Kush është Tim Kaine, kandidati demokrat për nënpresident?
CV-ja e Tim Kaine-it përfshin një përvojë të gjatë me arritje të shumta: ai flet spanjisht; ka qenë misionar katolik në vende në zhvillim dhe ka gradën Doktor i Jurisprudencës nga Harvardi. Tani e tutje ai do të njihet edhe si kandidat për nënpresident amerikan. Ja një profil i senatorit demokrat dhe aktualisht kandidat i Partisë Demokrate për nënpresident të Shteteve të Bashkuara, Tim Kaine:
Ai është politikan që nuk bën bujë dhe e përshkruan veten si njeri i mërzitshëm. Por kur del së bashku me kandidaten demokrate për presidente, Hillary Clinton, ai gjallërohet. Zgjedhja e zotit Kaine u pa si një vendim i matur dhe i natyrshëm për zonjën Clinton.
Tim Kaine ka 22 vjet në politikë, duke u ngritur gradualisht nga anëtar i një këshilli bashkiak në kryetar bashkie, e më pas guvernator e senator i Virxhinias.
Ai mbaroi studimet në Universitetin e Mizurit dhe më pas në Harvard. Një katolik i devotshëm, ai ndërpreu studimet për një vit për të punuar si misionar në Honduras, ku mësoi spanjisht.
Zoti Kaine thotë se varfëria që pa në Amerikën Qendrore e frymëzoi të përqafonte një jetë në shërbimin publik, ku u prezantua edhe me Anne-n, me të cilën u martua.
“Shumë veta në vendin tonë po kalojnë kohë të vështira, por ne jemi popull i fortë. Kam mësuar nga familja ime se kohët e vështira nuk vazhdojnë përgjithmonë, por njerëzit e fortë vazhdojnë,” thotë zoti Kaine.
Zoti Kaine thotë se kaloi një nga momentet më të vështira kur ishte guvernator dhe universiteti Virginia Tech u trondit nga një masakër e përgjakshme në 2007. Sulmi i kryer nga një student me probleme mendore, e bëri guvernatorin Kaine të kërkonte reforma mbarë-shtetërore për shëndetin mendor.
Si kryetar i Komitetit Kombëtar Demokratik në 2008, ai ishte një ndër emrat që u lakuan si kandidat për nënpresident përkrah Barak Obamës.
Tani, në garën presidenciale me Hillary Clintonin, kandidatura e tij lavdërohet nga disa dhe kritikohet nga të tjerë:
“Më pëlqejnë qëndrimet e tij politike; mendoj se e forcon pozitën e demokratëve,” thotë një banor i Uashingtonit.
“Mendoj se plotëson shumë mirë ekipin konkurrues demokrat,” thotë një banore e Virxhinias.
“Nuk ia kam shumë besën Hillary-t, prandaj preferoj të mos i kushtoj rëndësi asgjëje nga ato që bën ajo,” thotë një banor i Çikagos.
Senatori shpreson të ndryshojë mendjet e të lëkundurve gjatë fushatës intensive në përgatitje për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
***
Kandidati republikan për nënpresident Mike Pence
Në vështrim të parë, guvernatori i Indianës Mike Pence mund të mos duket si bashkëkandiduesi i duhur për njujorkezin e zhurmshëm Donald Trump. Në vazhdim ju njohim me vlerat dhe përvojën që sjell në dyshen republikane kandidati për nën president Mike Pence.
Ai është nga një shtet mesperëndimor amerikan, me tipare tipike të konservatorëve.
“Njerëzit që më njohin, e dinë se jam një njeri normal – fillimisht jam i krishterë, pastaj konservator dhe jam gjithashtu një republikan.”
“Njerëzit e mirë bëjnë gjëra të mira jo për t’u treguar dhe kjo është cilësi e një shteti nga pjesa qendrore e vendit, si Indiana.”- thotë eksperti Randy Decleene.
Në fillim të viteve 1990, kurPence ishte prezantues i një programi televiziv me prirje konseravtore, ai pati të ftuar për një bisedë ekspertin në fushën e komunikimit Randy DeCleene, lidhur me shpresat për të ardhmen dhe për shërbimin e tij në qeveri.
“Mesazhi që ai dha, në përgjithësi ishte shumë pozitiv, optimist dhe frymëzues.”
“Ai është një njeri besimtar dhe një njeri i besueshëm. Ai vjen nga zemra e lëvizjes konservatore dhe nga zemra e Amerikës.”- thotë Paul Ryan, kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.
Pas dy kandidimesh të pasuksesshme për kongresmen, Pence më në fund u bë përfaqësuesi i shtetit të Indianës në Capitol Hill në vitin 2000.
Ai fitoi eksperiencë në Uashington, por ai nuk e sheh qeverinë si përgjigjen e vetme ndaj problemeve që kanë njerëzit.
“Jemi lodhur nga thëniet se një elitë e vogël intelektuale në një ndërtetë të largët kapitoli mund të planifikojë për jetën tonë, në vend që ne t’i bëjmë vetë planet tona.”
Pence u kthye në Indiana në vitin 2012, për të shërbyer si guvernator, duke mbështetur politikat kundër abortit dhe konfliktin mes të drejtave të homoseksualëve dhe lirive fetare.
“Ky ligj nuk i jep bizneseve të drejtën për t’u mohuar atyre shërbimet e nevojshme.”
Besimi i fortë i Mike Pensit i sjell ekuilibrin e nevojshëm dyshes republikane, megjithëse ai në shumë drejtime është i ndryshëm nga Trump.
“Pjesa konservatore e Partisë, që nuk ka qenë e bindur për Donald Trumpin, e dinë se mund të kenë besim tek Pence. Ai është një njeri me eksperiencë në Kongres dhe si guvernator i Indianës, kështuqë në se zgjidhet Trump, unë mendoj se Pence bart vlerat e nevojshme për t’u marrë me Kongresin në emër të administratës.” – thotë eksperti Gary Nordlinger.
Por vlerat personale të zotit Pence janë shumë më të rëndësishme, thotë zoti DeCleene.
“Unë mendoj se ai i ka cilësitë e nevojshme për të qenë një udhëheqës i guximshëm, gjithëpërfshirës dhe strategjik.”
…cilësi për të cilat Pence shpreson se do t’i bindë votuesit në nëntor./VOA