Shqipëria sot nuk ka një qendër shkencore për rrugët apo infrastrukturën në tërësi, megjithëse është fusha ku shpenzohen mbi 60-70% e investimeve të vendit.
Ndër vite janë bërë gabime që janë shoqëruar me kosto jo të vogla. Rrugë që hapen e mbyllen në harkun kohor të pak viteve. Projekte që nuk ndjekin logjikën e një strategjie kombëtare, që mund të ishin bërë me kosto më të ulët e do të sillnin më shumë përfitim.
Akademikët janë të mendimit se vendi ka nevojë urgjente për ngritjen e insitucioneve shkencore që do të bënin të mundur që të hartoheshin projekte eficiente dhe që do t’i shërbenin ekonomisë për t’u zhvilluar.
Doktori i Shkencave Faruk Kaba, i cili që nga viti 1996 drejton kompaninë konsulente InfraTrans Project argumenton nevojën e financimit të kërkimit shkencor. Ai është projektues i mbi 3,600 kilometrave rrugëve në të gjithë vendin.
Për fat të keq, Shqipëria renditet ndër vendet ku investimi për shkencën është “harruar”. Me vetëm 0.016% të PBB-së për shkencën (mesatarja botërore 2.09%e PBB-së), ajo renditet ndër vendet e fundit në botë: e 193-ta.
Profesor, sot, financimi për kërkimet shkencore në botë konsiderohet i rëndësishëm në zhvillimin e një vendi…
Vende si SHBA-ja, Japonia, Gjermania, Suedia, Franca, Anglia, Izraeli, Koreja Jugut etj., investojnë 3.5% deri 4% të PBB-së për shkencën dhe kërkimin shkencor. Ky investim rrit prodhimin dhe të mirat materiale. Një vend nuk mund të quhet i pasur dhe i fortë ekonomikisht pa një shkencë dhe kërkim shkencor të përparuar.
Ashtu si dhe me Institutet e Kërkimit të Naftës, në Shqipëri kanë ekzistuar institute,veçanërisht ato në kuadër të dikasterit të ndërtimit, në fusha si infrastruktura e transportit (Instituti Nr. 2), energjetika (Instituti Nr. 3), arkitekturë-urbanistika (Instituti Nr. 1),materialet e ndërtimit dhe ndërtimi në tërësi (ISTN), veprat industriale (Instituti Nr. 4) etj., por që koha dhe më saktë, ekonomia e tregut, “i nxori jashtë loje”, jo si të pavlefshëm, por që nuk mund të ekzistonin, justifikonin dhe të procedonin, sipas rregullave të një ekonomie të ezauruar, siç ishte ajo socialiste, e përqendruar, e asaj kohe. Në fakt, Ekonomia e Tregut aq më tepër ka nevojë të padiskutueshme për shkencën dhe kërkimin shkencor, përndryshe ajo dështon.
Kërkimi shkencor kërkon buxhete, financim, laboratorë, shkencëtarë të mirëpaguar, programe etj.
Shteti, veçanërisht ky i yni, është krejt i dobët financiarisht dhe i pamundur për këto financime. Për të qenë krejt transparent që në fillim, dhe duke qenë realistë në njohjen e gjendjes sonë dhe ekonomisë sonë, sigurisht që nuk e kemi fjalën për financimin nga shteti të këtyre strukturave shkencore, por krejt e kundërta, bëhet fjalë për përjashtimin e çdo financimi nga buxhetet shtetërore.
Si mund të realizohet kjo? Në shumicën e vendeve të përparuara, zhvillimi teknologjik-standardet-novacionet-studimet në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe industrisë, nga të cilat përfiton shoqëria, financohen nga vetë procesi i prodhimit. Cila është forma? Pa u trembur mund të themi se shkenca dhe kërkimi shkencor bëhet i mundur të financohet nëpërmjet një takse.
Kjo taksë është fare simbolike në tërësinë e aktivitetit ekonomik në një fushë të caktuar dhe për cilindo subjekt ekonomik: vetëm rreth 1-2%e çdo kontrate, dhe për të mos rënduar askënd, realizohet brenda kontratave të prodhimit/ndërtimit/projektimit/mirëmbajtjes etj., në projektet në fjalë.
