Nga Kiço Blushi
Nëse ke inat një njeri uroje: Të hyftë vetja në qejf. Kështu e nëmnin në Veri dikë që e urrenin e nuk ia mposhtnin dot mendjemadhësinë, arrogancën dhe fudullëkun. Por kjo thënie, që funksionon për vdekatarët me cipën e ballit ende të paplasur, nuk vlen për krerët tanë partiakë as si frenim moral, as si urim, as si mallkim.
Mallkimi popullor nuk bën fajde as elektoralisht, d.m.th. me votë “të lirë e demokratike”, sepse krerët tanë pushteti i karfos dhe i bën të besojnë se janë të zgjedhur më së shumti nga dora e Zotit se nga dora e votuesit. Nuk gjen asnjë syresh të mos ketë sharë e poshtëruar pararendësin, pasi të gjithë kujtojnë se janë më mendjendritur nga paraardhësit… Ata i ngjajnë kungullit të mbirë rastësisht mes plehut, që kur e sheh veten të harlisur e të kacavjerrë majë gardhit, rritur falë shiut e diellit badihava, prej fryrjes së beftë e të pakontrolluar, krijojnë bindjen e madhështisë e të sipërisë mbi të gjitha gjallesat (prej postit e pushtetit të pacak), duke besuar se janë më të dobishmit e më të domosdoshmit jo vetëm në përditshmëri, po edhe në histori.
Pikërisht kjo cilësi i detyron të pëlcasin vetvetiu një ditë nga vetëkënaqësia, si kungulli i fabulës së Dritëroit, nga dehja me veten, nga mbingopja me fjalimet, zullumet, batutat e bëmat e veta. Kompetentë për gjithçka hemorragjinë e fjalës nëpër ekrane, gazeta e mikrofona e vlerësojnë si lavdi e supremaci.
Kompleksi i inferioritetit të djeshëm merr hak duke i transformuar në fodullë të papërgjegjshëm. Gjuha e çdo karizmatiku ballkanik bëhet gjuhë e urrejtjes, e nënvleftësimit, e talljes, e përbuzjes, e cinizmit, e përçmimit, e lartësimit të vetes. “Si të duron ty gruaja?”, e leqendisi Rama një burrë para gjithë katundit. I fyejnë publikisht vartësit e kundërshtarët ngaqë besojnë se poshtërimi i tjetrit në publik i lartëson. E quajnë shkallën më sipërore të mençurisë e potencës kur nëpërkëmbin më të dobëtin. Ky është kuptimi i karrierës, i pushtetit dhe lavdisë.
Nuk janë veprat që lenë pas, por batutat thërresë armët e vetme të politikë-bërjes, prova e fuqisë së pamatë, shija e suksesit, kuptimi i sundimit. Flasin për gjithçka: për naftën, për ujitjen, për edukimin, për urbanistikën, për plehrat, madje edhe se si do të duhet të mbarështohen bagëtitë… Shpërndajnë tituj, prona, tapi, poste, legalizime si dikur sulltanët. Nuk të shohin në sy, nuk i durojnë vërejtjet, mezi presin të dëgjojnë veten. Kush i kundërshton, apo ca më keq, kush shpallet i pakënaqur, quhet sharlatan, armik, antikombëtar…
Fillimisht janë të varur nga kronikat, nga fotot historike “gju më gju me popullin” për t’i hapur rrugën busteve dhe monumenteve të historisë… I.Qemali ka lënë disa foto, Zogu disa kronika, Hoxha ka më shumë, por shumica u dogjën për shkak se bashkëpunëtorët e tij dolën me shumicë armiq, ndërsa këta të demokracisë, falë teknologjisë dixhitale, kujtojnë se janë më fatlumë dhe “historia do t’u vejë pas”, me që do të lenë pas miliona km regjistrime në arkiva.
Nuk e dinë sa e pamëshirshme është historia, arkivi, kujtesa. Narcizmi nuk i lejon të kuptojnë se këto dhurata të njerëzimit nuk janë krijuar vetëm për të sfiduar harresën, për t’i hedhur hi syve shoqërisë, për të siguruar e çimentuar lavdinë e përjetshme, por edhe për të dëshmuar turpet e marrëzitë e tyre. Nuk e dinë sa e rrezikshme është fjala e shkruar dhe sidomos fjala e regjistruar me zë e figurë, e cila mund të të kthehet kundër në mënyrë të pamëshirshme, edhe për së gjalli.
