Nga Gjergji Koja
Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore nuk arriti të përfundonte një draft konsensual, edhe pse pati një angazhim, për të mos thënë presion të ambasadorëve për gjetjen e një kompromisi.
Çështjet për të cilat nuk u dakordësuan palët janë ato që konsideroheshin si thelbësoret për menaxhimin e një procesi, edhe pse ka mbi 20 vjet që diskutohet mbi të njëjtat gjëra, duke ndryshuar vetëm termat.
Sot shikohet si shpëtim sistemi, a është me lista të hapura apo të mbyllura, duhet ose jo të jetë mazhoritar apo proporcional, duhet të jetë miks apo danez, norvegjez, gjerman apo amerikan.
Në fakt në Shqipëri janë ekperimentuar të gjitha llojet e sistemeve, nga mazhoritari, te ai miks apo proporcional sikundër është sot, me apo pa korrektim. Rezultati ka qenë i njëjtë, pas çdo procesi zgjedhor kemi pasur nga një raport të OSBE/ODIHR të mbushur me rekomandime, në bazë të të cilave duhej të ndryshonte Kodi Zgjedhor.
Dhe sa herë këto ndryshime realizoheshin, sërisht dilnin disa të tjera në zgjedhjet pasuese, që vështirë që mbahen mend edhe nga ata që janë marrë me Kodin Zgjedhor.
Problemi që ka Shqipëria është se s´ka pasur një vullnet për zgjedhje të lira dhe të ndershme, që vota të lexohej sikundër hidhej në kuti, që votuesve mos i bëhej presion dhe mos i trokitej në derën e shtëpisë për t´i blerë votën, që mos tentohej të përdoreshin individë apo grupe me influenca në zona të caktuara, që kandidatë për deputetë të mos caktohen vetëm nga Njëshat e partive, që më pas i duhej të vepronin me çdo mjet për të marrë mandatin.
Dhe për këto se ka fajin as sistemi, as komisionerët, as numëruesit, as vëzhguesit. Problemi qëndron tjetërkund, te demokratizimi i brendshëm i çdo partie.
Nuk ka procese të brendshme zgjedhore, nuk ka fraksione, nuk ka përfaqësim të atyre që mund të kenë mendim ndryshe, dhe logjika që mbizotëron është: o me liderin, ose jashtë.
Ndaj dhe sot në Kuvend e Bashki, në këshilla e forume, ka në një shumicë absolute që duken servilë, që s´mund të kundërshtojnë apo i binden verbërisht Kryetarit. Sepse ky është sistemi mbi të cilat janë ngritur partitë dhe funksionojnë. Sa kryetarë partish janë dorëhequr pas humbjes së zgjedhjeve? Asnjë, me përjashtim kur janë mërzitur apo për shkak të moshës. Ndoshta jemi i vetmi vend që dy partitë kryesore kanë ndryshuar kryetarët në 28 vjet, dy apo tre herë herë, kur janë zhvilluar 15 procese zgjedhore, parlamentare dhe lokale, me humbës dhe fitues, por që humbësit nuk i kanë marrë përgjegjësitë, dhe janë tërhequr kur kanë dashur.
Kjo ka ndodhur me PD, PS, LSI. Lideri është njëshi, pas tij nuk ka, sepse nuk mund të mbijetojnë me sistemin e funksionimit të partive.
Ku i gjen sot ato që kundërshtojnë Kryetarët? Askund në politikë! Ose janë larguar, ose janë përjashtuar, ose i janë përshtatur mjedisit, duke parë interesat e tyre dhe janë në pritje si ai skifteri që pret të kapë prehën. Disa më guximtarë mund të jenë grupuar duke krijuar nga një partizë, por përveç kryetarit nuk njihen të tjerë, dhe vijon e njëjta logjikë.
Ndaj dhe kur thuhet se shpëtimi do na vijë nga listat e hapura është thjesht justifikimi i rradhës. Listat si të hapura si të mbyllura, si me sistem proporcional apo mazhoritar, i cakton Kryetari. Kjo ka ndodhur gjithmonë si në të majtë ashtu edhe në qendrën e politikës, pasi ende s´ka një parti të së djathtës. I vetmi dallim është se kur kishte një sistem mazhoritar, mund të kishte një ndërhyrje të atyre që konsideroheshin si përgjegjës qarqesh për të futur ndonjë emër në listë, i cili nëse nuk ishte nën hyqmin e kryetarit, vihej në një zonë që nuk konsiderohej e sigurtë, ose ishte humbëse.
E ndërsa nuk mbahet mend koha kur një palë zgjedhje parlamentare kanë kaluar testin përkundër çdo përkufizimi, është e vështirë të gjesh qoftë edhe 1 rast kur në partitë shqiptare u zhvilluan një palë zgjedhje të brendshme normale.
Të gjithë flasin për demokraci, për demokratizim, për fushatat, për votime e numërime, por askush nuk e zbaton në oborrin e selisë. Ndaj dhe këtu nis problemi. E nëse sot thuhet se identifikimi apo votimi elektronik do t´i japë fund një manipulimi që nis që me listat e zgjedhësve, palët që janë ulur në atë tryezë e dinë shumë mirë se e vetmja gjë që zgjidhet, është që rezultati zgjedhor të dale më shpejt.
P.sh si do të mund të ndalojë identifikimi apo votimi elektronik blerjen e votës, nëse palët në një proces hynë me idenë se do të blejnë votat? Nuk ka nevojë që zgjedhësin ta presësh se qendra e votimit, t´i ushtrosh presion apo kërcënosh atje. Jo, i shkohet në shtëpi, njëlloj si për vizitë, dhe s´ka nevojë ta detyrosh të të japë fjalën se do të votojë për ty, kur i përket krahut tjetër, thjesht e “bind” që të të dorëzojë kartën ID, që mos shkojë atë ditë të votojë. Dhe kjo ka ndodhur në Shqipëri, ka ndodhur edhe kur njëra palë brohoriste për fitoren dhe tjetra pranonte humbjen.
Sot thuhet se mbushen kutitë me votat e emigrantëve, pra të atyre që nuk janë prezent fizikisht, por askush nuk ka thënë sa është kjo përqindje, sa ka ndikuar në rezultat përveç se ka rritur artificialisht përqindjen e votuesve, dhe sa kallzime janë dorëzuar në prokurori ndaj komisionerëve?
Dhe ka patur raste kur edhe kjo ka ndodhur, por është bërë me kompromisin e atyre komisionerëve në qendrat e votimit, që shiten e blihen njëlloj si ato zgjedhësit që vlerën e votës e barazojnë me 20, 30 apo 50 mijë lekë.
Zgjedhjet e para dhe të fundit që mund të konsiderohen të lira, të ndershme, demokratike, janë ato të 22 marsit 1992, të tjerat pas tyre janë njollosur ose me shit-blerje ose presion e dhunë nga policia e grupet kriminale ose me gjak komisionerësh e vëzhguesish.
Sepse në Shqipëri nuk hyhet në zgjedhje për standardet, as për të pranuar rezultatin, por për të rrëmbyer atë që nuk të takon. Dhe në fund palët humbëse ngrenë gishtin e akuzës ndaj palës tjetër për manipulime, për blerje a kërcënime, pastaj vijnë rekomandimet e rradhës për të ndryshuar Kodin, dhe palët bien dakort se fajin e ka pikërisht ai, libri i rregullave zgjedhore.
Kjo shpëton humbësit nga përgjegjësia e dorëheqjes brenda partisë, fituesi nuk gjykohet dhe loja nis nga e para.