Nuk është shumë e vështirë të gjesh Uljan Kolgjegjajn pasi ai tashmë njihet në rrethin e taksistëve në kryeqytet. Por fama e tij tashmë ka arritur deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe këtë herë jo për tatuazhin e Marinës që mban në trup, as për faktin se disa ditë pasi bëri tatuazh portretin e ish-kryeministrit Sali Berisha e shndërroi atë në dragua, por për… mbështetjen që i jep Donald Trampit. Do të thoni ju, pse ka nevojë Tramp për mbështetjen e djalit nga Tirana? Po Uljani bën të vetën dhe i shpreh hapur bindjet e tij në mbështetje të kësaj kandidature.
E gjetëm si zakonisht atje ku ka vendqëndrimin e tij, pranë Piramidës, duke pritur klientin e radhës. Shohim që taksia e tij, këtë herë ishte e mbushur me posterat e Donald Tramp. Dikur vendin e tij të nderit e kishte… Kim Kardashian dhe motra e saj, Kylie Jenner.
Kur e pyesim se përse e mbështet këtë kandidaturë, përgjigjet bindshëm dhe me vendosmëri: “Donald Tramp më duket shumë njeri i drejtë. Nuk është si politikanët shqiptarë që bëjnë fushatë dhe vjedhin, i fusin lekët në xhep. Ndërsa ai nuk nevojë vjedh pasi është biznesmen dhe ka lekë plot”.
Kolgjegjaj e ka një shpjegim të vetin se përse Tramp i është futur politikës. Sipas tij, ai është nisur nga një mision i caktuar. “Donald Tramp është futur në politikë për të hequr këtë farën e keqe të politikanëve që qeverisin gjithandej deri më tani. Ai është ndryshe nga të tjerët. I thotë gjërat troç, ashtu siç janë, pa diplomaci”- shprehet taksisti për Dita-n.
Uljani edhe pse ka fiksim amerikanët, deri më sot nuk e ka tentuar ndonjëherë të aplikojë në lotarinë amerikane, por nëse fiton Tramp, do ta provojë edhe ai fatin. Kur i themi që i preferuari i tij nuk i mbështet emigrantët, madje ka thënë se do t’i zhdukë ata nga Amerika, Kolgjegjaj e ka një arsyetim edhe për këtë deklaratë të mbështetësit të tij.
“Emigrantët që nuk e duan Donaldin janë ata që janë pa letra dhe që bëjnë pisllëqe. Dhe Donaldi do ta shuaj këtë farën e keqe. Ai i do njerëzit të rregullt, sipas ligjit. Emigrantët e rregullt nuk kanë arsye se pse duhet ta kenë frikë atë”-pohon taksisti.
Ai arrin deri aty sa të parashikojë edhe rezultatin e zgjedhjeve në Amerikë. “Tramp ka për të fituar bindshëm, 70 për qind mendoj unë. Do m’i kujtosh këto fjalë që po të them”.
Një djalë i cili deri më tani ka mbajtur portretet e disa femrave sharmante dhe të njohura në taksin e tij, duket pak e çuditshme që të preferoj një mashkull këtë herë. Por mesa duket, Hillari nuk është në shijet e tij, pasi ai thotë se, po të kaloi vakti duhet të hapësh rrugë dhe të zëvendësohesh më një tjetër. Në ditët e sotme, sipas tij, të ikën koha.
“Hilari Klinton nuk i hyn në punë askujt. Ajo është zonjë për veten e vet. Pse e gjithë familja do futet në politikë! Ka qenë burri, pse duhet të futet edhe ajo!? Pastaj s’ka moshë ajo për atë punë”- thotë Uljani.
Megjithatë, djaloshi taksist ka arritur të tërheq vëmendjen jo vetëm të njerëzve, por edhe të mediave të huaja këto kohë. “Këto ditë vetëm më fotografojnë. Vijnë njerëzit, bëjnë foto dhe qeshin”– tregon ai duke qeshur, gjithashtu.
Në mediat e huaja
Shoferit të taksisë i ka dedikuar një shkrim të veçantë edhe mediat e huaja, konkretisht “Associated Press”, (e më pas është transmetuar edhe nga shumë media të tjera amerikane) për të cilën, ndër të tjera thotë se manjati i pasurive të paluajtshme ka ndihmuar mjaftueshëm në shpëtimin e biznesit të tij.
Uljan Kolgjegja ka thënë për këtë media se, ideja për ta pikturuar automjetin e tij me fotot e Donald Tramp i ka ardhur pasi kishte dëgjuar kryeministrin Rama të thoshte se “Tramp mund të përbënte një kërcënim real ndaj marrëdhënieve shqiptaro-amerikane”.
Gjesti i tij ka tërhequr vëmendjen e shumë personave në Tiranë, ndërsa Kolgjegja thotë se po fiton më shumë para se kurrë më parë, gjatë 13 viteve si shofer taksie. “Fotot e tij më kanë sjellë më shumë klientë”, shprehet ai për “AP”.
Kolgjegja flet edhe në lidhje me presidencialet amerikane, teksa thotë se Tramp do të sjellë zhvillime të reja shpresëdhënëse anembanë botës, nëse zgjidhet president, ndërsa shfaqet më shumë skeptik ndaj kandidates demokrate, Hilari Klinton.
“Shikoni botën sot, e mbushur plot me luftëra. Presidenti Obama dhe Klintoni, e cila ka punuar për të më parë, nuk kanë bërë aq sa duhet”, thotë ai. “Tramp do të sjellë një ndryshim”.
Në komentet e mëhershme të tij për Trampin, kryeministri Rama ka thënë se “do të ketë pasoja shkatërrimtare” nëse ai zgjidhet president i SHBA-ve. Por këtu, ai nuk i është referuar republikanëve në tërësi, vetëm një “karakteri që ka sjellë shqetësim edhe mes vet republikanëve”, saqë shumë prej tyre tashmë duan dhe pritet të votojnë Klintonin.
“Kur Tramp të bëhet zyrtarisht president dhe të futet në Shtëpinë e Bardhë në janar, unë do të ndez 200 fishekzjarrë përpara zyrës së kryeministrit Rama”, ka premtuar Kolgjegja në fjalët e cituara nga “Associated Press”.
Tirana dhe Uashingtoni rivendosën marrëdhëniet diplomatike në vitin 1991 pas rënies së regjimit komunist në vendin tonë. Ndërkohë, edhe ish-presidenti amerikan George W. Bush pati një mikpritje si hero në Shqipëri, gjatë vizitës së tij në vitin 2007./DITA