Autoritetet italiane kanë shtyrë afatin kohor të mbylljes së procesit të pajisjes me leje të rregullt qëndrimi për emigrantët ilegalë në Itali.
Në mbledhjen e fundit të Këshilllit të Ministrave, qeveria Conte mori vendimin e shtyrjes së afatit kohor të këtij procesi nga data 15 korrik 2020 në 15 gusht 2020.
Me propozim të Ministres së Bujqësisë,Teresa Bellanova, qeveria italiane aprovoi më 19 maj 2020 dekretligjin për të punësuar me kontratë të rregullt pune dhjetra mijëra emigrantë ilegalë në disa sektorë të ekonomisë që kanë nevojë urgjente për krah pune.
Kjo e drejtë u jepet rreth 600 mijë emigrantëve të parregullt që jetojnë në Itali e që plotësojnë kuhstet e kërkuara nga ky dekretligj.
Mund të kërkojnë këtë të drejtë të gjithë emigrantët ilegalë që janë identifikuar nga autoritetet italiane para datës 8 mars 2020 apo dhe ata që mund të dokumentojnë qëndrimin e tyre në Itali para kësaj date.
Ata duhet të prezantojë një kontratë pune nga një punëdhënës, i cili i duhet t’i derdhë shtetit një kontribut prej 400 euro.
Gjithashtu mund të kërkojnë leje të rregullt qëndrimi dhe ata emigrantë me një leje të skaduar duke iu dhënë mundësinë për t’u punësuar.
E në këtë rast emigranti që prezanton kërkesën duhet të derdhë për shtetin një kontribut prej 160 euro.
Leja e qëndrimit do të jetë me një kohëzgjatje 6 muaj me mundësi rinovimi. Sektorët ku është e lejueshme të punësohen janë në bujqësi, blegtori, peshkim, asistencë për persona me aftësi të kufizueshme e punësim shtëpiak.
Nuk do të kenë të drejtë marrjen e lejes së rregullt të qëndrimit emigrantët e dënuar për vepra të ndryshme penale nga drejtësia italiane.
Pak orë më parë Ministria e Brendshme italiane ka prezantuar raportin e parë mbi ecurinë e këtij procesi.
Në vetëm dy javët e para, janë 32 mijë emigrantë që kanë dorëzuar kërkesën e tyre për të rregulluar ligjshmërisht qëndrimin e tyre në Itali.
Shumë prej tyre janë shqiptarë të cilët kanë prezantuar numrin më të lartë të kërkesave të punësimit në sektorët e bujqësisë e të blegtorisë.
/Ora News/