Shkrimi i pak ditëve më parë i Henri Çilit se populli do të votojë Ramën për një mandat të dytë vitin e ardhshëm vijon të krijojë politikë. Pas këtij shkrimi ishte Andi Bushati, i cili në një status në facebook kujtonte se të njëjtën gjë Çili kishte thënë edhe në vitin 2013 për kryeministrin e asaj kohe, Sali Berisha, që sipas tij duhet të merrte një mandat të tretë.
Sot, Henri Çili i është përgjigjur me një shkrim të gjatë në gazetën Mapo dhe po sot, Andi Bushati ka reaguar në portalin e tij lapsi.al.
Henri Cili: Më tej akoma në zgjedhjet para vitit 2013, ku qeverisja demokrate ose kishte humbur thelbin e saj reformues, ose kishte ngadalësuar atë, kam bërë një pyetje në gazetën Mapo: “Për çfarë i duhet më tej pushteti Sali Berishës?”, një nëntekst i thjeshtë, që nëse nuk bën reformime të mëdha ose liberalizime të mëdha të tregut, nuk ka asnjë arsye që të qëndrojë në pushtet si kryeministër i djathtë. Madje, me shumë shqetësim në shkurt të vitit 2012 kam shkruar: “A ka perënduar ylli politik i Genc Pollos, Genc Rulit dhe Arben Imamit”, në kushtet ku qeverisja e Partisë Demokratike po manifestonte një lodhje shumë të madhe, jo vetëm te grupi tradicional i partisë ose Berishës vetë, por edhe atyre që kishin ardhur në Partinë Demokratike, ishin rikthyer si kontestatorë, si personalitete të rëndësishme siç ishte rasti i Genc Pollos, Genc Rulit dhe Arben Imamit. Të njohura janë debatet publike që kam bërë me Edi Ramën kundër shëndetësisë falas apo kundër disa proceseve të tjera, të cilat ishin me natyrë përqendruese ose propozonin përqendrime pushteti, si rasti i Byrosë së Hetimit si instrument i qeverisë. Kam denoncuar gjatë zgjedhjeve të vitit 2013 rënien e Edi Ramës nën populizëm, nga i cili e pësoi i pari për armët kimike dhe po e pëson sot për importin e mbetjeve. Sigurisht, e kam mbyllur me editorialin e datës 22 qershor 2013 me kopertinën përkatëse të gazetës Mapo me titullin: “Shqipërisë i duhet ideja liberale, Shqipërisë i duhet lidershipi i Berishës”. Pra, në qoftë se e vëren, ka vazhdimisht një koherencë idesh që lidhet me liberalizmin, reformizmin, me idetë e djathta në ekonomi dhe përgjithësi me reformizmin dhe me konceptin e kalimit e ristrukturimit të sistemit të ri ku jemi futur, të demokracisë liberale dhe kapitalizmit. Dy shkrimet me të cilat Bushati spekulon, jo vetëm nuk janë ashtu, por edhe sikur të ishin Bushati nuk mund t’i kuptojë sepse janë shkrime profesioniste të shkencave politike kundrejt opinioneve të një amatori, sikurse zoti Bushati është në fushën e analizës. Edhe pse do t’i haja hakun po të mos i jepja meritën e të qenit profesionist si redaktor. Shkrimi i parë, në vitin 2008, ka të bëjë me një fenomen të sociologjisë elektorale. Kur demokracia shqiptare po normalizohej, po strukturohej brenda një cikli normal, kishim kaluar rotacionin e pushtetit 2005, dhe dukej qartë që mazhoranca ishte në avantazh dhe ishte në një cikël transformimi të vendit, kohë kur shkrova “Fenomeni: Mandati i parë sjell të dytin”. Asgjë më shumë se një analizë më se normale e politologjisë, rasti kur në vendet demokratike, të konsoliduara pak a shumë, çdo qeveri kalon në mënyrë të natyrshme dy mandate, sepse ritmi dhe tempi i reformave është akoma i lartë, motivimi i qeverisë është ende i lartë, njerëzit kanë pritshmëri dhe nuk duan t’i ndryshojnë gjërat, dhe po ashtu opozita ka “punët e veta”, është duke u reformuar, duke u vetëkritikuar, duke u vetëpastruar dhe duke ndërtuar identitetin e ri për ta çuar shoqërinë përpara. Pra, ky është një shkrim prej politologu dhe mund të gjejmë sa të duash shembuj ku analiza e shkencave politike çon pikërisht në këtë përfundim; pra mandati i parë sjell të dytin dhe cikli i qeverive është kryesisht dy¬mandatësh. (Edhe pse mund të ketë dhe përjashtime për shkak të krizave.) Pra, kjo është analiza prej profesionisti kundrejt këndvështrimit amator që