Prej bumerangut të fjalës nuk gjen dot shpëtim askush, asnjë pushtet, asnjë manipulator mediatik, asnjë diktator. Përkundrazi, këta e pësojnë më zi kur bien nga kali. Kronikat me fjalimet e Musolinit dhe Hitlerit besohej se do të shërbenin si stimuj entuziazmi e manipulimi për turmat si dhe lavdie të përjetshme për udhëheqësit e ndritur, kurse sot ato janë kthyer në ilustrim të pashlyeshëm historik të ndëshkimit.
Historikisht, që kur u krijua shteti shqiptar, kështu ka ndodhur thuajse me të gjithë krerët tanë të lartë: fillimisht ata humbin sytë, pastaj veshët e më në fund edhe mendjen. Kësisoj askush syresh nuk i ka shpëtuar kungullizimit, d.m.th. askush nuk ka mbetur pa u fryrë e vetëkarfosur, droguar nga pasqyra, dehur nga turmat e mercenarëve (të cilët i quajnë popull), duke u transformuar në obezë e narcizë prej nepsit të lavdisë së pamerituar. Keqpërdorimi prej tyre i ekraneve televizive krijon varësi më zi se droga, fillimisht me eufori e besim të tepruar për të përfunduar në një mbetje mediatike të pariciklueshme. Shembull klasik i kësaj dukurie është Berisha, të cilin, nëse dje e ndiqnin pas edhe kur thoshte marrëzi, tani, edhe kur thotë të vërtetën, nuk e beson dot kush.
***
Deklarata e përsëritur në çdo dalje publike se nën udhëheqjen e Ramës ne më në fund “do të bëhemi me shtet” ilustron për bukuri vetëkënaqësinë (bindjen) e të qenit një udhëheqës i ndritur, i pakrahasueshëm, “ i përjetshëm”, një Mesi e dërguar me dorën e Zotit që do të na sjellë “ndryshimin historik”, “drejtimin e duhur” e përfundimtar.
Hoxha i krahasonte arritjet e veta me vitin ‘39 të Zogut, Berisha me ‘90-tën e Alisë, ndërsa Rama me “gropën” e Saliut”. E megjithatë, ne shqiptarët mbetëm më të fundit në Ballkan për nivelin e jetesës dhe të standardit demokratik. Kjo është merita e vetme, e përbashkët dhe e pamohueshme e të gjithë liderëve tanë. Por krahasuar me pararendësit, Rama duket edhe më ambicioz e i vetëkënaqur se sivëllezërit. Ai këmbëngul të na bindë nëpërmjet ekranit dhe mikrofonit se vetëm nën drejtimin e tij ne do të bëhemi më në fund me shtet. E thotë me gojën e vet, sa herë që i del populli përpara, që falë tij, “Ka filluar të vijë era shtet”. Synimi i tij i lartë qenkësh që edhe ne shqiptarët të jemi qytetarë të një shteti modern. Ky është premtimi prej një misionari të vetëshpallur.
Kjo nënkupton që nuk paskësh qenë shtet as monarkia e Zogut, as diktatura e proletariatit, as demokratura e Berishës, pasi bërja e shtetit do të niska fill pas fitores së Ramës më 2013, kur ai me një milion vota u bë kryeministër. Dhe, për hir të këtij misioni, pra, nëse ja dëshirojmë të mirën vetes, familjes dhe Shqipërisë, Rama duhet të jetë kryeministër, (si deklaroi në Dibër me patos e sinqeritet një nga deputetët e tij më të afërt, Sadri Abazi), edhe për njëzet vjet të tjera…Tjetër rrugë nuk kemi.
Nuk lipset shumë mend për të kuptuar se thirrjet e sadrinjve kanë për qëllim të na bindin ne si popull se pa udhëheqjen e Ramës do të mbetemi në udhëkryq, jo vetëm pa shtet, por, po të perifrazojmë kryeministrin, aty ku thërret qameti. Këtë e përforcojnë edhe idetë e ndritura e të hedhura ditët e fundit nëpër media se: Kush kritikon qeverinë (kupto: Ramën), ai kërkon të rikthehet në pushtet Berisha.
Gogoli i Berishës u përdor jo vetëm për të ardhur në pushtet, por edhe për të mbetur sa më gjatë në pushtet, pasi shqiptarët e sotëm, sipas kësaj propagande të jesh totalitar nuk kanë tjetër mundësi zgjedhjeje: ose me Berishën, ose me Ramën. Kjo trysni mediatike bëhet e kollajtë për të hedhur rrënjë mbi opinionin publik derisa zgjedhjet e vitit 2013 ende nuk i kanë dhënë përgjigje pyetjes: Një milion votat ishin vota kundër Saliut, apo pro Ramës?
