Nuk sheh kurrë filma, përveç dokumentarëve, dashuron ushqimin e detin dhe s’ka rivalë. Qeqa Krelani është komentatorja e parë shqiptare në historinë e futbollit shqiptar, e cila tashmë numëron dy dekada si gazetare profesioniste në Kosovë, duke e konsideruar televizionin terrenin e saj të sigurt.
Motra e pandashme e këngëtares, Flaka Krelani, për “Panorama Plus”, zbulon sekretet e një vajze të guximshme, ndryshe nga stereotipi që jemi mësuar të shohim shpesh në ekranet tona.
Nga stadiumi në një studio televizive, të tërheq më shumë futbolli në fushë apo futbolli me mendjen e debatuesve të tjerë?
Të dyja janë shumë tërheqëse për mua. Në fushë, patjetër që gjithmonë është ndjenjë e drejtpërdrejtë, sepse gjërat ndodhin live. Ndërsa në studio me debate është teori që na jep shanse të themi apo të analizojmë atë që nuk kemi kohë ta bëjmë live.
Njihesh si komentatorja e parë femër në historinë e futbollit shqiptar. Cilin nga komentatorët meshkuj mund ta konsiderosh rival dhe cilin nuk e vlerëson dhe aq?
Njerëzit që nuk kane¨ vetëbesim, e konsiderojnë dikë rival. Në këtë industri, si femër më shumë, duhet të kesh guxim sesa talent e bukuri. Komentimi, po të ishte ekuacion i bukurisë, para meje do të ishin me qindra femra komentatore, sepse ka më të bukura se unë 100 herë. Por unë më të fortë kam guximin sesa bukurinë. Unë përfaqësoj zërin e femrës dhe me meshkuj as që hidhem në vallen e garës, sepse janë gjini që kanë pasur privilegjin të komentojnë që nga krijimi i këtij sporti, për shkak të origjinës së realitetit. Po të fillonim nga e para, paralelisht femër dhe mashkull, jua garantoj që do të ishim të përafërt. Nuk kam rivalë. Rivalë i quaj ata që thonë femrat janë veç për kuzhinë. Ndërsa kuzhinierët më të suksesshëm botërorë janë meshkuj. Sa hipokrizi!
Sa u takon futbollistëve, njërin e ke quajtur “idiot”, ndërsa dikë tjetër e ke përmendur për flirtin që ka bërë me ty. Cilat janë marrëdhëniet aktuale me secilin prej tyre?
Unë vetëm kam treguar të vërtetën. Nuk njihemi personalisht me ta. Idenë s’e kam çfarë bëjnë dhe idenë s’e kanë çfarë bëj.
Nëse do të gjendeshe para një zgjedhje, cilin futbollist shqiptar do kishe preferuar për flirt, atë për bashkëshort dhe kë do ta refuzoje menjëherë?
Për bashkëshort kisha zgjedhur një futbollist si babi im, copy paste. Me këmbën e majtë, numrin 10 dhe me zemër në fushë. Do refuzoja ata që marrin poza para portës dhe puthin më shumë femra sesa tituj.
Këtu në Shqipëri shpërtheu sërish debati në lidhje me veshjet provokuese apo zhveshjen në ekran të moderatoreve të sportit. Ti çfarë argumenti do të jepje për ta mbështetur apo kundërshtuar këtë debat?
Unë nuk jam moderatore sporti. Unë jam gazetare me 19 vite karrierë në Radio Televizionin e Kosovës. Punën nuk ma ka dhënë as partia, as shefat, prandaj nuk kam asnjë ndërhyrje që të më dizajnojnë sesi duhet të dukem e të flas. Por përderisa ia paguaj taksat këtij vendi deri në centin e fundit, kam të drejtë të vishem dhe të dukem siç dua unë. Mirëpo, për moderatoret e sportit që dalin vetëm si kukulla dhe brenda 1 ore emision gjithçka thonë është “birra…” dhe “butiku filani”, ato gjithçka janë, vetëm moderatore sporti nuk janë.
Të jesh në piacën e moderatoreve të sportit kërkon shumë para? Pra, sa i rëndësishëm është luksi në jetën tuaj?
Për të mos tingëlluar si shumë modeste: Paraja nuk është gjithçka, por kryen punë për shumëçka. Sidoqoftë, në fillim të karrierës unë kam pasur momente kur kam punuar pa para, sepse kam hyrë në RTK pas luftës ku gjithçka ishte shkatërruar. Jam fëmijë i ish-Jugosllavisë dhe kam jetuar edhe pa luks edhe me luks.
Jeta jote jashtë ekranit cila është, ç’hobe apo pasione të tjera ke jashtë televizionit?
Jam e obsesionuar me detin, me ushqimin. Më pëlqen jeta e qetë, larg zhurmës. Filma nuk shikoj kurrë. Dokumentarë 1 herë në ditë me patjetër. Më pëlqen të studioj gjëra të ndryshme. Bëj shumë jetë të qetë. E pandashme nga motra ime, Flaka.