Nga Gjergji Koja
Ardi Veliu u shfaq dje në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, në të cilin deputetët duhet të pajisen me çertifikata sigurie pasi kalojnë në duar me qindra e mijëra dokumente që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare të këtij vendi.
Veliu u shfaq për të raportuar, për të dhënë shpjegime, për t´u shfajësuar për vete dhe për vartësit, ata që çizmen e vendosin mbi fytyrat e qytetarëve dhe pëllëmbët i përdorin për të “edukuar” adoleshentë dhe qytetarë që shkelin fasha orare, apo protestojnë.
Populli thotë se gjuha shkon atje ku dhemb dhëmbi, dhe Veliut duket se i ka djegur shumë ajo rrahja shembullore që iu bë atij adoleshentit 15 vjeçar te liqeni nga vartësit e tij.
I ka djegur aq shumë sa kishte gërmuar në profilet në rrjetet sociale të nënës së djalit dhe ndoshta i ka ngjarë vetja si dedektiv që kishte zbuluar foto dhe video, duke i paraqitur si prova për tu mbrojtur jo nga ata që kishte përballë, por përpara atyre që do e shikonin përmes televizioneve.
Dhe çfarë paraqiti Veliu? Sekuenca nga një film që tregonin një aktore me një pistoletë lodër në dorë duke luajtur rolin e saj.
Veliu në mendjen e tij kishte menduar se kishte bërë zbulimin e madh, i ngjante vetja ndoshta si një Sherlock Holmes, dhe para tij ishin deputetët që ose qeshnin ose mbeten gojëhapur nga zbulimi.
Para tyre po shfaqej një sekuesncë krimi, sipas asaj që ka në mendje Veliu, dhe ndoshta në orët në vazhdim, nëse nuk do të kishte reagime, , mund të vazhdonte me budadallëkun e tij, dhe të organizonte edhe ndonjë operacion policor, të arrestonte nënën dhe cilindo që shfaqej në atë video.
Fatkeqësisht ne s´patëm fatin të shijonim deri në fund atë që mund të urdhëronte Veliu, dhe as të shihnim reagimet e shefave të tij, njëri ministër dhe tjetri Kryeministër.
Por budadallëku vijoi me një reagim sqarues nga i njëjti, që disa orë pasi kishte zbuluar edukatën familjare të 15-vjeçarit duke u marrë me nënën e tij, si një burracak. U fsheh po njësoj, pas asaj se Policia e Shtetit po sulmohej, po atakohej, dhe se deklaratat e tij në një komision parlamentar ishin keqkuptuar.
Me logjikën e tij ai ndoshta ka të drejtë, pasi mund të mendojë se ai përfaqëson Policinë e Shtetit meqë është drejtues i saj, por pyetja që lind është sa nga ata që janë sot nën uniformë ndjehen të përfaqësuar prej Veliut?
Në një vend normal, ai duhej të dilte të kërkonte ndjesë dhe të dorëhiqej, jo vetëm se fyeu publikisht një grua, një femër, nënën e një adoleshenti, pa pasur asnjë fakt, por edhe sepse mashtroi Kuvendin dhe mbarë opinionin.
Nëse do e bënte këtë, ndoshta mund të kishte edhe ndonjë mesazh falenderues apo justifikues për të, me argumentin se gabimet janë njerëzore.
Por jo Veliu nuk zgjodhi as të kërkojë falje dhe as të dorëhiqet. Shefat e tij nuk zgjodhën as të distancohen edhe as t´a shkarkojnë dhe kjo në fakt tregon se ata mendojnë si ai, ose ai ka menduar se ata.
Kohë më parë veprimin e Veliut për të gërmuar në profilet e qytetarëve në rrjetet sociale e kishte edhe Kryeministri, që para se të replikonte me dikë në rrjet, i hynte dhe i shikonte profilin, dhe më pas niste sulmin. Të njëjtën gjë bëri edhe Ardi, hyri në një profil, gjeti foto dhe video, i nxorri si një zbulim dhe tregoi moralin.
Nuk e di nëse Sandër LLeshaj është ndjerë mirë apo keq, ka buzëqeshur apo ka heshtur, por referuar deklaratave të tij se çdo polic do të kishte fytyrën e tij, dje na u dha mundësia t´a shikonim në një tjetër formë.
Deri më sot e kishim parë fytyrën e ministrit përmes policëve me gaz lotsjellës, me arrogancë, me dhunë, me kërcënime, me arrestime, me dhe pa syze, me maska dhe pa to, me numra dhe pa numra në uniformë, ndërsa dje Ard Veliu na tregoi edhe atë tjetrën, të një “trumcaku”.
Ndaj Ardi Veliu nuk duhet shkarkuar, as duhet lejuar të dorëhiqet. Madje i duhet dhënë hapësirë sa më e madhe në ekrane dhe media, se ndoshta në këtë mënyrë do të arrijmë të shohim të tjera fytyra të shefave të tij.
Mundësisht të dalë përditë në televizor dhe pasi të përfundojë deklarimin e rradhës ti bashkangjitet edhe “zbulimi” që shfaqi në Kuvend. Vetëm në këtë mënyrë shoqëria mund t´i kthejë reston Kryepolicit që paguhet me taksat tona dhe deputetëve që e dëgjonin duke qeshur, apo heshtën.
Për të nuk duhet kërkuar shkarkimi se kështu e harrojmë, i bëjmë nder, ashtu sikundër janë harruar edhe plot paraardhës të tij.
Ai duhet të qëndrojë në detyrë dhe ne duhet të presim nëse Prokuroria do të ketë këllqe të veprojë. Ne duhet ta shikojmë Kryepolicin kur hyn dhe del nga prokuroria, ti bëjmë intervista dhe të shikojmë a i dridhet zëri apo jo.