Edison Canaj, 34-vjeç, në kërkim policor dhe i dënuar më herët për disa vepra penale, është vënë sërish në pranga në Tiranë.
Canaj ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”. Gjithashtu, sipas policisë, dyshohet se ky shtetas është autor edhe i disa vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë.
Aksioni
Policia njoftoi se shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë, kanë marrë informacione se një shtetas i kërkuar po lëvizte në rrugën “Besim Alla”.
“Bazuar në informacionet e marra, shërbimet e Policisë organizuan punën duke zhvilluar operacionin policor të koduar “Prita”, në kuadër të të cilit u bë rrethimi i zonës ku dyshohej se fshihej dhe mund të lëvizte ky shtetas. Pas disa orësh mbajtjeje nën kontroll të zonës, rreth orës 01:15 të mëngjesit të sotëm, shërbimet e Policisë kanë konstatuar në rrugën “Besim Alla”, shtetasin e dyshuar i cili po tentonte të vidhte një motomjet me qëllim që të largohej. Si rezultat i rrethimit të zonës, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponjat” dhe me Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i tij”, shtuan të njëjtat burime.
Precedentët
Canaj, banues në Tiranë, rezulton i dënuar më parë për veprat penale “Vjedhja”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Vjedhja me dhunë”, “Plagosja e lehte me dashje”, “Armëmbajtja pa leje”. Në Korrik 2013, bashkë me një tjetër person, u arrestuan pasi futën me forcë në makinë një të ri, të cilin e dërguan në periferi të Tiranës, ku e rrahën e më pas e lanë të lirë. Në vitin 2017, u arrestua si autori i vjedhjes në bashkëpunim të autobotit të një karbuaranti në Ksamil.