Është identifikuar nga hetuesit dhe shpallur në kërkim një nga autorët e dyshyar të vrasjes së 40-vjeçarit Hekuran Billa, te Komuna e Parisit, në Tiranë. Burime pranë Grupit Hetimor, bëjnë me dije se autori është Viktor Marku, vëllai i Prel Markut, i vrarë nga Hekuran Billa, në vitin 2006, në Angli.
Dy netë më parë, Hekuran Billa u ekzekutua me 11 plumba. Arma që u përdor nga ekzekutori është ‘MP5’ me silenciator.
Në momentin e ekzekutimit, Billa ndodhej në automjetin e tij BMW X6. Hekuran Billa dyshohet se u vra për hakmarrje, pasi në vitin 2006 ai akuzohet se ka vrarë Prel Markun në Angli.
Pak minuta pas ngjarjes, një automjet u gjet i djegur në Pezë të Vogël, i cili dyshohet se u përdor nga autorët të cilët ekzekutuan Hekuran Billën.
Ngjarja
Rreth orës 22:00 të mbrëmjes së të Enjtes, teksa Hekuran Billa po lëvizte më automjetin e tij tip ‘BMW X6’ në ‘Komunën e Parisit’, dyshohet se dy persona janë afruar dhe kanë qëlluar drejt tij dy herë, duke e lënë të vdekur në vend.
Raportohet se autorët e kanë gjurmuar Billën, i cili fillimisht ndodhej në një lokal. Më pas, ata kanë pritur momentin kur 40-vjeçari është futur në makinë dhe kanë qëlluar drej tij duke e lënë të vdekur në vend.
Sipas dëshmitarëve, një prej autorëve është identifikuar si një i ri me kapele, ndërsa raportohet se autori kryesor, është ndihmuar dhe nga dy persona të tjerë.
Autorët dyshohet se kanë përdorur armë me silenciator. Një gjë e tillë konfirmohet dhe nga dëshmitarët pasi shprehen se nuk kanë dëgjuar të shtëna, por vetëm automjetin e viktimës në ecje e sipër i cili u përplas me dy automjete të tjera.
E kaluara
Hekuran Billa, i njohur ndryshe si Herland Bilali, është një emër i njohur për drejtësinë angleze. Ai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Prel Markut (asokohe 22 vjec), ngjarje e ndodhur në 2006. Ai u shpall fajtor për tre akuza, “Vrasje” , “Vrasje” mbetur ne tentative dy herë si dhe “Plagosja me dashje për të shaktuar lëndim të rëndë trupor”.
Dy persona të tjerë u plagosën nga plumbat gjatë të shtënave. Pronari i klubit Musa Rrahmani u plagos edhe u hodh nga dritarja e katit të dytë për të shpëtuar. Vendimi i drejtësisë angleze është njohur dhe nga Gjykata e Apelit në Tiranë.