Kjo zgjidhje shumë efikase, e realizuar me shumë sukses në vende nga më të përparuarat në botë, përbën për Ekonominë e Tregut një instrument shumë efikas për të nxitur dhe për të përshpejtuar novacionin dhe kërkimin shkencor në industri, ndërtim, transport, bujqësi, tregti etj. Modelet e aplikuara dhe përvoja e vendeve më të zhvilluara mund dhe duhet të aplikohet edhe në vendin tonë, pse jo, veçanërisht në fushat ku prodhimi është i tillë në sasi, që, nga kjo taksë tejet modeste, mund të krijohen buxhete të tilla të mjaftueshme për financimin dhe funksionimin e strukturave kërkimore-shkencore. Bie fjala, vetëm në fushën e rrugëve, me një taksë gati të papërfillshme, prej vetëm 1%apo edhe më pak, krijohen buxhete të mjaftueshme për ngritjen e një Qendre Kërkimore dinjitoze, të rëndësishme. Ngritja e saj, detyrë emergjente e së cilës është vendosja e standardeve në të gjitha hallkat, punimet, marrëdhëniet dhe legjislacionin, nuk do të lejojë ndërtime apo investime pa cilësi dhe shpesh pa kriter dhe dëmin e madh, që i është shkaktuar ekonomisë nga një menaxhim dhe drejtim me gabime në këtë sektor për vite të tëra. Me të njëjtën logjikë mund të flitet edhe për fusha të tjera si energjia, mjedisi, bujqësia, industritë e ndryshme, si ajo e naftës, ushqimit, etj.
Në biseda me të gjithë nivelet, nga vendimmarrës deri te ndërtues-kontraktorët, prodhuesit etj., nuk kuptohet dhe nuk mirëpritet kjo taksë, por përvoja më e mirë botërore ka treguar se të mirat e këtij investimi për shkencën dhe kërkimin shkencor janë të pallogaritshme dhe në radhë të parë për vetë projektuesit, kontraktorët, prodhuesit dhe për të tërë shoqërinë.
Sipas modelit që propozohet, i cili ka rezultuar plotësisht i suksesshëm nga përvojat më të mira botërore, shteti nuk i financon këto Qendra Kërkimore/Shkencore, nuk hedh asnjë qindarkë. Ajo realizohet nëpërmjet projekteve: nga një përqindje simbolike mbi çdo kontratë, mundësohet financimi i kërkimit në fushën përkatëse, veçanërisht atje ku kjo taksë krijon buxhete të mjaftueshme për këtë aktivitet kërkimor.
Përvoja e Shqipërisë në financimin e kërkimit vetëm nga burimet e buxhetit dhe tradita e deritanishme me këto institucione kërkimore shtetërore, nuk ka bërë të mundur zhvillimin e kërkimit shkencor të nivelit bashkëkohor, që në thelb duhet të jetë financimi nga projektet. Kjo është dhe një nga arsyet e prapambetjes së theksuar që kemi sot në ngritjen e strukturave të tilla shkencore. Para viteve ’90, shteti shqiptar dhe ekonomia e tij e centralizuar kishin Institute Studimore apo Projektuese, Institute Kërkimore në fusha të ndryshme, të cilët, me gjithë të metat, ishin një zë kompetent, që u jepte zgjidhje problemeve më të shumta, për të cilat kishte nevoja shkenca dhe prodhimi i asaj kohe sipas fushave të ekonomisë. Këto institucione me formatet e tyre dhe format e organizimit dhe orientimit nuk i rezistuan dot ekonomisë së tregut dhe në fillim të viteve ’90, pjesa më e madhe e tyre, u shkri. Ndonjë nga ata që mbetën, u kthyen në barrë për ekonominë, duke u shndërruar në qendra formale “shkencore”, pasi mbetën pa buxhete të nevojshme për kërkim, ose u mbushën me “specialiste”, që nuk i rezistuan konkurrencës së ekonomisë së tregut.
Shqipëria, sot nuk ka, bie fjala, një qendër shkencore për rrugët apo infrastrukturat në tërësi, megjithëse është fusha ku shpenzohen mbi 60-70%e investimeve të vendit. Institutet e Transportit dhe të Ndërtimit ekzistues, në varësi të dikastereve respektive, me buxhetet dhe rrogat që ofrojnë, nuk mundet që të mbledhin specialistët më të mirë dhe një infrastrukturë për kërkim shkencor (laboratorë, programe, instrumente etj.) të domosdoshme për të realizuar një kërkim shkencor bashkëkohor.
Sektori akademik, universitetet as që bëhet fjalë të mbulojnë këtë boshllëk. Madje, nga përvoja botërore, por edhe e vendit tonë, duhet të jetë e kundërta: Ngritja dhe organizimi i qendrave kërkimore do të mund të ndikojë në ngritjen cilësore të universiteteve. Shefat e katedrave duhet të jenë shkencëtarët më të shquar të këtyre institucioneve/qendrave shkencore dhe anasjelltas.
