Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, sugjeron që kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, të mënjanojë influencën e Sali Berishës në vendimmarrjen e partisë.
Në një bisedë me studentë e pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës, Mustafaj kërkon që Basha të ndjekë modelin që Kancelarja Angela Merkel zgjodhi me paraardhësin e saj, shkruan “Panorama”.
Në rrëfimin e tij, Mustafaj ka sqaruar edhe arsyet e dorëheqjes së tij, marrëdhënien me Berishën dhe ftesën e Fatos Nanos për të qenë ministër i tij.
Gjatë punës me Berishën e harronte ai shpesh që, krahas politikanit, ju ishit një shkrimtar? Po politikanët e tjerë në botë apo edhe ata brenda realitetit tonë politik e dinin që ju në fakt ishin një shkrimtar në politikë?
Në botë e dinin, pasi e shikonin përmes CV-së time. Kisha avantazhin që librat e mi ishin botuar në shumë gjuhë të botës, përpara se unë të isha ministër. Madje të huajt kishin edhe një kuriozitet për të zbuluar shkrimtarin brenda politikanit. Por në realitetin politik këtu, kolegë dhe eprorë nuk do ta quanin avantazh të qenët shkrimtar. Përkundrazi, e konsideronin si një të keqe që kisha brenda vetes, sepse kjo të jep mundësinë të jesh më i lirë, të thuash disa të vërteta më shumë që nuk i thotë një politikan klasik, të shkosh pak më larg, të kesh një kurajë tjetër, të kesh një paturpësi tjetër. Por kur unë punoja për Berishën, ose e thënë më ndryshe, kur ai ishte “eprori” im, kur unë bëja ndonjë budallallëk, për të më justifikuar në mjedisin politik, thoshte shpesh: Kështu e ka ai, shkrimtar është. Kjo sigurisht ishte një mënyrë për t’i thënë mos ia merrni parasysh. Kur thashë që bëja ndonjë budallallëk, e kam fjalën kur nuk respektoja ndonjë vendim të Kryesisë së partisë, një qëndrim ndaj një çështjeje të caktuar dhe kur unë vija me një qëndrim ndryshe.
Në librin tuaj, pavarësisht se në thelb ai është një roman, në të shihen gjurmët dhe sjelljet e zotit Berisha në disa vende. Ju e përmendni në libër si eprori juaj dhe e keni vizatuar në mënyrën tuaj. Marrim rastin e përdorimit të shprehjes “albanofob”, që personazhi juaj e përdor me shkrimtarin…
Sigurisht që shkrimtari gjatë shkrimit i thërret kujtesës së vet. Gjatë shkrimit ai përdor, një gjuhë që e ka gjetur diku, e ka dëgjuar diku, e ka lexuar diku dhe pastaj e ka përtypur vetë. Ka aty një shprehje “albanofob” që është e Berishës, por që nuk është vetëm e tij. Por ka një gjë në libër që është tërësisht e Berishës, kur ai i thotë atij që “ta nxij fytyrën, më të zezë se këpuca”. Gjithmonë më ka pëlqyer kjo shprehje dhe Berisha ka 25 vjet që e përdor në Parlament. Dhe atij mesa duket i pëlqen shumë. Mua më është dukur shumë e bukur si shprehje, sepse e detyron dikë të shoh këpucët e veta. Është një shprehje që edhe fizikisht e deformon tjetrin, pasi e shtyn të shoh poshtë, të shoh këpucët e veta.
Është ky libri i ndarjes suaj me politikën? Jeni shkëputur nga politika për të qenë vetëm shkrimtar? Apo ka akoma shenjë të politikanit brenda jush?
Këtë roman unë kam filluar ta shkruaj në momentin që unë jam shkëputur nga detyra si ministër. Ikja nga posti i ministrit, siç ika unë, pa pasur një skandal, pa pasur një humbje në zgjedhje, pa pasur një krizë sociale, kombëtare, ishte një ikje që tregonte se brenda meje kishte arritur një pikë ku unë nuk po vendosja dot ekuilibrat, midis shkrimtarit dhe politikanit.
Përballja mes politikanit dhe shkrimtarit është në thelb një përballje mes dy pushtetesh. Duke qenë e tillë, kjo e bën më të ashpër një përplasje mes tyre. Në gjykimin tim ka fituar shkrimtari, por edhe shkrimtari i ka dhënë shumë politikanit, ku më e rëndësishmja është koha.
Sepse në 20 vite në politikë është një kohë shumë e madhe ku mund të kisha shkruar libra që nuk i kam shkruar akoma. Ndërsa tani shkrimtari po përfiton nga pensioni që më ka dhënë politikani. Unë nuk e kam pasur kurrë synim pushtetin. Nuk e kam pasur kurrë pasion pushtetin.
