Krejtësisht i vetëm kryeministri i sapozgjedhur, Avdullah Hoti, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e marrjes së detyrës.
Me një kalim para Gardës Ceremoniale, Hoti që dje u votua si pasardhës i Albin Kurtit, ka nisur ditën e parë të punës si i pari i ekzekutivit.
Pak minuta pas marrjes së detyrës, Hoti pritet të mbledh kabinetin e ri qeveritar për të mbajtur mbledhjen e parë si kreu i ekzekutivit.
Në ditën e parë si kryeministër, Hoti, pas mbledhjes së qeverisë do të bëjë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe në kompleksin memorial “Adem Jashari”.
Ndërkohë, vizitën e parë si kryeministër do ta bëjë në Ministrinë e Shëndetësisë.
Në mbledhjen e parë të Qeverisë, Hoti ka thënë se beson në ekipin e tij dhe programin qeverisës. Ai ka shtuar se prioritet do ta ketë pandeminë COVID-19 dhe rimëkëmbjen ekonomike.
“Është një program ambicioz. Unë besoj në këtë program, besoj në këtë ekip. Duhet të adresohen menjëherë sfidat duke filluar nga pandemia, nga rimëkëmbja ekonomike. Do të ndërtojmë një diskurs tjetër edhe brenda këtij kabineti qeveritar edhe brenda partnerëve të koalicionit edhe me partitë. Do t’i kthehemi punës e jo retorikës. Prioritetet tona përveç luftës ndaj pandemisë e rimëkëmbjes ekonomike, janë forcimi i shtetit ligjor, marrja përsipër në baza kushtetuese e dialogut, adresimi i nevojave në arsim e shëndetësi. Unë pres bashkëpunimin e ngushtë”, ka thënë Hoti.