njëzet tonë?
A mund të prodhojnë njëzet tonë drogë dy mijë e katërqind bimët që i paskan shpëtuar operacionit të famshëm? As në mitologji nuk gjen bimë që mbajnë pesha të tilla. Edhe sikur të kenë gjethe graniti. Në shifrat e paradës mahnitëse të qeverisë nuk ka vend për tonelatat me drogë të kapura në brigjet italiane, në kufirin grek apo brenda në territorin shqiptar. Ne duhet të besojmë se këto tonelata janë prodhuar në hënë. Aq më pak ka e do të këtë vend në shifrat e qeverisë për sasitë që po kapen e do të kapen në vijimësi. Edhe për këto sasi, që do të vijnë duke u rritur, pasi duket qartë se trafiku është në ekspansion të paparë, do të duhet të mendojmë se janë prodhuar në ndonjë planet tjetër. Në fakt nuk kanë ku të prodhohen tjetër përveçse në Shqipëri. Para vëzhgimit dhe gjatë vëzhgimit nga ajri të italianëve. Në 17 për qind të territorit të vëzhguar prej tyre dhe në pjesën tjetër të territorit të pavëzhguar prej tyre. Kështu që gjëja me logjike për t’u menduar është se për qëllimet e saj elektorale dhe propagandistike, qeveria e Edi Ramës dhe Ilir Metës kanë organizuar karnavalin më të madh të mashtrimit dhe fyerjes së inteligjencës elementare që është parë ndonjëherë, duke inskenuar me regji qendrore triumfin 99,8 për qind mbi kanabisin në vend. Ndërkohë që tonelatat e bëra gati për t’u trafikuar ishin nisur dhe vijojnë të nisen çdo ditë drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Europës. E gjithë kjo në praninë e një ekipi të përzishëm italianësh të Guardia di Finanza e të tjerë. Me tri të dhënat e tyre korrekte vëzhgimin 17 për qind të territorit, pesëfishimin e sipërfaqes së mbjellë në territorin e vëzhguar dhe fillimin e vëzhgimit në muajin korrik, pasi narkokultivuesit shqiptarë kishin eksperimentuar me farën e re vietnameze që paska një cikël nga 25 në 45 ditë pra me këto të dhëna që e lënë hapur shpjegimin e sasive të mëdha të drogës së pakapur, italianët e lejuan palën shqiptare të frynte tullumbacen e nëntëdhjetë e nëntë presje tetë përqindëshit. “E lejuan” nuk e thotë tamam atë që pamë. E asistuan. E mbuluan me praninë e tyre të rëndë duke u ofruar të përdoreshin si palë sa e epërme, aq edhe e njësuar me palën shqiptare në një komunikim fluid ku nuk merrej vesh mirë çfarë ishte shqiptare dhe çfarë ishte italiane në paradën e shifrave absurde, deri për shifrën e dy milionë e katërqind mijë bimëve të asgjësuara që italianët e miratonin lehtë si të kishin qenë noterët e numërimit një për një të bimëve! Dhe pastaj ajo shakaja pa kripë e kolonelit “po të kisha një copë tokë në Shqipëri, nuk do ta mbillja grurë, por kanabis”, që i vuri vulën e vergonjës (1) karnavalit që pamë. Pse kjo? Një gjë e madhe ka ndodhur ose pritet të ndodhë. Me rëndësi për Kryeministrin tonë që po mban këto ditë trengjyrëshin e flamurit italian në mëngë. Nuk e dimë a po mban dikush në pallatin Kixhi dyngjyrëshin e flamurit tonë. Se ku fle lepuri, do të duhet ta mësojmë në ditët që vijnë. Ngjarjet pasardhëse i ndriçojnë pararendëset.P.S: Vergogna në italisht do të thotë turp./Panorama/