Mua, të jem ministër, të kem ekipe, të drejtoj, të kem bodygard, të kem shoferë, nuk më ka thënë kurrë asgjë. Kam refuzuar disa herë të jem ministër. Për herë të parë kam refuzuar të jem ministër nga Nano. Më ka propozuar Fatos Nano të jem ministër. Ka qenë i pari njeri që më ka prezantuar të jem ministër.
Kam refuzuar të jem ministër në qeverinë e stabilitetit. Kam refuzuar të jem ministër në qeverinë e parë të Partisë Demokratike. Kam dhënë dorëheqjen si ambasador në mënyrën më të lehtë të mundshme, në një kohë që ish-presidenti Rexhep Mejdani dhe këshilltari i tij, Preç Zogaj, më kërkuan që të qëndroja. Në këtë kontekst, pushteti nuk ka qenë kurrë një gjë e rëndësishme për mua.
Dua t’i rikthehem edhe një herë betejës mes politikanit e shkrimtarit. Kush e fiton këtë betejë?
Në historinë e Shqipërisë, shkrimtarët kanë qenë të përzier shumë. Naim Frashëri ka qenë kryeçensori i Perandorisë Osmane dhe ai shkruante shqip vjersha, ku u bënte thirrje shqiptarëve që të vrisnin turqit. Imagjino çfarë skizofrenie ka pasur brenda vetes. Fan Noli dihet si ishte. Në Parlamentin e parë pas komunizmit kemi qenë 24 apo 25 shkrimtarë në të dy kahet e politikës.
Në Partinë Socialiste ishte Dritëroi dhe disa të tjerë, ndërsa në PD ishim unë, Teodor Keko, Preç Zogaj, Natasha Lako, Teodor Laço e shumë e shumë të tjerë. Pra në këtë kuptim, pjesëmarrja e shkrimtarëve në politikë në historinë e letërsisë shqipe dhe politikës shqiptare ka qenë e përhershme. Fakti që në fund shumica e tyre e kanë lënë politikën, do të thotë se ka fituar shkrimtari.
Në 1992-shin, kur unë nuk pranova të hyja në qeverinë e parë të Partisë Demokratike, sepse në kokën time unë mendoja se i kisha arritur të gjitha. Por, nga ana tjetër, kisha një presion shumë të madh nga Berisha, nga PD-ja, që të merrja një përgjegjësi në administratën e re që po ndërtohej, ndërkohë që kjo mua nuk më tërhiqte fare. Kisha një presion nga kolegët e mi të PD-së për të marrë angazhime.
Kur nuk kisha pranuar për të qenë pjesë e qeverisë, Berisha më kishte propozuar të shkoja ambasador në Paris.
Përmende një sërë emrash shkrimtarësh që kanë qenë në Parlamentin e parë pas rrëzimit të komunizmit. Sa ka ndryshuar skena politike nga viti 1991 dhe deri më sot? Kemi “shpëtuar” nga shkrimtarët që nuk shihen më, ndërkohë kemi fituar këtë skenë politike…
E sigurt është që në aspektin e marrëdhënies mes politikës dhe krimit, sot është 1000 herë më i madh se në 1991- shin. Rritja cilësore e marrëdhënieve të politikës me krimin është proporcionale me rënien e prezencës së intelektualëve në sallën e Parlamentit. Kjo vjen në gjykimin tim nga zbulimi i shijes së pushtetit nga elitat politike.
Elitat drejtuese politike bëhen më makiaveliste, kur qëllimi justifikon mjetin për të arritur qëllimin e tyre. Në të gjitha versionet, një përballje midis meje dhe Arben Ndokës, ai do të fitonte. Flas për një përballje në terren. Ky është një realitet që është përmbysur në rrugë graduale.
Unë në ndryshimet kushtetuese në vitin 2008 e them me krenari që kam votuar kundër. E them me bindje se ato ndryshime nuk i duheshin Shqipërisë dhe aq më tepër nuk i duheshin Partisë Demokratike.
Ato ndryshime u bënë me një marrëveshje mes Sali Berishës dhe Edi Ramës. Por duhet thënë që në parlamentet e shekullit XX në Shqipëri, në përgjithësi nuk kanë qenë përfaqësues të realitetit shoqëror. Ky parlament mund të themi se është më adekuat. Marrim si shembull Parlamentin e 1991.
Dritëro Agolli ishte në mënyrë të padiskutueshme i denjë për mua për të bërë debat në Parlament, sesa po të isha unë sot dhe të ishin disa të tjerë. Sot Parlamenti është shumë më përfaqësues i koncepteve të shoqërisë shqiptare, seç ka qenë më parë.
Keni marrë një vendim final në zgjedhjen mes shkrimtarit dhe politikanit? Pak muaj më parë, ju u angazhuat në fushatën elektorale në Dibër dhe dhatë sinjalet e një rikthimi. A ka akoma kolegë në PD që ju kërkojnë të riktheheni, ose më konkretisht do t’i thoshit “Po” Lulzim Bashës, nëse ju fton për zgjedhjet e 2017?
