Spanja nuk është Lihtenshtejni dhe Xhani De Biazi s’mund të dalë nga roli. Shqipëria do të rikthehet ajo e zakonshmja nesër në “Loro Boriçi”, me skemën e preferuar të trajnerit italian, 4-5-1. Një tjetër strategji do të ndiqet ndaj iberikëve, nisur edhe nga cilësia e madhe që ka kundërshtari, i cili vjen në Shkodër me synimin e vetëm për të marrë tri pikë.
Kuqezinjtë janë stërvitur në fushën sportive “Reshit Rusi” mëngjesin e së shtunës dhe ajo është tentuar të realizohet me dyer të mbyllura dhe larg vëmendjes së të gjithëve. Në stërvitjen e paradites, trajneri De Biazi është ndalur te disa veprime kryesisht në anën taktike të ekipit. Italiani ka preferuar që të kurojë më shumë fazën mbrojtëse.
Kështu 4-shja e mbrojtjes në këtë seancë është përbërë nga Hysaj, Gjimshiti, Mavraj dhe Agolli, e cila pritet që të konfirmohet sot në “Loro Boriçi” përpara gardianit Berisha. Në mesfushë janë aktivizuar Roshi, Lila, Xhaka, Lenjani dhe më të avancuar Hyka dhe Balaj. Megjithatë këtu janë dhe dyshimet më të mëdha. Sepse në stërvitjen e fundit në “Loro Boriçi” është aktivizuar edhe Lila.
Burime të sigurta të “Panorama Sport” pranë Kombëtares treguan dje se italiani ka në kokë të paktën tri ndryshime në krahasim me ndeshjen në Lihtenshtejn. U përfol edhe për një ndryshim në sulm ku gjasat ishin që De Biazi të hiqte dorë nga bomberi Bekim Balaj, duke i besuar Sokol Cikalleshit.
Duke iu përshtatur kundërshtarit, por edhe karakteristikave të Cikalleshit, mendohet se “muri” i kuqezinjve për të mos lënë hapësira do të niste pikërisht nga sulmuesi kavajas. Lëvizshmëria e tij e madhe për t’u bërë presion mbrojtësve si Pike dhe Ramos, në mënyrë që këta të fundit të mos fitojnë metra në fushë, shihej si opsioni më i mirë në krahasim me karakteristikat që ka Balaj.
Por qendërsulmuesi shkodran është lojtari i momentit te Shqipëria, me dy gola të shënuar në po kaq ndeshje, dhe nga ajo që u provua në stërvitjen e fundit, nuk e rrezikon t’i përsëritet e njëjta situatë si në edicionin e kaluar. Kështu që ai pritet të jetë titullar.
Mbrojtja do të ketë vetëm një lëvizje, teksa vendin e Alijit do ta marrë kapiteni Agolli. Hysaj nga e djathta dhe Gjimshiti e Mavraj në qendër janë të padiskutueshëm. Në mesfushë rikthehet titullar Memushaj, ndërsa pjesa tjetër do të plotësohet nga Xhaka dhe Lila, si dhe Roshi dhe Lenjani (ul në stol Hykën), që do të luajnë nga krahët. Në stol do të ulet edhe Azdren Llullaku, që debutoi si titullar ndaj Lihtenshtejnit./ Panorama Sport