I ftuar në “Çim Peka LIVE” në Syri TV, ish presidenti Bujar Nishani, teksa komentoi shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe ngjarjet që rrodhën pas saj, u shpreh se me këto veprime është rrënuar sistemi gjyqësor dhe shteti.
Sipas Nishanit, kjo është një dëshirë 20-vjeçare e kryeministrit Rama, ndërsa nuk e quajti teatër politik atë çfarë po ndodh që prej ditës së djeshme.
“Sot jemi në një moment ku finalja është imponuar nga ky pozicionim i Edi Ramës. Nuk besoj se do të ketë një teatër politik. Nëse ne e konvertojmë dramën e madhe që përjetuan jo vetëm artistët, që janë rritur aty, por të gjithë qytetarët shqiptarë dhe ajo ka qenë evidente, por do të them se tashmë kemi kaluar në një fazë të dytë që nëse do të ishte teatër do të ishte më e keqe se shembja.
Mijëra e mijëra qytetarë që janë bashkuar me këta artistë, opozita politike, nuk besoj se e kanë konsideruar këtë si një teatër, por si një reagim që është i domosdoshëm dhe nuk ka zgjidhje tjetër. Kjo sjellje vandale, jo fizikisht, por si qasje politike, që ka asgjëruar gjithçka. Duke nisur me Kushtetutën.”, tha Nishani.
“Këshilli Bashkiak nuk mund të marrë veprime në raport me objekte apo subjekte që nuk janë në subjektin vendor. Teatri Kombëtar nuk është i nivelit lokal. Për këtë artistët iu drejtuan sistemit gjyqësor. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e çoi në Prokurori, Presidenti iu drejtua Gjykatës Kushtetuese. Bashkia e Tiranës nuk e pranoi, rrënoi edhe sistemin gjyqësor. Injoruan emocionet e shumicës së qytetarëve dhe artistëve dhe u përdor dhuna ekstreme”, tha ish-presidenti.