kryesisht na ofron Bushati në shkrimet e tij. Por jo vetëm amator, por dhe dogmatik punist, madje dhe moralist pa meritë. Shkrimi i dytë, që Bushati në mënyrë spekulative e mbivendos tek i pari, është fakti që unë në vitin 2013 kam mbështetur një mandat të tretë dhe historik të Berishës në funksion të faktit që ishin për t’u përmbyllur disa procese, disa reforma të nisura, por të lëna rrugës pa guxim, rrezik që i kanoset dhe sot Edi Ramës për mandatin e dytë. Gjithmonë reforma liberalizuese, të instalimit dhe strukturimit të kapitalizmit, reforma de¬punistizuese, të cilat duhet thënë që Sali Berisha i mori, por jo të gjitha në mënyrë të bindur dhe përfundimtare, dhe jo me guximin e duhur. Duke bërë pjesë në pakicën e shqiptarëve që votuan Berishën në 23 qershor, me dhënien e dorëheqjes më datë 4 korrik 2013, të cilën e kam përshëndetur me shkrimin “Berisha, demokrat i madh, reformator i madh”, mund të rendisim disa bilance të rëndësishme reformuese të Berishës ‘së dytë’ në pushtet. Po mund ta themi me plot gojën edhe tani, si në 4 korrik, Berisha instaloi taksën e sheshtë; një arritje historike për kulturën shtetformuese në Shqipëri dhe ambientin kapitalist në Shqipëri, një kontribut esencial në nxitjen e nismës së lirë në një vend që kapitalizmin s’e kishte pasur kurrë as traditë, as metodë dhe as pëlqim, në një vend ku kapitalizmi ishte luftuar dhe luftohet shumë egër. Reformë tjetër e madhe e Berishës ishte reforma derregullatore për biznesin, ku nga dhjetëra inspektorate u reduktuan në vetëm një grusht syresh. Këto reforma me karakter liberal, fatkeqësisht në disa raste ose mbetën jetime në praktikë ose mbetën thjesht vetëm në teori. Ka diçka që nuk shkon me shpatën moraliste që ka marrë Bushati te lapsi.al, që degjeneron shpeshherë në hale.al, siç shkruante një koleg, kundër njerëzve, kundër origjinës, pozitës, rrethanave të tyre dhe jo ideve të tyre, ose siç njihen ndryshe si sulme ad hominem dhe për këtë hale.al është shumë i dalluar, fshehur pas penave anonime pa asnjë lezet gazetaresk, 25 vjet pas një shtypi të lirë, të hapur dhe transparent. Bushati nuk është individ, është fenomen. Ligjërimi i tij demonstron një fenomen të ri në shoqërinë shqiptare: Në media është duke u proklamuar një rrymë e fuqishme kulturore¬gazetareske e ekstremit të majtë, populizmi gjithfarësoj, që merr dhe shfrytëzon çdo ngërç, problem, përmbytje, kazan plehrash, vrasje, goditje, aksident etj…e merr dhe e kthen këtë në problem të sistemit kapitalist. Po ngjizet një racë që kërkon burgosjen e sipërmarrësve, shpronësimin, prishjen e kontratave etj. Shkurt fundin e kapitalizmit duke pasur në kokë një revolucion bolshevik, duke pritur një Cipras apo një Corbyn. Kjo racë në dukje anti-establishment në fakt është anti¬liri, fatkeqësisht pa moralin e duhur sepse është pjesë e rëndësishme e sistemit, ka punuar në kompani që akuzon për përfitime publike, për kontrabandë, për koncesione e kështu me radhë. Kjo racë është dyfish e keqe. Është një racë që kontribuon në jetën publike kundër zhvillimit, kundër lirisë dhe kapitalizmit, por mbi të gjitha është një racë e pamoralshme, sepse siç e thashë më sipër shfrytëzon gjatë gjithë kohës mjetet dhe mundësitë e kapitalizmit për ta luftuar atë. Andi Bushati përfaqëson një prej tyre.
Andi Bushati:
Të gjithë i dinë arsyet e vërteta të qëndrimeve publike të Çilit. Këtu nuk është puna nese ka ndëruar ai idetë apo jo. Unë nuk kam asgjë kundër njerzve që mund të ndryshojnë, bindje, ide, emër, seks, qytet apo kombësi. Por Çili fatkeqësisht nuk bën zgjedhje të vullnetshme. Prandaj më shumë sesa replika ai meriton citimin e një shkrimtari, që kryeministri i tij i radhës e ka shumë për zemër dhe e përdor vend e pa vend. Unë e kujtoj shpesh këtë shprehje të Milan Kunderës: “Të marësh seriozisht, njerëz të cilëve u mungon krejtësisht serioziteti, është të humbasësh seriozitetin tënd”.