Nuk është e panjohur propaganda se: Pa udhëheqësin e radhës, dje pa Berishën, sot pa Ramën, —ne do të na marrë lumi, është motori lëvizës i çdo fushate e partie. Por problemi është se kjo thagmë e trashëguar nga diktatura na thuhet pas njëqind e ca vjet me shtet të mëveçëm e të njohur ndërkombëtarisht, bash kur shpresojmë të fitojmë statusin e vendit kandidat për në BE. Zgjedhësi i sotëm, njëlloj si në diktaturë është vënë nën morsë, si ajo gruaja e kahmotit që ja qante hallin vetes: Hall me burrë, hall pa burrë, hall të mos martohesh kurrë.
Tash na deklarohet hapur, çdo ditë e natë, se jo vetëm reformat, jo vetëm vendosja e drejtësisë, jo vetëm siguria, shëndetësia, arsimi e mirëqenia, por edhe integrimi në Evropë gjenden në vullnetin e në dorën e udhëheqësit, dje të Berishës, sot të Ramës. Ndaj na përsëritet çdo ditë domosdoshmëria e “Njëshit” në krye të partisë e të qeverisë, ose nga padituria, ose nga vetëngrefosja, ose ca më keq, kulti i individit synohet të çimentohet me ndihmën e bombardimit të pandërprerë mediatik pas së cilës njerëzia lipset të bindet e të besojë lirisht e “demokratikisht” se është udhëheqësi pa jemi ne, qytetarët.
Qëllimisht nuk përdoren termat: “shtet demokratik”, “shtet ligjor”, aq më pak “shtet i së drejtës”, gjë që synon të ngulisë përfundimisht në popull idenë se falë Ramës ne mund të shkëputemi njëherë e mirë nga marrëdhëniet primitive, tribale, nga bota e anarkisë, e kuturusë dhe varfërisë, vetëm po të bindemi se nga qorrsokaku historik do të dalim kur të votojmë për Ramën, si profetizoi Sadriu… Me një fjalë ne do të pajisemi me shtet vetëm falë vullnetit, gjenisë, drejtimit dhe përkushtimit të Ramës.
Por ama këtë fat nuk do ta kemi e gëzojmë ne të gjallët, ne votuesit e sotëm, por gjenerata tjetër, ajo që ende nuk ka lindur…
***
Sa herë pritet ndonjë shirit, sa herë ka një tubim, thuhet: “Po fillon të vijë era shtet”… Kështu, gjatë këtyre tre viteve kanë ndryshuar uniformat e policëve dhe doganierëve. Janë ndërtuar pedonale thuajse në të gjitha qytetet, qytezat e madje edhe në disa katunde. Nuk vidhet më energjia elektrike, se të pret dera e burgut. Janë ristrukturuar e modernizuar të gjitha selitë e ministrive, bashkive si dhe vetë Kryeministria. Janë ndërtuar dy stadiume. U mbollën palma në rrugën e Rinasit që delegacioneve, së paku deri në kryeministri, të mos ju duket sikur po hyjnë në Kandahar. “Sheshi Skënderbej” do të ribëhet për të katërtën a të pestën herë. Për të do të investohen mbi dhjetë milion euro. U soll nga Londra “RE”-ja e japonezit dhe u montua para Galerisë. Kjo quhet rilindje urbane. Fatura e kësaj “rilindjeje urbane” qenka mbi një miliard euro… Investim hallall!
Dhe kush thotë se qeveria nuk ka strategji zhvillimi, se nuk po stimulon një ekonomi të qëndrueshme, se nuk po e lufton papunësinë, gënjen, mashtron, shpif…duke provuar kësisoj se është “një mbetje e kazanit mediatik”…Por qentë le të lehin, karvani ec përpara!
Për të provuar të kundërtën zëra të klonuar e shumë të afërt me kryeministrin po këmbëngulin këto ditë të na thonë se plehrat nuk janë plehra, po mbetje, madje lëndë e parë, ndërsa koncesionet nuk janë koncesione, por partneritet publik-privat… Dhe më kryesorja: qeveria e ka një strategji zhvillimi, modernizimi e përparimi që konsiston në tri shtylla kryesore: 1. Legalizim i kanabisit, 2. Legalizim i prostitucionit, 3. Legalizim/ riciklim i plehrave dhe mbetjeve…
Ky është drejtimi i duhur! /GSH