Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të hënën se do të jap dorëheqjen dhe do të përballet me akuzat nëse ato konfirmohen.
Ai i bëri këto komente në paraqitjen e parë publike që nga e mërkura kur zyra e Prokurorit të Posaçëm në Hagë, publikoi njoftimin se ka ngritur akuza ende të pakonfirmuara ndaj tij dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Në një fjalim drejtuar kombit, presidenti Thaçi tha se ” një gjë është e sigurt: nuk ka pasur, dhe nuk mund të ketë, as edhe një provë e vetme drejtuar Hashim Thaçit për shkelje të ndonjë ligji. Ligji i vetëm që kam shkelur është ai i (Sllobodan) Millosheviçit”.
Presidenti Thaçi tha se “Kosova po hyn në një kapitull të ri dhe në asnjë mënyrë të lehtë. Ky është një kapitull i ri edhe për mua, dhe në këto momente, nuk e di sa e vështirë do të jetë. Por unë jam i gatshëm ta shkruaj këtë kapitull me të vërtetën time para kujtdo”.