Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka shfaqur dyshime se një marrëveshje e mirë mes dy shteteve mund të arrihet pa ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Ai ka thënë se e ardhmja e dy vendeve është në BE dhe për këtë nuk mund të lihet anash kjo e fundit në arritjen e një marrëveshje, derisa është shprehur se kushtet për rifillimin e dialogut janë krijuar dhe se tash do të angazhohet për një marrëveshje ligjërisht obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në ditën e tretë të vizitës në Kosovë, diplomati sllovak në një konferencë për medie, tha se iu ka kërkuar krerëve institucionalë dhe politikë në Kosovë të jenë të bashkuar për dialogun Kosovë-Serbi. Ndërkaq theksoi se nuk ka marrë asnjë ftesë për iniciativën e SHBA që më 27 qershor të rifillojë dialogu në Uashington.
Lajçak: Kam dyshime se një marrëveshje mund të arrihet pa praninë e BE-së
“Kam dëgjuar për këtë iniciativë, por ne nuk jemi konsultuar për këtë dhe nuk dua të komentoj për iniciativa të tjerëve. Mendoj që isha i qartë për rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Po ashtu, dua të them që për ne ShBA-të janë një partner shumë i rëndësishëm. Historia ka treguar se ne kemi qenë gjithmonë të suksesshëm kur kemi punuar së bashku. Për mua një marrëveshje e mirë, është marrëveshja që e sjell Kosovën dhe Serbinë më afër anëtarësimit në BE. Më besoni, se kam dyshime serioze se një marrëveshje e tillë mund të arrihet pa praninë e BE-së”, tha ai.
Ndonëse nuk dha data për rifillimin e dialogut në Bruksel, Lajçak tha se këtë do të bëjë pas vizitës në Serbi.
Lajçak: Dua të lehtësoj një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese mes Kosovës dhe Serbisë
“Unë dua të lehtësoj një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.
Krahas kësaj, emisari evropian tha se politikanët në Kosovë duhet që dialogun me Serbinë ta vendosin mbi politikën.
Lajçak: Kosova duhet të jetë e bashkuar në dialog
“Në takimet e mia kam theksuar se Kosova duhet të jetë e bashkuar në dialog. Dialogu duhet të vendoset mbi politikën. Po ashtu siç duhet të vendoset edhe integrimi evropian mbi politikën. Diskutuam për mënyrën si të ecim përpara me shpejtësi për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, përfshirë hapat e ardhshëm shumë konkretë, me data, metodologji dhe pritjet e përgjithshme. Jam shumë i lumtur që dialogu i lehtësuar nga BE-ja është prioritet për qeverinë dhe jam i kënaqur me seriozitetit dhe gatishmërinë e bashkëbiseduesve të mi që të ulen në tavolinën e negociatave, tha ai.
Ai theksoi se ka biseduar me kryeministrin Avdullah Hoti që dialogun në Bruksel ta udhëheqë ai.
Lajçak: Kryeministri do të jetë ai që udhëheq negociatat
“Nuk jam këtu që të zgjedh partnerët, unë e respektoj faktin se qeveria është duke udhëhequr negociatat. Kryeministri do të jetë ai që do të udhëheqë negociatat, këtë e kemi diskutuar me kryeministrin. Nuk dua që të bëj ndonjë shpallje, apo të flas për ndonjë datë para se të kem vizitën në Beograd”, tha ai.
Në konferencën për media, Lajçak tha se Kosova dhe Serbia e kanë të ardhmen evropiane.
Ndryshe, vizita treditore e diplomatit sllovak në Kosovë, e para kjo pas marrjes së detyrës, vjen pas paralajmërimit të emisarit amerikan për dialogun Richard Grenell për takimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 27 qershor, në Shtëpinë e Bardhë. /KosovaPress/