Në të kundërt, ne nuk do të mund t’i shërbejmë ekonomisë dhe nevojave të saj për progres teknik dhe teknologjik dhe për të qenë një vend i përparuar. Kjo është edhe arsyeja, përse mund të konsiderohet i dështuar vendimi për kalimin e instituteve dhe qendrave shkencore në varësi të katedrave të universiteteve.
Si është situata në vendin tonë?
Është krijuar një boshllëk i madh në nevojat që ekonomia ka për teknologji, standarde, rregullore, për kontroll/vlerësim, për metoda monitorimi, legjislacion të përparuar, studime etj. Këto zëvendësohen rëndom me zgjidhje empirike të rastësishme të problemeve, me kosto të larta ekonomike dhe sociale. Situata shoqërohet edhe me një konfuzion, pasi perfeksionimi vetëm i legjislacionit në fushën e kërkimit shkencor dhe vetëm në rrafshin akademik, ka treguar se nuk është zgjidhje e problemit dhe problemeve, që ka ekonomia. Shqipëria sot ka dhjetëra universitete private dhe publike dhe nuk ka asnjë institut kërkimor të mirëfilltë! Paradoks i vërtetë, që nuk mbetet me kaq. Duke marrë për shembull, mungesën e një instituti apo qendre kërkimore në fushën e infrastrukturave të transportit bie fjala, si rezultat i kësaj mungese, të gjitha hallkat, që në tërësinë e tyre janë pjesë e realizimit të këtyre veprave dhe investimeve, nga qendra-dikasteri, tek agjencia përkatëse (klienti kryesor), te konsulenti (hartuesi i projektit dhe i shërbimeve inxhinierike) dhe te zbatuesi i punimeve dhe kolauduesi, ekziston një situate tejet jo e sigurt dhe e sinqertë, ku projektuesi jep një projekt/produkt, i cili mund të jetë i kontestueshëm, po kështu supervizori dhe më tej kontraktori (zbatuesi i punimeve) dhe deri te kolauduesi.
Dhe produkti që kemi me rrugët, është ai që e shohim çdo ditë: rrugë pa standarde të unifikuara, me kosto shumë të larta ndërtimi në raport me produktin final, një rrjet rrugor i çorientuar dhe me probleme madhore, përfshi pasigurinë rrugore, që është nga më të lartat në Europë.
Cili është roli i shtetit në këtë rast?
Shteti është autoriteti garant dhe auditi, që, sipas një ligji rregullator, bën të mundur kalimin e fondeve të krijuara nga taksa në fjalë, në buxhetin e Qendrës(ave) Kërkimore. Përveç kësaj, shteti siguron raportin e drejtë ndërmjet buxhetit të krijuar (të të ardhurave) dhe aktiviteteve kërkimore, që do të kryejë struktura shkencore nga njëra anë dhe kërkesave e nevojave publike të sektorit përkatës nga ana tjetër. Shteti kontrollon dhe merr pjesë në miratimin e aktivitetit vjetor dhe financave të kësaj Qendre nëpërmjet Bordeve, që detyrimisht kryeson. Shteti garanton neutralitetin në rastin e garave në tenderë lokalë apo ndërkombëtarë, ku kjo qendër kërkimore është e lirë të marrë pjesë. Prandaj, edhe këto qendra shkencore quhen me interes publik dhe me procedim privat.
Jam i sigurt, që nëse do të ecet në këtë drejtim, pra duke aplikuar një taksë modeste, mbi të gjithë subjektet që merren me kërkimin dhe prodhimin e naftës dhe të gazit, përfshi, pse jo edhe projektin TAP, një institucion kërkimor shkencor i nivelit të lartë është plotësisht i mundur të ngrihet edhe në Shqipëri. Dhe do të jenë të interesuar të gjithë shkencëtarët e kësaj fushe për të punuar në këto qendra shkencore…
Si duhet vepruar dhe nga duhet nisur?
Së pari, të gjithë grupet e interesit, të përfaqësuara nga shoqatat apo grupime të tjera, duhet të marrin miratimin e anëtarësisë së tyre lidhur me këtë iniciativë/organizim të ri dhe t’ia bëjnë të ditur zyrtarisht qeverisë shqiptare.
Së dyti, duhet të ngrihen grupe pune që të përgatisin të detajuar propozimin për qeverinë.
Së treti, këto struktura duhet të ngrenë një komision shtetëror për hartimin e paketës ligjore për themelimin dhe financimin e këtyre qendrave kërkimore.
Së fundi, institutet ekzistuese, që mund të jenë paralele me ato që do të mund të krijohen sipas këtij propozimi, sigurisht që do të shkrihen, duke liruar buxhetin e shtetit nga një barrë e rëndomtë dhe pothuaj e panevojshme. /Monitor/