Nga Nasho Jorgaqi
Për fat të keq, kleri katolik shqiptar, që trashëgoi një traditë të shkëlqyer në historinë tonë kombëtare, në prag dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk u gjend me ato forca që u hodhën në luftë kundër pushtuesve fashistë. Përkundrazi, kleri katolik, në një mënyrë a në një tjetër, i hapi rrugën pushtimit italian, e mirëpriti ushtrinë agresore, duke i cilësuar legjionet e saj “pëllumba të Krishtit”, e mbështeti “rendin e ri fashist” dhe u vu në rolin e bashkëpunëtorit të tij. Për këtë flasin qartë arkivat, dokumentet e viteve 1939-1944.
Ndryshe ka ndodhur me klerin katolik në Poloni, i cili jo vetëm u radhit në anën e popullit të robëruar, por, madje, u vu në udhëheqje të rezistencës klandestine e partizane. Jo rastësisht, një ndër partizanët antifashistë polakë ishte dhe Karol Vojtila. Është në nderin e kombit polak dhe të kishës katolike të tij që disa nga prelatët e saj luftëtarë u shpallën heronj kombëtarë.
Çfarë mrekullie do të kishte qenë sikur edhe një prift katolik shqiptar të ishte flijuar për kauzën e lirisë gjatë luftës kundër fashizmit në Shqipëri! Meritave kulturore dhe atdhetare të katolicizmit në këtë vend do t’u shtoheshin vlera të reja, ndaj të cilave, sido që të ishte sjellë sistemi totalitar, sot do t’u referoheshim me respekt, duke i parë si monumente të historisë kombëtare. Por, duam, s’duam, prapë duhet të themi për fat të keq, nuk ndodhi kështu. Megjithatë, për hir të së vërtetës, nuk duhet të harrojmë se i vetmi prift katolik që u bashkua me forcat e rezistencës antifashiste ishte Dom Luigj Pici, famullitar i Kishës së Reçit, i cili qe një nga ata që ngriti në këmbë dhe u priu besimtarëve të tij në luftë kundër fashistëve. Madje ai do t’i qëndronte besnik idealeve të luftës deri në çlirimin e atdheut. Por fundi i tij, pavarësisht nga aktivizimi antifashist, do të ishte tragjik. Pushteti i ri që erdhi në fuqi nuk do ta kursente dhe prifti patriot do ta pësonte si kolegët e tij klerikë.
Po ky është një kapitull më vete, me një problematikë të gjerë, që lyp pa dyshim një studim objektiv shkencor.
Një nismë serioze që duhet përshëndetur është edhe botimi kohët e fundit i studimit monografik të Dom Nik Ukgjinit “Kisha katolike në trevat shqiptare” (Nga shekulli XI deri sot). Është hera e parë që një nga klerikët katolikë shkruan një vepër për historinë e kishës katolike shqiptare, të dhënë me dritat e hijet e saj, duke përfshirë edhe vitet e Luftës së Dytë Botërore. Nën këtë prizëm e vështron dhe e shqyrton pushtimin fashist të Shqipërisë, marrë në raport me klerin katolik shqiptar. Ai e pohon hapur se “Kisha Katolike, e kushtëzuar dhe nga nevojat e mëdha financiare, përkrahu si partner të mundshëm shtetin fashist.” Ndaj dhe një nga arsyet kryesore të këtij qëndrimi e gjen tek fakti se Gjergj Fishta, Anton Harapi, Ernest Koliqi, Mustafa Kruja etj., duke qenë të grupimit intelektual proeuropian shqiptar, largimin e Zogut e shohin si shpëtim për Shqipërinë. Sipas tij kleri katolik është nostalgjik ndaj pavarësisë së humbur, por është më i kënaqur me një autonomi (?) të kufizuar se sa me një Shqipëri të shkatërruar ekonomikisht e të qeverisur keq si ajo e mbretit Zog. Për të dhe për gjithë klerin katolik armike nuk është Italia fashiste, por Zogu dhe komunistët.
Siç vërehet problemi është kompleks. Dom Ukgjini thotë të vërtetën dhe duke marrë shkas prej kësaj do të sjell një dokument për qëndrimin e Gj. Fishtës gjatë pushtimit fashist. Por para tij, do të evokoj një moment nga kujtimet e at Zef Pllumbit. Këto janë kujtime që të prekin për sinqeritetin e tyre, për devocionin me të cilin janë shkruar, ato përbëjnë një ndihmesë të vyer për të plotësuar e qartësuar portretin e Fishtës si njeri dhe si artist. Por ajo që tërheq vëmendjen e studiuesit është mënyra si evokohet figura e poetit në ditët tragjike të prillit të 1939-ës, siç është mospajtimi i tij kalimtar me pushtimin, tronditja që ai pësoi etj. Duam ta besojmë sinqerisht at Pllumbin. Duam ta besojmë se një poet i përmasave të Fishtës, vepra e të cilit kishte për kryefjalë fatin e Shqipërisë, s’kishte si ta përjetonte lehtë dramën kombëtare të pushtimit të huaj. Ai me siguri është tronditur thellë si atdhetar dhe si artist. Dhe fakt është që ai nuk shkroi asnjë varg për “pëllumbat e Krishtit” që shkelën tokën shqiptare. Por Fishta, si prelat i lartë i klerit katolik shqiptar, nuk mundi t’i shpëtojë tundimit që i bëri fashizmi. Këtu ndodhi dyzimi i tij tragjik, gjë që solli pasoja që hedhin hije në figurën e tij politike.