Unë kam ikur nga aksioni politik, por pasioni për politikën nuk më është fshehur asnjëherë. Unë asnjëherë nuk kam lëvizur nga Partia Demokratike. Edhe kur bëj shkrime, jam kujdesur gjithmonë që të mos lë përshtypjen se jam i pavarur, gjithmonë kam thënë se jam demokrat.
Për të qenë i ndershëm me lexuesit e mi, në shkrime përdor frazat “ne demokratët”, “unë si demokrat” etj. Sa u takon ftesave për t’u rikthyer në PD, unë kam pasur ftesa edhe në 2013 nga Sali Berisha për t’u rikthyer dhe për t’u bërë deputet, dhe asaj ftese i kam thënë “Jo”.
Aq më të lehtë e kam me Bashën, i cili në mënyrë sistematike më ka bërë ftesë për të qenë pjesë e PD-së në mënyrë aktive, pavarësisht kritikave të vazhdueshme që unë kam bërë. Unë përpara zgjedhjeve vendos të hesht, bëj një moratorium, si të thuash, për të mos e dëmtuar partinë në zgjedhje. Por politika, në fakt, është si dashuria. Po nuk ndjeve pak, nuk mund të bësh ndonjë gjë të dobishme. Unë nuk e ndiej tërheqjen ndaj aksionit politik.
Nuk jam i gatshëm emocionalisht, psikologjikisht, pasi kërkon një përgatitje të madhe, sepse, nëse hyj në politikë, hyj për të marrë një përgjegjësi më të madhe, minimalisht të qenit deputet. Për këtë gjë nuk e ndiej veten të gatshëm. Unë kam ikur vetë nga politika, nuk më ka përzënë njeri. Çdo lloj tentative për të thënë se e hoqi Saliu, është e pavërtetë.
Për herë të parë në PD ka një marrëdhënie të re mes eprorit dhe vartësit, nëse do ta cilësonim kështu marrëdhënien e kryetarit me deputetët. U referohem një sërë debatesh brenda Grupit Parlamentar.
Unë besoj se ka qenë shumë e vështirë të drejtosh Partinë Demokratike në këtë periudhë. Ka qenë shumë e vështirë për arsye të ekzistencës së Sali Berishës. Unë menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2013, publikisht kam kërkuar që të zgjatet tranzicioni dhe të filloj një garë brenda Partisë Demokratike.
Të fillonte një garë e vërtetë, le të ishte 6 muaj, pasi PD-ja do të drejtohej nga një triumvirat i caktuar. Unë besoj që Basha do të fitonte, por gara do të ishte stërvitja e domosdoshme që ai ta merrte me një siguri më të lartë në vetvete drejtimin e Partisë Demokratike. Duke e marrë me një siguri më të madhe do të arrinte t’i tregonte kufirin Sali Berishës.
Në shkrimet e mia kam thënë se ajo që Basha duhet të bënte me Berishën, duhet të ishte ajo që bëri Merkel me Kohl. Merkel ishte një produkt shumë më laboratorik i Helmut Kohl, sesa Basha i Berishës, sepse Merkel, një femër nga Gjermania Lindore të merrte CDU-në, partinë konservatore më të madhe në Europë, mund të kalonte vetëm duke ia dhënë çelësat Helmut Kohl.
Ai e bëri. Në fund të fjalës së parë të saj, ajo i tha Kohl-it: Nuk ke më punë në parti! Është e njëjtë me atë që thotë Frojdi “të vrasësh babain”. Basha duhet ta bënte këtë gjë. Basha për shumë arsye nuk e ka bërë publikisht këtë dhe e gjithë lufta që i bëhet nga kundërshtarët, i bëhet për këtë arsye. E keni parë sa herë që flet Basha, Kryeministri thotë dua të flas me të vërtetin e PD-së, që i referohet Berishës. Është kjo një tentativë e Ramës për ta paraqitur Bashën si një lider fals, një lider rezevë dhe për t’ia zvogëluar autoritetin.
Kjo nuk i ka bërë mirë Partisë Demokratike, opozitës dhe sigurisht nuk i ka bërë mirë Lulzim Bashës, por unë besoj se Basha po piqet me një shpejtësi optimiste. Personalisht do të preferoja që Berisha të rrinte në qytetarin e tij dixhital shumë të dobishëm dhe ta linte që të piqej, ose të vihej realisht në provë Lulzim Basha. Largimin apo afrimin tim me PD-në, mua nuk ma përcaktojnë individët.
Unë nuk i përcaktoj ikjet dhe kthimet as nga Berisha dhe as nga Basha. Unë me Berishën nuk kam asnjë marrëdhënie armiqësore, kam marrëdhënie tërësisht korrekte. Thjesht, nuk jemi më miq në kontekstin e konfidencialitetit. Nuk e marrim njëri-tjetrin në telefon të këshillohemi, të pyesim, por pjesa tjetër nuk ka asnjë ndryshim.
PANORAMA