Ka shumë të ngjarë që ai të ishte i ndërgjegjshëm se zgjedhja si anëtar i Akademisë së Italisë qe më shumë një akt politik, që u shërbente qëllimeve të mbrapshta të demagogjisë fashiste. Ndryshe ndodhi me Çabejn, i cili refuzoi shpalljen e tij anëtar i Institutit Italo-Shqiptar, duke e vlerësuar atë si një vepër “joshkencore”.
Fishta s’kishte nevojë për ndere të huaja, aq më shumë prej dhunuesve të lirisë së Atdheut. Nderin më të madh atij ia kishte bërë populli i vet. Vargjet e Fishtës i dinte përmendësh jo vetëm rinia shkollore, por i dinin edhe malësorët analfabetë, të cilët “Lahutën e Malcis” e kishin kthyer në abetare të identitetit kombëtar. Megjithatë, Fishta, dashur pa dashur, flirtoi dhe u kthye ose u përdor si ithtar i pushtuesve. Do të dëshmojmë vetëm një rast që e pohon këtë qëndrim, një dokument që flet me gjuhën e së vërtetës. Sepse është gjuha e dokumentit ajo që nuk e manipulon historinë, siç ka ndodhur në të kaluarën. Dhe, nëse flasim me gjuhën e tij, u pritet rruga ripolitizimeve, subjektivizmave, tendenciozitetit të çfarëdo natyre qoftë. Kështu edhe Fishtës i jepet ajo që i takon dhe nuk preken ato momente që s’i bëjnë nder poetit tonë. Themi kështu, sepse, në rastin e artistëve të mëdhenj, gabimet dhe shkarjet në jetën politike nuk duhet të mjegullojnë vlerat e tyre madhore.
Dokumenti që po botojmë është domethënës për problemin që po trajtojmë, sidomos për vlerësimin e drejte të atyre figurave, jeta e të cilëve paraqet probleme.
Është fjala për një letër të shkruar në gjuhën italiane, që Gjergj Fishta ia dërgon nga Shkodra më 10 gusht 1939 një oficeri të lartë fashist. Në përkthimin shqip, ndër të tjera, ai shkruan:
Shumë i shkëlqyeri dhe shumë i dashuri zoti kolonel.
I kthyer mbas gjashtë javësh nga Italia në Shkodër më 8 të këtij muaji kryej një detyrë të ngutshme dhe të dëshiruar t’ju falënderoj nga zemra për përgëzimet dhe urimet që keni pasur mirësinë të më drejtoni për emërimin tim si akademik i Italisë – gjithë mirësia e Duçes, i cili, ashtu si Ju, do të mirën jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të shqiptarëve.
Kam lexuar, ose, më mirë, kam rrufitur, në “Resto del Carlino”, artikullin tuaj magjistral “Bregu i pestë”. Them magjistral pikë së pari se në të kam gjetur gjithë personin tuaj, me shpirtin tuaj fisnik, të fortë; me inteligjencën tuaj të shkëlqyer; me zemrën tuaj të madhe sa kambana e madhe e Shën Pjetrit, që, edhe duke paraqitur plagët e kombit tonë të shumëvuajtur, gjen fjalë dhe fraza aq të sjellshme dhe njëkohësisht fisnike e të peshuara, që këshillojnë mëshirë dhe jo urrejtje në sytë e popullit italian shumë të qytetëruar; me shprehjet e një poezie të lartë dhe të vërtetë, me të cilat është mbushur i gjithë artikulli, megjithëse qëndron në zotërimin e plotë të prozës, që është më e vështirë. Së dyti, them magjistral për artikullin tuaj se në të ju shënoni rrugën e drejtë që duhet të ndjekin qeveria dhe populli italian për të ngritur nga mizorja shumëshekullore popullin e mjerë shqiptar. Me një fjalë, artikulli juaj është një kryevepër e vërtetë…
Çdo gjë është e qartë dhe s’ka nevojë për komente. Dihet se historia nuk të fal kur e fsheh dhe e dhunon të vërtetën. Përndryshe ajo hakmerret keq. Në rastin konkret, edhe Fishtës vet i bëhet dëm, në qoftë se figurën e tij nuk e paraqesim në dritën e saj.